MARJO BRAKAJ & JOEL ÇELA
Zaroshka, zona turistike në Bashkinë Pustec, vuajti mungesën thuajse totale të pushuesve. Mungesa e infrastrukturës, ujit të pijshëm, promovimit, pikave të informacionit, të ndërthurura me kushtet e diktuara nga “Covid-19”, prodhuan një situatë të përkeqësuar gjatë këtij sezoni turistik për banorët e këtij fshati që përkasin pakicave të Maqedonisë së Veriut.
Zoti ka qenë shumë bujar me ju. Ju ka dhënë një copë natyrë të qëndisur… Ne kemi dhe Zaroshkën që e kemi përfshirë në “100 Fshatrat” dhe kemi besim se duke krijuar disa mundësi për të rritur intersimin e turistëve dhe duke mbështur njerëzit këtu për të kthyer sytë nga agroturizmi, do mund të bëjmë një kthesë për ekonominë e zonës – u shpreh kryeministri Edi Rama më 16 qershor 2019, në Pustec, gjatë prezantimit të kandidatit të Partisë Socialiste për kryetar Bashkie, Pali Kolevski.

Kryesisht turizmi te ne përbëhet nga pushues nga Maqedonia e Veriut apo Greqia, që këtë vit munguan. Kemi pasur edhe turistë të cilët vijnë e qëndrojnë rreth dy javë, por që për shkak të masave të rrepta në kufij si pasojë e koronavirusit, nuk erdhën sivjet. E kemi hapur hotelin dhe restorantin, por nuk bëhet fjalë për fitim – i tha “Faktojes” bashkëpronarja e një prej hoteleve në Zaroshkë, fshati me rreth 400 banorë që shtrihet në brigjet e liqenit të Prespës.

Mungesa e ujit të pijshëm penalizon bizneset e zonës!
E gjithë zona vuan për ujë të pijshëm. Ne e kemi siguruar me pus, e nga aty furnizojmë hotelin dhe restorantin – shtoi zonja që qëndronte në hollin e hotelit.

Ndonëse hoteli dhe restoranti punonte në kushtet e mbijetesës, të tjera biznese në zonë e kishin pezulluar aktivitetin.
Kur Zaroshka u përfshi te “100 fshatrat”, menduam se do kishte investime. Kursimet e mia dhe të djemve që kishim punuar në Maqedoninë e Veriut i investuam për të ndërtuar një hotel dhe restorantin. Ndërtesa ka përfunduar tërësisht, por duke parë situatën e sivjetshme, nuk e hapëm fare – u shpreh pronari i një hoteli në Zaroshkë.

Në Zaroshkë gjeje edhe hotele apo restorante të tjera që kishin mbyllur aktivitetin si pasojë e mungesës së turistëve.

Mungesa e një pike informimi për turistët ishte një tjetër problem që sjellin në vëmendje pronarët e bizneseve në Zaroshkë. Edhe pse në fakt ekziston një ndërtesë e cila do shërbente si pikë infomimi dhe orientimi për turistët, ajo nuk ishte funksionale.

Fshati Zaroshkë, pjesë e bashkisë Pustec, me rreth 400 banorë që shtrihet buzë liqenit të Prespës banorët kanë si mënyrë jetese turizmin sezonal dhe peshkimin.