Pa kaluar një muaj nga miratimi i ndryshimeve ligjore që i lejojnë ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të privatizojë pronat e institucioneve shtetërore, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit ka hapur një thirrje për ndërtim në disa zona kyçe në kryeqytet. Thirrja parashikon ndërtimin e dy kullave të reja nga privati, në këmbim të ndërtimit të zyrave për disa institucione shtetërore. Vlera e tregut për kullat arrin të paktën 150 milionë euro.

Jona Plumbi

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit ka hapur një garë për “zhvillimin” e pronës publike, më pak se një javë pasi  Këshilli i Ministrave vendosi transferimin e disa pronave shtetërore në përgjegjësi të Korporatës së Investimeve Shqiptare.

Me zhvillim në këtë rast nënkuptohet ndërtimi në disa zona të Tiranës mbi tokë publike nga privati, duke i dhënë këtij të fundit mundësinë që të përfitojë pronë në këmbim të ndërtimit të zyrave për disa institucione shqiptare.

“Rezultati i këtij konkursi do të jenë projekt-idetë për qendra të reja administrative në Tiranë si dhe projektet paralele në formën e zhvillimeve private, të cilat do të ndërtohen si pjesë e kontratës me partnerin fitues.” – shkruhet në shpalljen e AKPT-së.

Zhvillimet private nënkuptojnë ndërtimin e dy kullave në Tiranë.

Kulla e parë

Kulla e parë, parashikohet të jetë deri në 41 kate, me 52,500 metër katror sipërfaqe ndërtimi do të ndërtohet në Bulevardin Zhan D’Ark, në pronën ekzistuese të Qendrës së Shërbimeve Arsimore.

Qendra e Shërbimeve Arsimore

Në këmbim qeveria do të marrë ndërtimin e 22,000 metrave katrorë për zyra tek Komuna e Parisit.

Kulla e dytë

Kulla e dytë parashikohet të jetë deri në 40 kate, ose 40,000 metër katror dhe do të ndërtohet tek rruga Muhamet Gjollesha, në pronën publike ku sot është Agjencia e Trajtimit të Pronave.

Agjencia e Trajtimit të Pronave

Përveç se pronë publike, në këtë rast harta ku shënjohet zona e konkursit duket se përfshin edhe të paktën dy godina që janë prona private.

Në këmbim të ndërtimit të kësaj kulle në pronë publike, shteti ka kërkuar 15,000 metra katror zyra tek Zogu i Zi, ku ndodhet Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Pra në total do të ndërtohen deri në 92,500 metra katror kulla dhe 37,000 metër katror zyra shtetërore.

Rreth 150 milionë euro pronë publike shkon tek privati

Për të llogaritur vlerën e ndërtimit që privati ftohet të kryejë në pronën publike përmes kësaj thirrjeje të AKPT-së, mjafton të shohim çmimet e referencës për Bashkinë Tiranë sipas zonave kadastrale.

Kulla e parashikuar në Bulevardin Zhan D’Ark përket me Njësinë 3 të Bashkisë, zona 3/1 ku çmimi i referencës është 98,500 lekë për metër katror. Ndërsa kulla e dytë, e parashikuar tek rruga Muhamet Gjollesha i përket njësisë 7, zona 7/2 ku çmimi i referencës shkon në 123,400 lekë për metër katror.

Bazuar tek këto çmime, vlera e kullës 41 kate në Bulevardin Zhan D’Ark shkon mbi 5 miliardë lekë. Po kaq shkon edhe vlera e kullës së dytë, asaj 40 kate tek rruga Muhamet Gjollesha.

Sipas thirrjes, këto dy kulla do të përdoren për zyra, banesa, shërbime, tregëti dhe parkim nëntokësor. Sipas çmimeve të referencës së shtetit shqiptar, “çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi për veprimtari ekonomike tregtimi shërbimi në Bashkinë Tiranë është 2 (dy) herë më i lartë se çmimi i sipërfaqeve të banimit”.

Kjo do të thotë se, përmes këtij konkursi, shteti shqiptar po i jep privatit të paktën 150 milionë euro ndërtim në pronë publike.

Kjo vlerë mund të shkojë edhe më shumë pas dy-tre viteve kur të përfundojnë punimet, shpjegon eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj.

Ish këshilltari i kabinetit të Ministrisë së Infrastrukturës thekson edhe një tjetër përfitim.

Ai nënvizon se kontratat qeveritare në raste të tjetërsimit të objektit shtetëror dhe tokës në zotërim të qeverisë me një pronësi të privatit dhe qeverisë ofrojnë mundësi unike dhe qëndrueshmëri që mund të ketë ndikim transformues për bizneset që investojnë paratë me burime të ndryshme.

Duke siguruar kontrata qeveritare, shpjegon Gjokutaj, bizneset kanë potencialin për të shfrytëzuar një rrjedhë të qëndrueshme dhe të larmimshme të të ardhurave, për të hyrë në tregje fitimprurëse dhe për të shfrytëzuar mundësinë për sukses afatgjatë.

Por ky përfitim për privatin, në vende jo demokratike shoqërohet me një rrezik.

Të mos harrojmë që në kushtet kur drejtimi i institucioneve që kontrollojnë paratë dhe informalitetin e këtyre projekteve ndërtimore është pjesë e patronazhimit politik, një rrisk prezent është se kostoja e projekteve të ndërtimeve shërben njësoj si “valixhet diplomatike”që kriminelët të mund të pastrojnë shuma të mëdha parash në një projekt të vetëm duke i maskuar paratë kriminale në këto projekte partneriteti me qeverinë, që prezantohen si projekte që kanë interes publik.” – Eduart Gjokutaj.

Konkursi i hapur në 4 Qershor, pritet të përfundojë brenda Shtatorit.

Përfundim

Në një kohë kur Tirana konsiderohet e mbi ndërtuar dhe kullat janë shtuar vazhdimisht gjatë viteve të fundit, duket se qeveria nuk do të ndalet duke nisur ndërtimin e tyre edhe në prona shtetërore. Thirrja e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit bën pikërisht këtë kur fton privatin të ndërtojë kulla private në vendndodhje kyçe të qytetit të Tiranës, në këmbim të përfitimit të ndërtimit të godinave për zyra shtetërore.