Spitali Bashkiak i Laçit, që mbulon nevojat e 80 mijë banorëve është ende një kantier ndërtimi, edhe pse qeveria premtoi se objekti do ishte gati, disa muaj pas rrënimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Marsi i këtij vitit qe afati i radhës që vendosi ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu për përfundimin e projektit 2.8 milionë euro. Faktoje verifikoi në terren se rindërtimi i objektit dhe instalimet elektrike po zvarriten, ndërsa Ministria e Shëndetësisë nuk ka shpallur tenderin për blerjen e pajisjeve mjekësore.
“Në dy muaj e pak ne do të arrijmë ta konkludojmë këtë projekt. Jemi në fazën tani ku po bëhen instalimet elektrike dhe hidraulike dhe ndërkohë muratura”- deklaroi më 22 janar, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë një inspektimi në kantierin e ndërtimit të spitalit të Laçit.
Premtimi i Manastirliut vjen pas disa afateve të shkelura njeri pas tjetrit për ndërtimin e këtij spitali, pas rrënimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 të spitalit ekzistues.
Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të mësuar kur pritet të përfundojnë punimet për ndërtimin e spitalit të ri dhe kur mund të jetë gati për të ofruar shërbimin për qytetarët.
Kërkesë për informacion dërguar Ministrisë së Shëndetësisë, 18 shkurt 2022
Ministria e Shëndetësisë sqaroi se aktualisht po vijojnë punimet, të cilat po kryhen duke respektuar kushtet teknike, por nuk dha një afat se kur do të jetë funksional ky objekt.
“Punimet për ndërtimin e spitalit të Laçit janë duke u zhvilluar konform projekt-preventivit të miratuar, duke respektuar të gjitha kushtet teknike dhe janë duke u monitoruar në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përkatëse. Ndërtesa e re e spitalit të Laçit është duke u ndërtuar mbi gjurmën e ndërtesës së spitalit të vjetër dhe aktualisht punimet janë në fazën e përfundimit të kryerjes së volumeve të punimeve të ndërtimit në ambientet e brendshme të ndërtesës së korpusit spitalor dhe ndërtesës së dhomës teknike, si dhe vijohet me punimet për sistemimin e oborrit dhe parkimeve. Në përfundim të punimeve për realizimin e kësaj vepre, spitali do të plotësohet me infrastrukturën e nevojshme për ofrimin e shërbimit shëndetësor spitalor” – thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Përgjigjja e Ministrisë së Shëndetësisë për Faktoje, 3 mars 2022
Gjatë një verifikimi në terren dhe nga konsultimi me burime konfidenciale, Faktoje mësoi se Ministria e Shëndetësisë nuk ka shpallur ende tenderin për blerjen e pajisjeve mjekësore për këtë spital dhe për këtë arsye nuk dihet kur do jetë funksional për qytetarët e Laçit, të cilët presin prej vitesh përfundimin e tij.
Ne bëmë një kërkim edhe në faqen e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në projekt-buxhetin për vitin 2022, por në listën e investimeve nuk rezultonte të kishte fond të përcaktuar për blerjen e pajisjeve mjekësore për spitalin e Laçit.
Parashikimi i Investimeve Publike me Financim të Brendshëm, 2022-2024
Më 17 shkurt ne shkuam në kantierin e ndërtimit të këtij objekti, për të parë nga afër ecurinë e punimeve. Punonjës në kantier bënë të ditur se në fund të muajit mars pritet të përfundojë ndërtimi i objektit, por nuk kishin informacion se kur mund të ishte gati për të ofruar shërbim mjekësor.
Spitali i Laçit, 17 shkurt 2022
“Nga fundi i marsit pritet të jetë gati. Për sa i përket kapacitetit, janë 11 dhoma shtrimi lart, është Poliklinika, Specialitetet në krahun tjetër, këtu është Urgjenca. Ka një sallë mikro-kirurgjie. Po merremi me patinime dhe me tavanet e gipsit. Po merremi me sistemimin e jashtëm. Ka filluar shtrimi i pllakave. Nuk e dimë kur do jetë gati për pacientët”- thanë për Faktoje punonëtorët në terren.
