.

.

BallinaFaktometerPa kategori1 vit pas miratimit të ndryshimeve në ligj, shkollat plot me pije energjike dhe me sheqer

1 vit pas miratimit të ndryshimeve në ligj, shkollat plot me pije energjike dhe me sheqer

ANXHELA RUÇI & MERXHAN DACI

Shitja dhe reklamimi i pijeve energjike dhe të gazuara me sheqer të shtuar pranë shkollave vazhdon pa asnjë kufizim, edhe pse një vit më parë hyri në fuqi ligji që i ndalon. Nisma u mor nga deputeti socialist Erion Braçe pas shqetësimit për pasojat e shumta që këto pije japin tek të miturit.

————————————————————————————————————————————————————-

Më 21 nëntor të vitit të kaluar në Fletoren e Botimeve Zyrtare u publikuan disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për mbrojtjen e të miturve nga përdorimi i alkoolit”. Krahas ndalimit të konsumimit të alkoolit për të miturit, në këtë ligj u shtuan dhe kufizimet për pijet energjike dhe pijet e gazuara me sheqer të shtuar.

Kjo nismë u ndërmor nga deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe, zëvendëskryeministër, me qëllim parandalimin e pasojave shëndetësore nga konsumi i alkoolit, pijeve energjike dhe atyre të gazuara që përmbajnë sheqer të shtuar tek të miturit.

Në fjalën e tij në Parlament pak përpara votimit për ndyshimet në ligj, ndër të tjera Braçe tha: “Kësaj rradhe pa asnjë lloj mëdyshje kemi vendosur kufizime në ligj natyralisht edhe ndëshkim për të gjithë personat madhorë që tutelojnë fëmijë, e natyrisht  që iu ofrojnë atyre pije energjike marrë nga supermarkete apo dyqane të tjera.”

Thuajse një vit pas kësaj nisme në Kuvend, “Faktoje” bëri një vëzhgim në terren për të parë nëse ky ligj ka gjetur zbatim. Në fokus të vëzhgimit qenë dyqanet të cilat ushtrojnë aktivitetin në afërsi të shkollave.

Në pothuajse të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe shkollat e mesme në kryeqytet ku bëmë vëzhgimin, nxënësit e mitur blinin pije energjike apo pije të gazuara me sheqer të shtuar në dyqanet përreth. Në këto pika shitjeje “Faktoje” konstatoi se nuk kishte asnjë lloj kufizimi për tregtimin e produkteve në fjalë.

Dyqani pranë shkollës “Emin Duraku” jo vetëm që tregton pije energjike dhe të gazuara, por ka edhe reklama të pijeve të tjera me sheqer të shtuar, të cilat me ligjin tashmë në fuqi ndalohen.

Dyqan afër shkollës “Emin Duraku”

Pushimi i gjatë, në shkollën “Vasil Shanto” i gjen nxënësit duke mbajtur rradhën në në “Fast Food-e” për të blerë ushqim që pothuajse gjithnjë e shoqërojnë me pije energjike ose të gazuar me shqeqer të shtuar.

Dyqan ngjitur shkollës “Vasil Shanto”

E njëjta situatë është edhe në shkollën e mesme “Asim Vokshi”. Nxënësit mund të konsumojnë pijet e ndaluara me ligj.

Shkolla “Asim Vokshi”, të rrethuar me të kuqe shitës ambulantë

Sipas mjekëve, pijet energjike dhe pijet e gazuara me sheqer të shtuar sjellin probleme me zemrën, stomakun, diabetin, prishjen e dhëmbëve, mund të krijojnë varësi apo të shkaktojnë dhimbje koke, ankth, dridhje trupi etj.

Deklaratën e deputetit Erion Braçe se janë vendosur kufizime në ligj dhe se do të merren masa për këdo që shet pije alkolike, pije energjike dhe pije të gazuar me sheqer të shtuar do ta klasifikojmë si PA KATEGORI.

Pavarësisht se ligji për ndalimin e konsumimit të alkoolit, pijeve energjike dhe pijeve me gaz e sheqer të shtuar për të miturit është në fuqi që prej pothuajse një viti, nga vëzhgimi ynë rezulton se ata mund t’i konsumojnë pijet e ndaluara në ambjentet e shkollës. Për këtë arsye “Faktoje” nuk mundi të vendoste një tjetër verdikt për këtë deklaratë, përveçse pa kategori.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img