Zaptimi i hapësirave publike është kthyer në një shqetësim serioz për qytetarët e Shkodrës. Faktoje bisedoi me banorë të zonës së Rusit në qytetin verior, të cilën shprehen të revoltuar nga kjo situatë dhe kërkojnë një zgjidhje nga Bashkia e Shkodrës.
Gjustina Koçeku
Në tetor të vitit 2018, Bashkia e Shkodrës njoftonte për nisjen e aksionit për lirimin e hapësirave publike në disa zona të qytetit verior.
“Aksioni i sotëm u përqendrua në hapësirat në Unazën Lindore, Unazën Perëndimore, në rrugën Dobraç- Rus si dhe në qendër të qytetit të Shkodrës, duke filluar me Pedonalen”, theksohej në njoftimin e shpërndarë për mediat.
Por, si është aktualisht situata në kryeqendrën e Veriut për sa i përket kësaj çështje?
Faktoje bëri një verifikim në zonën e Rusit, ku bisedoi me qytetarë, të cilët duhet të kalojnë çdo ditë aty. Ata u shprehën se situata në këtë zonë është mjaft shqetësuese, pasi trotuaret janë të zëna dhe është mjaft e vështirë që të kalojnë lirisht.
“Halle kanë dhe këta që kanë zënë rrugën, por jo deri në këtë pikë. Unë mezi kaloj me biçikletë, pasi nuk ec në rrugën e makinave, sepse kam frikë, pasi jam burrë në moshë”, shprehet një 63-vjeçar.
Zona e Rusit në Shkodër
Një vajzë rreth 19 vjeçe thotë e shqetësuar se e ka pothuajse të pamundur të kalojë në trotuar aty, pasi i duhet të përplaset me njerëzit që janë ulur për të pirë kafe.
“Është bërë keq fare, s’ke ku vendos këmbën, s’ke ku kalon, të ndesh trupi me njerëzit që janë ulur për të pirë kafe. Ndeshesh me sende që kanë vendosur në shitje e pastaj të shikojnë me sy se mos more gjë”, tregon 19-vjeçarja.
Zona e Rusit në Shkodër
Të njëjtin shqetësim ndan edhe një 20-vjeçare: “Për zotin pak problem është, sepse është bërë shumë ngushtë rruga, nuk ke nga të kalosh. Është zona më e frekuentuar, këtu kalojnë shumë qytetarë dhe janë edhe furgonët që bëjnë transportin”.
“Kjo veç rrugë nuk quhet, është bërë për të mbyllur sytë”, shprehet e revoltuar një 35-vjeçare.
Edhe në zonën e Kinemasë dhe Teatrit ‘Migjeni’, qytetarët shprehin shqetësimin për zënien e hapësirave publike.
“Tavolina, karrige në mes të trotuarit. Nuk kalojmë dot të qetë me fëmijët me karroca. Nuk është normale”, tregon 37-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve.
Zënia e hapësirave publike, Shkodër
Në disa raste, trotuaret përdoren edhe si vende për të shitur frutat dhe perimet dhe qytetarët janë të detyruar që të kalojnë në mes të rrugës.
Zënia e hapësirave publike, Shkodër
Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion edhe Bashkisë së Shkodrës në lidhje me këtë çështje, por nuk kemi marrë përgjigje.
Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Shkodër
Në muajin prill të këtij viti, Bashkia e Shkodrës ndërmori një aksion për lirimin e hapësirave publike në pedonalen e qytetit.
Drejtori i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Shkodër, Gentian Ibro deklaroi se janë 17 subjekte që janë përfshirë në lirimin e hapësirave publike në pedonalen “Kolë Idromeno”.
*Shkrimi është prodhuar nga të rinjtë pjesëmarrës të projektit “Youth RAP” që Faktoje po zbaton së bashku me organizatën IREX.