BallinaTë pambajtura1 vjetori i tërmetit, Kurbini bashkëjeton me gërmadhat dhe premtimet e shkelura për rindërtim

1 vjetori i tërmetit, Kurbini bashkëjeton me gërmadhat dhe premtimet e shkelura për rindërtim

Në Bashkinë Kurbin, ku u dëmtuan rëndë 35 pallate nga tërmeti i 26 nëntorit, jo vetëm nuk ka nisur rindërtimi, por ende s’është shembur as 1/3 e tyre. Një vit pas kësaj fatkeqësie, “Faktoje” e gjeti Kurbinin mes gërmadhave si në një zonë lufte dhe banorë të zhgënjyer që janë detyruar të pranojnë se rindërtimi është ende larg. Një pjesë e mirë e banorëve përgatiten të presin në çadra, për të dytin vit rresht, festat e fundvitit.


Bashkia e Kurbinit është një nga zonat më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, i cili shkaktoi 51 viktima gjithsej në të gjithë territorin e goditur nga pasojat dhe la disa mijëra të pastrehë.

Sipas të dhënave nga Ministria e Rindërtimit, në Bashkinë Kurbin, pas fatkeqësisë natyrore u shpallën të pabanueshme 35 pallate dhe 465 banesa individuale. 1,813 banesa të tjera rezultuan të dëmtuara në shkallën DS1, DS2 dhe DS3.

Iku një vit dhe ne nuk kemi marrë vesh se çfarë do bëhet me pallatin. Nuk jam vetëm unë. Jemi mbi 70 banorë që endemi sa në hotele si fillim, që na çoi Qeveria, ca kohë në të afërmit tanë e tani me shtëpi me qera – ankohet 53-vjeçari Agim Hysa që banon në lagjen numër 4 në Bashkinë Kurbin dhe e sheh me mosbesim procesin e rindërtimit, për shkak të burokracive dhe premtimeve të pambajtura.

Gërmadha e inerteve të pallatave të shembura në Bashkinë Kurbin, Laç – 23.11.2020

Procesi i shembjes së pallateve të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, është ende në fillesat e veta, ndërsa rindërtimi duket larg.

Shembja e pallateve dhe pastrimi i inerteve në Bashkinë Kurbin, Laç

Lagjja numër 2 në Kurbin, ishte ndër zonat më të goditura në këtë bashki si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit. Edhe pse shumica e pallateve janë shpallur të pabanueshme, banorët, në pamundësi të zgjidhjeve alterantive vijojnë të qëndrojnë aty duke rrezikuar jetën.

Unë kam dy vajza, të dyja të martuara. Ato kanë hallet e tyre, se dhe banesat e tyre u dëmtuan nga tërmeti. Rri bashkë me bashkëshorten se nuk kam ku shkoj tjetër. Ato lekë që këta na japin si ndihmë nuk mjaftojnë për të marrë shtëpi me qira. Pas tërmetit, çmimet e banesave në Kurbin kanë shkuar si ato në Tiranë–  i tha “Faktojes” Fran Dodaj, 62 vjeç.

Pallat i shpallur i pabanueshëm n lagjen n.r në Bashkinë Kurbin, Laç

Vonesat në procesin e rindërtimit në Bashkinë Kurbin, përveç se në banesat individuale apo pallatet, vërehet edhe në godinat e shërbimit publik, siç është Spitali i Laçit.

Ky spital, që mbulon nevojat e një komuniteti prej 80 mijë banorësh, u dëmtua në atë masë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, sa u vendos të shembej.

Gjatë një takimi në Kurbin, më 14 dhjetor, kryeministri Rama, premtoi se spitali i Laçit, do të bëhej i pari dhe do të hapte dyert brenda 6 muajve të para të vitit 2020.

Më 23 nëntor, “Faktoje” gjatë një verifikimi mbi procesin e rindërtimit në Kurbin, gjeti mbetjet inerte të ndërtesës së vjetër, aty ku prej qershorit, sipas zotimit të kryeministrit, duhet të ngrihej spitali i ri.

Vendi ku ndodhej spitali i Laçit, 23 nëntor 2020

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img