Pretendimi: Presidenti ukrainas Zelensky bleu bankën më të madhe private të investimeve në Francë, Milleis Banque, përmes kompanive offshore të lidhura me të, për më shumë se një miliard euro.
Verdikti: E paprovuar
———————————————————-
Në rrjete sociale po qarkullon lajmi se presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka blerë bankën më të madhe private të investimeve në Francë, Milleis Banque, për mbi një miliard euro, përmes kompanish offshore.
Postimi i mësipërm citon gazetën ruse Pravda, e cila pretendon se Milleis, një bankë private franceze, ishte blerë për 1.1 miliardë euro nga Maltex Multicapital Corp, një kompani offshore e lidhur me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, e zbuluar në aferën Pandora Papers në 2021.
Megjithatë, këto pretendime janë të pabaza: Maltex Multicapital nuk e ka blerë Milleis, e cila ende i përket fondit të investimeve Anacap Financial Partners, pronar i ndërmarrjes që nga blerja e saj në 2017.
Kontaktuar nga Les Observateurs, grupi Milleis mohoi zyrtarisht këto pretendime: “Ne konfirmojmë se informacioni në këtë të ashtuquajtur raport është i rremë dhe se Milleis Banque Privée është mbajtur nga aksioneri i saj Anacap që nga viti 2017,” tha CEO i saj, Nicolas Hubert. Ky informacion u konfirmua edhe nga shefi i marrëdhënieve me shtypin në AnaCap, i kontaktuar nga redaksia e Les Observateurs.
Më tej, nëse Milleis do të ishte blerë në të vërtetë nga një kompani si Maltex Multicapital Corp në fillim të shkurtit 2025, ky transaksion do të ishte regjistruar në Buletinin Zyrtar të Njoftimeve Civile dhe Tregtare (BODACC), i cili liston aktet e regjistruara në regjistrin tregtar dhe të kompanive, si shitjet dhe transfertat. Ai mund të ishte shfaqur gjithashtu në Buletinin e Njoftimeve Ligjore të Detyrueshme (BALO), i cili liston “informacionet në lidhje me kompanitë që bëjnë thirrje publike për kursime, si dhe për institucionet bankare dhe financiare”. Megjithatë, në këto databaza, nuk shfaqet asnjë gjurmë e blerjes së Milleis Banque Privée nga ndonjë kompani tjetër.
Faktoje ka përgënjeshtruar edhe më parë lajme të rreme lidhur me pasuritë dhe blerjet e pretenduara të presidentit ukrainas.