Në muaj e verës 2023 në hyrje të Shkodrës nisën punimet për rehabilitimin e molit. Sipas kontratës, moli i ri duhej të ishte gati në muajin tetor, por verifikimet e Faktoje tregojnë se afatet janë shkelur. Projekti 1.2 milionë euro është financuar nga Bashkimi Evropian dhe po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. FSHZH thotë se projekti do të përfundojë në fund të 2023-t.
Esmeralda Topi
Në hyrje të të Shodrës këtë verë nisi puna për t’i dhënë jetë molit të ri të qytetit. Projekti me vlerë 1,2 milionë euro i finacuar nga Bashkimi Evropian parashikon rehabilitimin e molit si dhe ndërtimin e një platforme lundruese.

Një muaj pasi kishte marrë zyrtarisht detyrën e kryebashkiakut, Benet Beci ndau detaje nga projekti.
“Në hyrje të qytetit, në afërsi të Urës së Vjetër të Bunës, po punohet për Molin e ri të Shkodrës. Ndërtimi i tij sjell për herë të parë një mundësi të re lundrimi, duke pasuruar ofertën turistike e duke nxitur biznesin në zonë.”, shprehej Beci pas një inspektimi të punimeve për Molin e ri më 28 korrik.
Sipas tij, moli do të ketë përmasat 60 x 20 metra dhe një platformë lundruese 59 x 4 metra, që është shumë e përshtatshme për lidhjen e varkave.
Çfarë parashikon projekti?
Rehabilitimi i molit në Shkodër parashikon:
- Ndërtimin e bazamentit betonarme të molit në formë trapezoidale (Ndërtimi i 78 Pilotave me gjatësi 10 ml dhe diametër 1000 mm, ndërtimi i traut b/a në kokën e pilotave dhe murit b/a mbi traun)
- Ndërtimi i platformës lëvizëse të molit me konstruksion metalik (alumini)
- Ndërtimi i kolektorit KUZ dhe pusetave të kontrollit në kolektor
Projekti është financuar nga Bashkimi Evropian dhe po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Vlera totale e financimit për Molin e ri është 1,287,511.93 Euro me T.V.SH.
Punimet jashtë afateve
Sipas kontratës, punimet për molin e ri në Shkdoër do të zgjasnin tre muaj. Por verifikimet e Faktoje tregojnë shkeljen e afateve. Përmes një kërkese për Informacion, Bashkia e heq përgjegjësinë nga vetja duke ia deleguar Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si njësi zbatuese e projektit.
“Rehabilitimi i molit Shkodër është një projekt i zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me vlerë investimi sipas preventivit 149,943,355.15 lekë. Bashkia Shkodër është institucioni përfitues i këtij investimi e cila ka miratuar lejen ndertimit nr.5328/3 prot ,datë 10.05.2023.’ , thuhet në përgjigjen e Bashkisë Shkodrës për Faktoje.
Nga ana tjetër, Fondi Shqiptar i Zhvillimit thotë se shkelja e afateve për projektin ka ardhur si pasojë e një shtese të kërkuar nga Bashkia e Shkodrës.
“Kërkesa e Bashkisë Shkodër për shtimin e gjatësisë së kolektorit të KUZ dhe kryerjen e punimeve speciale brenda në lumin Shirokë ndikojnë në grafikun e realizimit të punimeve, të cilat pritet të përfundojnë brenda vitit 2023.”- pohon FSHZH për Faktoje.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit bën me dije se është në proces realizimi i pilotave dhe ka filluar ndërtimi i traut dhe murit mbi pilota, që do të shërbejë si mur rrethues i molit. Po ashtu, janë drejt përfundimit punimet për kolektorin kryesor të shkarkimit të ujrave të ndotura dhe punimet për ndërtimin e pusetave të kontrollit. Punimet pritet të mbyllen në fund të këtij viti. sipas FSHZH-së.
Një muaj përpara këtij afati të ri, Faktoje udhëtoi drejt Shkodrës për të parë nga afër ecurinë e projektit.
Më 13 nëntor në hyrje të Shkodrës vijonte puna për rehabilitimin e molit.




Kantieri pranë Urës së Bunës ishte i hapur dhe punohej me mjete të tonazhit të rëndë.




Përfundim
Nisur nga informacionet e mbledhura dhe verifikimi në terren, premtimin e kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, për molin e ri në qytet, e vlerësojmë si pjesërisht të mbajtur.
“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.