BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëDurrës/ Qytetarët ankohen për kushtet e transportit urban dhe mungesën e parkimeve

Durrës/ Qytetarët ankohen për kushtet e transportit urban dhe mungesën e parkimeve

Qytetarët që përdorin transportin urban në Durrës vuajnë çdo ditë nga vonesat, shërbimin me autobusë të vjetër dhe mbingarkuar. Edhe pse ka patur një premtim në vitin 2019 për të bërë një rikonceptim të linjave të urbanëve, Faktoje verifikoi që dhe sot në terren, situata mbetet problematike.

……………………………………….

 Vonesat, mungesa e sistemit të ajrimit dhe mbingarkesa janë vetëm disa nga problemet e transportit publik, me të cilat duhet të përballen çdo ditë qytetarët e Durrësit. Këto shqetësime të evidentuara edhe në një raport të publikuar në tetor të vitit 2017, vijojnë të jenë prezente edhe sot. Ndonëse është premtuar shpesh për përmirësimin e cilësisë, situata mbetet problematike për durrsakët.

“Durrësi e ka domosdoshmëri rikonceptimin e linjave urbane dhe parkimin. Kjo bën që të harmonizohet pjesa e qendrës së qytetit me zonat periferike dhe rurale njëkohësisht dhe me akset hyrëse dhe dalëse”, u shpreh kryebashkiakja e zgjedhur Valbona Sako në vitin 2019-n.  Ky premtim u bë nga Valbona Sako, teksa kadidonte për t‘u bërë kryetare e Bashkisë së Durrësit. Por çfarë ndodhi me premtimin e kandidates së Partisë Socialiste, e cila mori mandatin për drejtimin e këtij qytetit? Si është situata sot në qytetin bregdetar në lidhje me linjat e transportit urban dhe parkimin?

Sipas faqes zyrtare të Bashkisë Durrës, në qytetin bregdetar funksionojnë 6 linja urbane: Durrës-Spitallë-Durrës; Durrës-Nishtulla-Durrës; Durrës-Currila-Durrës; Durrës-Universiteti A.Moisiu-Durrës; Durrës-Plepa-Durrës; Durrës-Unazë-Kënetë-Plepa-Durrës.

Screenshot nga faqja e Bashkisë Durrës

Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Durrësit, se si po ecte puna për rikonceptimin e linjave urbane dhe përcaktimin e parkimit në zonat periferike.

Ky institucion na informon se Bashkia është ende në fazën e rivlerësimit të linjave urbane të qytetit, ndërsa janë përcaktuar 9 zona për parkimin në zonat periferike.

“Bashkia Durrës po merret me rivlerësimin e linjave urbane dhe përcaktimin e parkimit në zonat periferike dhe rurale si dhe ka përcaktuar disa zona, aktualisht 9 në pjesën periferike të saj”, thuhet në përgjigjen e Bashkisë Durrës.

Përgjigjia e Bashkisë Durrës

Mirëpo, në përgjigjen e bashkisë Durrës nuk ka asnjë informacion mbi mënyrën se si pritet të realizohet rikonceptimi i linjave urbane, duke mos dhënë detaje se në çfarë faze është ky projekt. Ndërsa, për sa i përket rikonceptimit të parkimit, Bashkia sqaron vetëm që janë përcaktuar 9 zona, pa shpjeguar për cilat zona bëhet fjalë konkretisht dhe çfarë impakti do të kishte ky investim në lehtësimin e parkimit në qytetin bregdetar.

Ne bëmë një kërkim në faqen e Bashkisë së Durrësit, për të parë nëse kishte buxhet të parashikuar në vitin 2021 për rikonceptimin e linjave urbane dhe vumë re që nuk kishte asnjë lloj investimi të parashikuar në buxhet për këtë çështje. Ndërkohë, e vetmja gjë që gjetëm ishte një studim-projektim për parkim në qytet që ka kushtuar 5.000.000 lekë.

Screenshot nga buxheti i Bashkisë Durrës për 2021

Lidhur me transportin publik në Durrës, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim në terren në muajin nëntor 2021. Ne udhëtuam me dy linja, atë të Porto Romano-Durrës-Qendër dhe Durrës-Universiteti “Aleksandër Moisiu”, për të parë kushtet brenda tyre. Gjatë verifikimit tonë, biseduam edhe me qytetarë, të cilët na konfirmuan se nuk janë shtuar linja të reja dhe nuk ka pasur përmirësim të kushteve. Madje qytetarët e Durrësit shtojnë se kushtet po përkeqësohen çdo ditë e më tepër, pasi autobusët janë shumë të vjetër.

