BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingPolicët e burgjeve, rritje pagash apo lëmoshë?

Policët e burgjeve, rritje pagash apo lëmoshë?

Ina Allkanjari

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, gjatë prezantimit të buxhetit për vitin 2022 deklaroi se 3588 punonjës të policisë së burgjeve kanë përfituar shtesë në pagë falë gradës. Kjo deklaratë shihet me rezrva nga kreu i sindikatës së Shërbimeve Policore të Shqipërisë, i cili argumenton se rritja e pagave që propagandohet, është në mes të indeksimit dhe lëmoshës, pasi 90% e punonjësve paguhen 50 mijë lekë në muaj dhe rritja është minimale.I njëjti argument mbështetet edhe nga ekspertë të financës që kanë punuar në këtë sektor.

———————–

“Ne mbajtëm fjalën e dhënë. 3 vjet rritje pagash për 3588 punonjës të policisë së burgjeve. Në 2020-n është realizuar shtesë për gradë, në 2021 është realizuar shtesë për vjetërsi pune, ndërsa në 2022 do të realizohet shtesë për kushte pune.” -shkruante në një postim në profilin e tij në Facebook, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, një ditë pas prezantimit të buxhetit për vitin 2022.

Screenshot i postimit të Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, datë 16 nëntor 2021

Nisur nga kjo deklaratë, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Burgjeve dhe Ministrisë së Financave, ku kërkuam të dhëna se sa variojnë pagat aktuale të punonjësve të policisë së burgjeve, sa ka qenë shtesa përgjatë dy viteve të fundit dhe cilat janë kriteret mbi të cilat do të përllogaritet shtesa për kushte pune për vitin 2022.

Screenshot, kërkesa për informacion drejtuar Ministrisë së Drejtësisë datë 21.12.2021

Deri në publikimin e këtij artikulli, ende nuk kemi një përgjigjë nga institucionet e sipërpërmendura.

Eksperti i ekonomisë, njohës i funksionimit të financave në Drejtorinë e Policisë së Burgjeve, ish-punonjës i këtij institucioni (i cili nuk pranoi të identifikohej), argumenton se shtesa për gradë dhe për vjetërsi pune është përcaktuar si rritje page, por rritja për shkak të inflacionit ka kohë që nuk llogaritet në rritjen e pagës.

“Shtesa për gradë vjen me Vendim të Këshillit të Ministrave, p.sh. nën/inspektori është grada më e ulët, dhe paga minimale e kësaj kategorie sot është 45500 lekë (bruto), më herët ka qenë 43000 lekë. Pra është rritur me 2500 lekë. Kjo është rritja dhe është përllogaritur për secilën gradë në radhët e punonjësve të policisë së burgjeve.

Vite më parë çdo muaj mars-prill përcaktohej një rritje rroge në bazë të inflacionit. Prej kohësh tashmë inflacioni nuk llogaritet. Dikur, nëse inflacioni do të ishte p.sh. 4%, në tremujorin e parë të vitit, edhe rrogat rriteshin me 4%, kjo llogaritje bëhej çdo vit. Ka kohë që kjo nuk ndodh më”- sqaron për Faktoje ish-zyrtari i policisë së burgjeve.

Foto ilustruese

Më tej eksperti tregon se shtesa për vjetërsi pune e cila ka nisur të zbatohet në vitin 2021 i ka ndihmuar paksa pagat e tyre. Sipas tij, sot punonjësit e policisë së burgjeve u paguhen shtesë 1% e pagës minimale në kuadër të vjetërsisë së viteve në punë.

“Për të gjitha pagat e këtyre punonjësve me grada, llogaritet përqindja mbi bazën e pagës më të ulët dhe kjo ka ndikuar për mirë. Llogaritet 45 500 lekë (paga bruto) që është paga më e ulët, herë 1% nëse ke 1 vit punë, herë 2% nëse ke dy vite punë, e kështu me rradhë deri në 25 vite pune. E përfitojnë të gjithë punonjësit e policisë së burgjeve”- shprehet ish zyrtari.

Lidhur me shtesën e premtuar nga Ministri i Drejtësisë për kushte pune për këta punonjës, që pritet të zbatohet në vitin 2022, eksperti shprehet se kjo shtesë do të jetë në vlerën 1000 lekë të reja në muaj.

“Kemi punonjësit në regjimin e jashtëm (ata të cilët qëndrojnë në ambientet e jashtme rrethuese të burgjeve) dhe punonjësit në regjimin e brendshëm ( që qëndrojnë në ambientet e brendshme të burgjeve). Aktualisht për punonjësit e regjimit të jashtëm paguhet shuma 4000 lekë për vështirësi pune, ndërsa për punonjësit e regjimit të brendshëm paguhet shuma 8000 lekë për vështirësi pune. Për vitin 2022 është premtuar shtesa prej 1000 lekë për këto dy kategori, pra nga 4000 lekë do të marrin 5000 lekë dhe nga 8000 lekë do të marrin 9000 lekë, kjo është rritja e premtuar”- shprehet eksperti.

Foto ilustruese

Faktoje iu drejtua kreut të sindikatë së Shërbimeve Policore të Shqipërisë, Valentin Macaj për të mësuar më shumë rreth rritjes së pagave për punonjësit e policisë së burgjeve dhe sa është ndjerë kjo rritje në xhepat e tyre.

“Mesatarja e pagës neto të një punonjësi policie në burgje është 45.000-50.000 lek, për 90% të stafit me uniformë. Rritja e pagave, e deklaruar është në mes të indeksimit dhe lëmoshës së rritjes. Sepse nuk mund të quhet rritje page një vlerë prej 1700 lekë në muaj. Janë munduar të jenë cinikë deri në detaje, që punonjësit të tulaten me fatin e tyre. Shtesa për gradë i takon të ketë rritje page deri 10%, por kjo ka lidhje me vjetërsinë në shërbim, pasi ka ndërthurje në mes vjetërsisë dhe gradës. Standarde është për gradat e nivelit zbatues, ndërsa për gradat e tjera, ka rritje më të madhe. Me ligje dhe VKM jemi mirë, por zbatimi në praktike lë shumë për të dëshiruar. Janë dhjetëra punonjës që kanë fituar gradat që në gusht 2019 dhe akoma presin për t‘i marrë“- tregon për Faktoje kreu i sindikatës së Shërbimeve Policore të Shqipërisë.

Ndërkohë në kuadër të premtimit të Ministrit të Drejtësisë për shtesën në pagë për vitin 2020, Kreu i sindikatës Valentin Macaj shprehe:

“Kjo shtesë ka të bëjë me natyrën e shërbimit, ose më saktë me regjimet e tij. Do të ketë një shtesë që varion nga 2000 deri 3600 lekë në muaj, kjo sipas klasifikimit të burgjeve. Sepse një punonjës që shërben në një burg të sigurisë së lartë, do paguhet më shumë se ai që shërben në një burg të sigurisë së zakonshme. Akoma më shumë do paguhet ai që shërben në sektoret e 41Bis“- shprehet Macaj.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img