Mjediset brenda Spitalit i Laçit, 17 shkurt 2022
Spitali i Laçit, 17 shkurt 2022
Faktoje bëri një tjetër verifikim në 10 mars, ndërsa afron afati i radhës i vendosur nga MSH për përfundimin e projektit të spitalit. Punimet kishin ecur pak, krahasuar me muajin shkurt dhe mundësitë për të përfunduar brenda marsit ishin të pakta, gjë që e konfirmojnë edhe punëtorët. Sipas tyre, së fundmi janë bërë disa ndryshime në projekt për pjesën e jashtme të objektit, çka kërkon kohë dhe para’. Punëtorët sqarojnë se po bëjnë përpjekje që ta përfundojnë sa më parë, mirëpo mungesa e fondeve sipas tyre e bën të vështirë ecurinë e punës.
“Spitali nuk ka përfunduar ende, duhen lekë. Mund të ketë përfunduar si strukturë, por janë elektriket dhe shumë gjëra që janë porositur, por pa paguar nuk i marrim dot. Kanë kërkuar një rishikim të preventivit që ka ndryshime, sepse u bë ndryshimi i sistemimit të jashtëm. Duhet të prishen objektet e jashtme, u bë muri betonit më tutje. Ne realisht nuk kemi lekë tani, ka mbaruar leku, pavarësisht se po bëjmë përpjekje që të punojmë”- tregojnë punëtorët për Faktoje.
Spitali i Laçit, 10 mars 2022
Spitali i Laçit, 10 mars 2022
Në kantier, mungon tabela me detajet e projektit, një detyrim ligjor ky i cili ka rezultuar se është shkelur për shumë objekte që janë në programin e rindërtimit.
Spitali i Laçit, 10 mars 2022
Premtimet për spitalin e Laçit u shkelën të paktën 4 herë
Faktoje ka raportuar herë pas here mbi ecurinë e punimeve në spitalin e Laçit, nisur nga premtimet e bëra nga zyrtarët publikë.
Më 14 dhjetor 2019, gjatë një takimi në Kurbin kryeministri Rama, premtoi se spitali i Laçit, do të bëhej i pari dhe do të hapte dyert brenda 6 muajve të parë të vitit 2020.
Më 28 shkurt 2020, kreu i qeverisë, i pranishëm në takimin ku u prezantuan modelet e reja të rindërtimit, u ndal edhe tek spitali i Laçit.
“Jemi shumë pranë fillimit. Spitali i Laçit do të nisë nga puna në qershor, maksimumi, sepse janë procedura që duhen ndjekur” – tha kryeministri Rama, i cili këtë afat e kishte dhënë për përfundimin e rindërtimit të objektit.
Më 7 mars 2020, kryeministri, bëri një tjetër njoftim përmes profilit të tij në rrjetet sociale.
“Gati edhe projekti i Spitalit të ri të Laçit, që do të ngrihet në vend të spitalit të vjetër pas goditjes fatale të tërmetit” –shkruante ai në postimin në Facebook.
Në 20 shtator 2021, Faktoje raportoi se si spitali i Laçit ishte kthyer në shembullin tipik se si zvarriten afatet dhe premtimet e qeverisë për rindërtimin e objekteve me rëndësi jetike për qytetarët. Faktoje verifikoi dështimin e afatit të radhës, që ishte raportuar nga Ministria e Shëndetësisë, për përfundimin në shtator të këtij objekti.
Aktualisht qytetarët e Laçit po marrin shërbim në qendrën “Fara Mirësie”, e cila shërben si urgjencë për një komunitet prej 80 mijë banorësh. Faktoje shkoi në këtë qendër më 17 nëntor 2021, ku konstatuam kushtet e vështira në të cilat punon mjekët dhe infermierët. Përpos kësaj, “Urgjenca” nuk ka as pajisjet dhe as hapësirën e duhur për të ofruar shërbim bazë mjekësor për pacientët.
Urgjenca e Laçit, 17 nëntor 2021
Projekti për spitalin e Laçit, sipas ministrisë së Shëndetësisë kap vlerën 2.8 milionë eurove, ndërsa objekti shtrihet në një sipërfaqe prej më shumë se 2500 metra katrorë. Megjithatë asnjë institucion nuk jep sqarime se cila është kostoja shtesë nga zvarritja e punimeve dhe kur do të jetë funksional ky spital.