Linja Porto Romano-Durrës qendër

 “Skandal fare janë kushtet. Bileta është 40 lekë dhe çmimi nuk e justifikon shërbimin që ofrojnë. Janë linja private dhe kushtet janë të tmerrshme. Njerëz ngjitur njëri me tjetrin edhe tani në kohë pandemie. Nuk ka rregulla fare! Këtë linjë e bëj përditë, sepse e kam shtëpinë në Spitallë. Autobisët vijnë çdo 25 minuta në orët e fluksit të madh, nuk kemi dëgjuar që do ketë përmirësim të kushteve”, tha një qytetare, rreth 55 vjeçe.

Linja Porto Romano-Durrës qendër

 Shqetësuese është situata dhe për një tjetër qytetar nga Durrës, që këtë linjë e bën çdo ditë, pasi dërgon mbesën në shkollë.

“Shërbimi është copë-copë. Si mos më keq janë, si brenda në autobus, si çmimi i abonesë, 16 mijë lekë një abone dhe nuk bën as 3 km rrugë. Pasdite situata është shumë keq, vjen një herë në gjysmë ore, ose një herë në orë. Edhe në mëngjes situata është shumë keq, kur hipin fëmijët që shkojnë për shkollë, palë-palë rrijnë.  Na shkoi gjithë jeta duke pritur të mbajnë premtimet” – shprehet pensionisti nga Durrësi.

Linja Porto Romano-Durrës qendër

Në linjën që të çonte te Universiteti “Aleksandër Moisiu” udhëtonin kryesisht studentë, të cilët shprehën shqetësimin në lidhje me kushtet e transportit publik.

“Vijnë çdo 10 minuta, por kushtet janë të tmerrshme. Mbushen plot, sidomos në mëngjes dhe kur mbarojmë mësimin”, tha një studente.

Linja Durrës-Universiteti “Aleksandër Moisiu”

Studentë të tjerë, ankohen se linjat kanë pak autobusë dhe që presin deri sa të mbushen plot që të nisen:

“Shihni vetë si janë. Po presim tani që të niset ky autobusi, por nuk po ndizet. Çdo ditë mbushen plot, udhëtojnë në kushte të vështira, nuk kanë as sistem ajrimi e asgjë”.- tregon Arbri, student në vitin e 2-të në universitet.

Një tjetër premtim që ishte dhe ai për rikonceptimin e parkimeve në Durrës. Faktoje ishte në zonën e Currilave, por nuk kishte hapësira të dedikuara si parking. Automjetet parkonin në anë të rrugës dhe ndërsa drejtuesit e mjeteve pranojnë se ata parkojnë në anë të rrugës, nuk gjobiten nga policia dhe as paguajnë për parkimin.

“Vijmë për një kafe apo në restorant, parkojmë në anë të rrugës, kur gjejmë. Parkimi është pa pagesë, por është tmerr se nuk ka vende parkimi të dedikuara”, tha një qytetar.

Zona e Currilave, nëntor 2021

Edhe në zonën e Vollgës shihje automjete të parkuara në të dy anët e rrugës, edhe pse nuk tabelë nga bashkia që lejohet parkimi.

Parkimi i automjeteve në anë të rrugës vështirëson edhe qarkullimin e makinave, duke krijuar edhe trafik në shumë raste.

Vendet e parkimit në Durrës, nëntor 2021 

Ne ishim për verifikim në terren gjatë paradites dhe ishte mjaft e vështirë të gjeje hapësira parkimi brenda në qytetin e Durrësit.

Zona e Vollgës, nëntor 2021

 Ndërsa në zonën pranë Muzeut Arkeologjik ishte përshtatur një hapësirë për parking, por edhe në anët e rrugës të zinte syri një numër të madh automjetesh të parkuara.

Edhe në lagjet në brendësi të Durrës, problematika me parkimet shqetëson banorët, që pranojnë se ka raste që dhe pse banojnë në zonë nuk arrijnë të gjejnë vende për parkimin e mjeteve të tyre.

Parking te zona pranë Muzeut Arkeologjik

Nisur nga të dhënat e grumbulluara dhe verifikimi ynë në terren, premtimin për rikonceptimit të linjave urbane dhe parkimit në Durrës do ta kategorizojmë Të Pambajtur.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna  nga kryebashkiakët.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img