Punimet për shkollën “Myslym Keta” përfunduan, pas disa afatesh

305

Punimet për gjimnazin “Myslym Keta” me kapacitet prej 1000 nxënësish, në zonën e ish Kombinatit kanë përfunduar. Që prej korrikut 2023, një pjesë e ndërtesës së kësaj shkolle iu nënshtrua rikonstruksionit, duke përfshirë palestrën dhe disa klasa. Në atë periudhë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se godina do të ishte gati gjatë këtij viti shkollor. Edhe pse kanë mbetur pak ditë nga përfundimi i tij, objekti i është dorezuar bashkisë, por nxënësit do të hyjnë në vitin e ardhshëm shkollor.

Në fund të muajit korrik 2023, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj premtoi se gjimnazi “Myslym Keta” në Kombinat do të ishte gati për vitin arsimor 2023-2024.

“Do i ftoja të gjithë prindërit, teksa treguam durim deri tani, duhet të tregojmë pak durim edhe për këtë buqetë të 10 shkollave të fundit, siç janë ‘Myslym Keta’, ‘Emin Duraku’, ‘Asim Vokshi”-deklaroi Veliaj.

Në 1 gusht 2023, faqja zyrtare e Bashkisë së Tiranës njoftonte se gjimnazi do të hapej brenda pak ditëve.

“Edhe pak ditë na ndajnë nga hapja e gjimnazit të ri ‘Myslym Keta’ në Kombinat…”-bënte të ditur Bashkia e Tiranës në faqen zyrtare në rrjetet sociale.

Screenshot i njoftimit të Bashkisë Tiranë, në rrjetet sociale

Por në një verifikim të Faktoje në terren, në datën 24 janar 2024, konstatuam se ende vijonin punimet për ndërtimin. Tabela që ndodhej në hyrje të kantierit të ndërtimit, tregonte se objekti financohej nga Bashkimi Europian, në kuadër të projektit “EU4Schools”. Sipas të dhënave, punimet për ndërtimin e saj nisën në korrik të vitit 2023 dhe kohëzgjatja ishte 7 muaj.

Në faqen zyrtare të “EU4Schools” njoftohej se punimet për gjimnazin me kapacitet prej 1000 nxënësish, do të përfundonin në 9 qershor 2024.

Ne bëmë një tjetër verifikim më 4 qershor, ku konstatuam se kishin përfunduar punimet, por mjediset e reja nuk ishin vënë ende në funksion të nxënësve.

“Ka përfunduar si punim, por nuk është vënë në përdorim, sepse tani po mbaron dhe shkolla. Në një pjesë të saj u bë rikonstruksion, palestra dhe disa klasa. Pjesa tjetër ishte në rregull. Aty kemi bërë mësim ne gjatë kësaj kohe. Nuk kemi bërë me turne, orar normal, 08:00-13:10”, tha një nxënëse për Faktoje.

Më herët i ishim drejtuar bashkisë Tiranë me një kërkesë për informacion edhe Bashkisë së, ku ndër të tjera e pyetëm se në çfarë faze ishin punimet për ndërtimin e gjimnazit “Myslym Keta” në Kombinat. Ky institucion theksonte se projekti po menaxhohej nga PNUD dhe se Bashkia e Tiranës monitoron procesin ndërtimor.

“Bashkia e Tiranës është duke monitoruar me vëmendje të gjithë procesin ndërtimor duke asistuar UNDP (PNUD) dhe kompaninë ndërtimore përgjatë fazës ndërtimore. Theksojmë se kjo është një kontratë, e cila menaxhohet tërësisht nga UNDP (PNUD) dhe afati i përfundimit të kësaj kontrate sipas saj është 09.05.2024”, njoftonte zyrtarisht Bashkia e Tiranës në përgjigjen që mban datën 12 prill.

Kontekst

Në muajin tetor të vitit të kaluar, Faktoje raportoi se për gjatë vitit shkollor 2023-2024 Tiranës iu shtuan vetëm dy shkolla të reja dhe jo 10 siç deklaroi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Këtë e konfirmuan zyrtarisht për Faktoje, Ministria e Arsimit dhe vetë Bashkia e Tiranës. Verifikimi i Faktojes tregoi se si deklaratat për shkollat e reja dhe dhënien fund të mësimit me turne përdoren për qëllime propagandistike.

Përfundim

Pavarësisht deklarimit të disa afateve për përfundimin e rikonstruksionit të gjimnazit “Myslym Keta“, punimet përfunduan brenda vitit shkollor 2023-2024, edhe pse në ditët e fundit të tij. Ndaj deklaratën e kryebashkiakut Veliaj për afatet e dorëzimit të kësaj shkolle, e kategorizojmë të vërtetë.

Artikulli paraprakFoto e gjeneruar e Kate Middleton pas trajtimit në kimio nxit klikime në rrjet
Artikulli tjetër150 milionë euro pronë publike i jepet privatit
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.