BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingUnifikimi i abetares, nisma ‘e ricikluar’ nga viti 2012

Unifikimi i abetares, nisma ‘e ricikluar’ nga viti 2012

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi premtoi se në vitin shkollor 2022-2023 do të ketë një Abetare të unifikuar Shqipëri-Kosovë. Mirëpo, një unifikim i Abetares mes dy vendeve rezulton të jetë bërë në vitin 2012 dhe kjo konfirmohet nga ekspertët e arsimit në Shqipëri dhe nga zyrtarët e arsimit në Kosovë. Sipas përgjigjes së MASR për Faktoje, aktualisht në vendin tonë janë në përdorim 4 Abetare dhe abetarja e unifikuar do nisë të përdoret në dy shtetet shqipfolëse nga shtatori i vitit 2022.

……………………………………………………………………..

“Vitin e ardhshëm, me rastin e 110-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, do t’u dhurojmë nxënësve të klasave të para si në Shqipëri dhe në Kosovë një abetare të re të përbashkët, të unifikuar për të gjithë nxënësit”- tha ministrja Evis Kushi.

Por, duke qenë se një unifikim i abetares mes dy vendeve shqipfolëse është bërë edhe në vitin 2012, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit dhe Sportit më 6 dhjetor. Ne pyetëm se çfarë parashikon unifikimi i ri i Abetares.

Përgjigjen nga MASR e morëm më 29 dhjetor, pas ankimimit të bërë në adresë të Komisionerit Për Të Drejtën e Informimit. Ndër të tjera, në përgjigjen zyrtare, Ministria e Arsimit thekson se që prej vitit 2014 ka ndërmarrë një reformë kurrikulare për të gjitha tekstet e arsimit parauniversitar.

Kërkesa për informacion dërguar MASR më 6 dhjetor

“Që nga viti 2014, Ministria e Arsimit dhe e Sportit (MAS) ka ndërmarrë një reformë kurrikulare, e cila është në përmbushje dhe në zbatim të kërkesave të ligjit nr. 69/2012 Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, dhe të Rekomandimeve të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të Evropës për zhvillimin e kompetencave të të nxënit gjatë gjithë jetës (2006/962/EC). – sqaron MASR.

Më tej, Ministria e Arsimit thekson për Faktoje se në sistemin parauniversitar përdoren 4 lloje të abetareve dhe jo vetëm abetarja e unifikuar, e cila përdoret edhe në Kosovë.

“Në procesin e hartimit dhe të vlerësimit të teksteve të reja nuk është bërë pjesë teksti i abetares. Aktualisht në sistemin arsimor parauniversitar në Shqipëri ka katër alternativa për këtë tekst, pra përveç abetares mbarëkombëtare ka edhe tri alternativa të tjera, të cilat zgjidhen nga mësuesit gjatë procesit të përzgjedhjes së teksteve në shkollë.

Nisma e re e MAS-it për të patur në shkolla një tekst të vetëm për abetaren synon që lexim-shkrimi fillestar të realizohet me të njëjtën qasje dhe metodologji në të gjithë sistemin arsimor. Hartimi i kësaj abetareje do të jetë një proces në të cilin do të angazhohen pedagogë, gjuhëtarë, specialistë të kurrikulës, psikologë, mësues etj., të cilët do të garantojnë saktësi shkencore, didaktike dhe metodologjike, etike, gjuhësore, vizuale dhe grafike, si dhe përputhshmërinë me programin lëndor. Kësaj nisme i është bashkuar edhe ministria përgjegjëse për arsimin në Kosovë, duke bërë të mundur që të ketë një tekst cilësor abetareje për të gjithë fëmijët shqiptarë”-thuhet në përgjigjen e MASR.

Mirëpo, çfarë do të ketë ndryshe Abetarja e re, e cila pritet të futet për përdorim nga nxënësit në Shqipëri dhe Kosovë në vitin shkollor 2022-2023? Në përgjigjen zyrtare për Faktoje MASR bën të ditur:

“Hartimi i tekstit të abetares së re do të bëhet duke u bazuar në kurrikulën me kompetenca dhe në standardet e teksteve shkollore (MASR, 2015), të cilat ofrojnë kritere për pajtueshmërinë me parimet gjithëpërfshirëse kurrikulare dhe me tekstet e klasave pasuese; faqosjen dhe ilustrimet; përshtatjen me moshën e nxënësve; respektimin e gjuhës standarde shqipe, pasqyrimin e barazizë gjinore; materialet ose fletoret e punës që shoqërojnë tekstin, si dhe për treguesit e standardit që është specifik për abetaren. Të gjitha alternativat ekzistuese të abetareve janë hartuar para kurrikulës me kompetenca dhe nuk reflektojnë plotësisht këtë qasje”.

Në një intervistë për Top Channel më 29 nëntor, autori i abetares së përbashkët të vitit 2012, Shezai Rrokaj deklaroi se vendimi për unifikimin e Abetares nuk ishte një nismë e re, pasi ka pasur një marrëveshje edhe në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

“Në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shtetit shqiptar pati një marrëveshje ndër qeveritare Shqipëri-Kosovë, mbi bazën e së cilës duhej të krijohej një abetare e përbashkët. Nuk ka lindur askush deri më sot që të thotë se kjo nuk bën. Ky është vullnet politik. Por nuk mund të hidhet poshtë puna e njerëzve, se me këtë abetare mësojnë fëmijët shqiptarë” – tha Rrokaj.

Abetarja që përdoret aktualisht në Kosovë, por edhe në Shqipëri

Në lidhje me nismën e re për unifikimin e abetares Shqipëri-Kosovë, zëvendësministri i Arsimit të Kosovës, Dukagjin Pupovci sqaroi për mediat:

“Ideja tani është që Abetarja aktuale e unifikuar të ripunohet meqë ka kaluar një periudhë dhe besoj që me aprovimin e saj, ajo do të përdoret në Kosovë. Ndërsa, sa i përket Shqipërisë nëse do të jetë e vetmja apo jo, kjo është çështje e ministrisë së Shqipërisë”- argumentoi ai.

Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit të Kosovës, Arbërie Nagavci u shpreh për “Euronews Albania” se Kosova i ka respektuar marrëveshjet e mëparshme dhe ka përdorur Abetaren e unifikuar, ndërsa Shqipëria deri me tani nuk e ka përmbushur angazhimin.

“Edhe vite më parë, është iniciuar, është pranuar dhe ka filluar të punohet me një abetare të përbashkët. Në Kosovë e kemi respektuar, e kemi pasur atë abetare në përdorim për një kohë të gjatë. Me aq sa jam në dijeni në Republikën e Shqipërisë nuk është përdorur e njëjta abetare në të gjitha shkollat apo gjatë gjithë kësaj kohe”- u shpreh ministrja e Arsimit të Kosovës.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img