Dy media ndërkombëtare, Fox News dhe Politico, kanë hedhur vështrimin mbi arenën politike shqiptare në prag të zgjedhjeve parlamentare, duke e interpretuar përplasjen Rama-Berisha si reflektim të tensioneve gjeopolitike që tejkalojnë kufijtë kombëtarë. Fox News paraqet përballjen si një luftë me tone ideologjike mes ish-Presidentit amerikan Donald Trump dhe filantropit George Soros, ndërsa Politico e sheh situatën si një pasqyrim të fërkimeve strategjike mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, me ndikim të mundshëm në rrugën europiane të Shqipërisë.
Por ekspertët, të intervistuar nga Faktoje, e konsiderojnë këtë krahasim të nxitur më shumë nga taktikat elektorale sesa nga realitetet politike, dhe vlerësojnë se ai nuk përbën kërcënim real për integrimin europian të vendit.
Një Përballje “Trump vs Soros” në versionin shqiptar?
Fox News njihet për një linjë editoriale konservatore, duke mbështetur shpesh politikanë dhe politika të Partisë Republikane. Kjo media ka qenë veçanërisht mbështetëse ndaj Donald Trump gjatë presidencës së tij dhe kritike ndaj Partisë Demokratike dhe mediave liberale.
Në analizën e Fox News për zgjedhjet në Shqipëri, autorja Beth Bailey sugjeron se gara politike në Shqipëri është kthyer në një përfaqësim indirekt të përplasjes mes Donald Trump dhe George Soros. Ajo thekson praninë e Chris LaCivitas, strategut të fushatës së Trump, në ekipin e Sali Berishës, ndërsa rikujton lidhjet e njohura mes kryeministrit Edi Rama dhe familjes Soros.

LaCivitas e përforcoi këtë narrativë, duke deklaruar për Fox News se Berisha është “një mik i vërtetë i Shteteve të Bashkuara dhe… do të bashkëpunonte me sukses me Presidentin Trump dhe Shtetet e Bashkuara”, duke e cilësuar Ramën si “kukull të George Soros”.
Marrëdhënia e Ramës me Soros është e dokumentuar dhe publike. Kryeministri e ka theksuar shpesh afërsinë e tij me George Soros dhe veçanërisht me të birin, Alex Soros, me të cilin është fotografuar në mënyrë të përsëritur gjatë viteve të fundit.
Megjithatë, për analistët politikë shqiptarë, ky paralelizëm është artificial. Sipas Adrian Shtunit, ekspert i politikës ndërkombëtare dhe botues, qëllimi i Berishës për t’u pozicionuar në të njëjtën linjë me Trump është i qartë dhe i qëllimshëm: “Ai huazon slogane dhe mesazhe politike pothuajse identike,” thotë Shtuni, duke nënvizuar tri arsye kyçe pas kësaj strategjie.
Së pari, sipas tij, është dëshira për të replikuar në Shqipëri fitoren e Trump në SHBA: “Nëse ka funksionuar për republikanët në SHBA, duhet të funksionojë edhe në Shqipëri për të djathtën.” Në fakt, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 në SHBA, Trump arriti të mposhtë Kamala Harris me mbi 2 milionë vota diferencë.

Edhe pse në Shqipëri sondazhet nuk pasqyrojnë të njëjtën prirje, të dhënat nga Barometri i Euronews Albania tregojnë se Berisha ka shënuar rritje të pëlqyeshmërisë së figurës së tij nga janari në prill.

Së dyti, sipas Shtunit, është përpjekja për të paraqitur konfliktin lokal si pjesë të një përplasjeje ideologjike më të gjerë midis së djathtës anti-globaliste dhe së majtës globaliste.

“Qëllimi është për ta projektuar përballjen Rama-Berisha si pjesë e përplasjes ideologjike mes të djathtës së fortë antiglobaliste apo Trumpizmit në një anë, dhe të majtës globaliste në SHBA dhe Evropë që shpesh përfaqësohet nga Soros” – Adrian Shtuni, studiues.
Kjo, sipas tij, çon edhe një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj elektoratit: “partneri jonë ideologjik fitoi në SHBA; ne jemi me fituesin; votoni ata që janë me fituesin”, shpjegon Shtuni.
Së treti, dhe më personalja: “Kjo është një përpjekje e Berishës për të sinjalizuar afërsi ideologjike me Trump dhe për të kërkuar rishikimin e shpalljes non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit,” sipas Shtunit.
“Në fund të fundit imitimi është forma më e lartë e komplimentit dhe mendoj se z.Berisha dhe poli i tij politik po mundohen të pozicionohen strategjikisht sa më sipër, duke shfrytëzuar edhe këshillat, përvojën dhe lidhjet që ofron z.LaCivitas”, argumenton ai.
Edhe Ledion Krisafi, njohës i politikës ndërkombëtare, bie dakord me këtë vlerësim, duke vënë në dukje se Berisha në të kaluarën ka pasur lidhje me rrjetin e Soros dhe se distancimi i tij i tanishëm është strategjik: “Berisha është bërë anti-sorosian i kohëve të fundit vetëm me qëllim për t’i bërë përshtypje Trumpit që t’i heqë non gratën,” thekson Krisafi.
Për Krisafin, huazimi i ideve të Trump-it nga Berisha është thjesht një kalkulim personal: “Shumica e këtyre ideve nuk kanë asnjë lidhje me realitetin politik dhe social në Shqipëri. Është vetëm për të bërë përshtypje” Megjithatë, ai e konsideron fakt pozitiv për Berishën që një media si Fox News i ka dhënë vëmendje këtij krahasimi.
“Gjithsesi, nuk mendoj se kjo do të ndikojë realisht në zgjedhjet shqiptare. Kjo është një betejë personale e Berishës për të hequr non-gratën dhe nuk ndryshon faktin që shumica e shqiptarëve nuk e shohin atë si kryeministër të ardhshëm.” – Ledion Krisafi, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Politico dhe tensionet BE–SHBA: Një Shqipëri në mes
Politico në anën tjetër një burim profesional dhe relativisht i balancuar, shpesh mund të përceptohet si më afër qëndrimeve liberale apo të qendrës së majtë në spektrin politik amerikan Artikulli i Politico ofron një tjetër interpretim të dinamikës elektorale në Shqipëri. Gara mes Ramës dhe Berishës shihet si pasqyrë e mundshme mes tensioneve mes BE-së dhe SHBA-së në kuadër të “luftës tregtare” transatlantike, duke sugjeruar se rreshtimi i Shqipërisë me politikat ekonomike të Brukselit mund të sjellë sfida në marrëdhëniet me Uashingtonin.

Geron Kamberi, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare shpjegon se edhe pse “krisja” e marrëdhënieve mes SHBA dhe BE është aty, ajo nuk sjell ndonjë pasojë për Shqipërinë pasi kjo e fundit nuk ka rol në rikonfigurimin e ri të marrëdhënieve transatlantike.
“Nëse këto dallime do të thellohen në të ardhmen e që mund të shkojnë vecanërisht drejt asaj që mund të quhet një ‘Nato europiane’, atëherë Shqipëria si vend kandidat apo vend anëtar i mundshëm i BE do të duhet të bëjë përllogaritjet e saj të interesit strategjik e diplomatik” – Geron Kamberi, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Sipas Adrian Shtunit situata nuk përbën një kërcënim real: “Unë nuk parashoh që përplasja mbi tarifat mes BE-së dhe SHBA-së do të ketë ndikim negativ në marrëdhëniet SHBA–Shqipëri. Edhe vetë vendet e BE-së nuk kanë një qëndrim të unifikuar mbi këtë çështje, prandaj nuk mendoj se do të kërkonin me ngulm një pozicion të caktuar nga Shqipëria”
Sipas tij, palët do të arrijnë një marrëveshje pragmatiste që do të rikthejë ekuilibrin tregtar. Këtë pikëpamje e ndan edhe Krisafi: “Lufta tregtare nuk do zgjasë shumë. Efektet e saj tashmë janë të dukshme në bursa dhe tregti. SHBA nuk po përfiton realisht, ndaj mendoj se një marrëveshje do të arrihet shpejt, pa e vendosur Shqipërinë në pozitën e zgjedhjes mes dy aleatëve”
Një tjetër garant, sipas Geron Kamberit, është edhe “objektivi strategjik i Shqipërisë për anëtarësim në BE, që ka qenë i palëkundur në të gjitha partitë politike në vend ndërkohë që dy partitë kryesore (PS dhe PD) shpesh i kanë shndërruar fushatat elektorale në “pista të Formula Uno” se kush kishte “makinën më të shpejtë të premtimeve” për ta anëtarësuar Shqipërinë me BE.