Në 2015-n kandidati për kryetar bashkie në atë kohë Erjon Veliaj premtoi ndërtimin e një kopshti dhe shkolle publike në zonën e KMY, Yzberisht, sot njësi administrative që numëron të paktën 70 mijë banorë. 8 vite pas premtimit, shkolla 9 vjeçare jo vetëm s’është ndërtuar, por ka devijuar gjurma ku ishte planifikuar të ngrihej. Kjo në shkelje të rregullave të planit urbanisitik sipas të cilit, lagjja duhet të ketë shkollën 9 vjeçare jo më larg se 500 metra nga banesa dhe atë të mesme jo më larg se 1000 metra. Disa prindër tregojnë për Faktoje koston financiare dhe psikologjike që sjell mungesa e institucioneve arsimore në një nga lagje me denddësinë më të madhe të popullsisë në kryeqytet.
- Albina Hoxhaj
Irena ka ardhur nga Vlora për të ndërtuar jetën në Tiranë gati 23 vite më parë, ndërsa prej 14 vitesh jeton në Yzberisht pranw zonws sw njohur si KMY, një nga lagjet e Tiranës me dendësi të madhe popullësie që rritet në mënyrë të pandalshme. Irena dhe Ilir Bleta janë prindër të dy fëmijëve, një djalë në klasën e 7 dhe një vajzë në klasën e dytë fillore. Nëse Yzbershti do të kishte shkollë të ndërtuar ata do të kursenin të paktën 10 mijw lekë në muaj, vetëm për transportin që detyrohen të paguajnë, pasi aq kushton furgoni për t’i çuar dhe marrë nga shkolla publike “Sabaudin Gabrani”, thuajse 4 kilometra larg banesës.
Ndërsa Arditi ka një vajzë që është në klasën e dytë. E shoqëron çdo mëngjes derisa hipën në furgonin e shkollës private. Ai tregon se është detyruar të marrë një vendim të tillë pasi ka shqyrtuar mundësitë që kishte.
Nëse e dërgoja në shkollë publike, transporti ishte përveçse kosto, problem më vete, pasi janë nxënës të klasave të ndryshme në të dhe nuk ka mësues që i shoqëron. Kur mbaron mësimin duhet të kthehet vetë në furgon dhe të shkojë në ‘after school’ pasi asnjëri nga prindërit nuk mund të përfundojë punën në atë orë. Kosotot janë të mëdha dhe lëvizjet e vajzës nuk i kontrollonim dot. Kështu u detyruam të zgjidhnim shkollë private me transport. Në klasën e parë, kosto mujore ishte 220 euro, ndërsa këtë vit kosto ka shkuar 320 euro/muaj. Sigurisht që janë shumë para, por nuk kishim zgjidhje tjetër”, thotë Arditi. Për të përballuar jetën që sa vjen e shtrenjtohet, ai është i detyruar të bëjë dy punë dhe bashkë me të shoqen kanë 150 mijë lekë të ardhura, nga të cilat 2/3 shkojnë vetëm për shkollimin e vajzës dhe kredinë e shtëpisë dhe 50 mijë lekë mbeten për të gjitha faturat mujore dhe ushqimet. “Gjithçka është shtrenjtuar, por mungesa e shkollës ka ndikuar shumë në buxhetin tonë familjar, një rrogë shkon vetëm për arsimimin e vajzës në këtë moshë, më vonë me këtë ritëm nuk e di se sa mund të jetë fatura”, përfundon ai.
Shqetësimin për mungesën e institucioneve arsimore publike e kanë shumë prindër në Yzberisht, i cili sot numëron të paktën 70 mijë banorë. Po t’i hedhësh një sy Rregullores së Planifikimit të Territorit, standardi e kërkon që zona e banuar duhet të ketë shkollën 9 vjeçare, jo më larg se 500 metra dhe atë të mesme, jo më larg se 1000 metra.
Këtë e ka patur parasysh edhe kandidati për kryetar bashkie në fushatën për zgjedhjet vendore në 2015, Erjon Veliaj i cili premtoi ndër të tjera ndërtimin e një kopshti dhe shkolle 9-vjeçare në Yzberisht:
“Ne angazhohemi të ndërtojmë një kopësht dhe një shkollë 9-vjeçare të re në zonën e Unazës së Re në Yzberisht pranë KMY, sepse aty është nevoja më e madhe për të pasur lehtësimin e shkollave të kombinatit nga dy turnet që kemi sot”- tha ai gjatë takimit me zgjedhësit në zonën numër 6 në Kombinat në 25 maj 2015. (kliko këtu për videon e premtimit)
Nisur nga interesi i lartë publik në lidhje më këtë premtim, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion bashkisë Tiranë në datën 31 janar 2023 për të pyetur në lidhje me dy veprat e premtuara 8 vite më parë, por për një muaj e gjysmë, institucioni nuk ktheu përgjigje.
Yzberishti me vendim nr 33 datë 29 mars 2018 të këshillit bashkiak të Tiranës është shpallur njësi administrative, e njohur si lagjja 14 dhe llogaritet të ketë të paktën 70 mijë banorë.
Në këtë zonë jetojnë kryesisht të ardhur nga qytetet e tjera dhe çiftet e reja përgjithsisht kanë blerë shtëpi me kredi në këtë zonë, për shkak të kostos më të ulët se në zonat më pranë qendrës së Tiranës. Të ardhurat e tyre janë të pakta, pasi pjesa më e madhe jetojnë me paga minimale deri në mesatare, ndaj u duhet të sakrifikojnë edhe më shumë për të arsimuar fëmijët.
Nga një kërkim online gjetëm raportin studim fizibiliteti të bashkisë Tiranë, të publikuar në nëntor të vitit 2016 për infrastrukturën arsimore. Edhe në këtë studim theksohet se pavarësisht dendësisë së popullsisë, sidomos në zonën e Unazës së Re dhe Yzberisht, infrastruktura arsimore mungon.
Në planin e vitit 2016 shkruhet se në Yzberisht do të ndërtohen dy institucione arsimore.
Harta e mëposhtme pjesë e studimit të fizibilitetit përcakton vendin ku do të ndërtohej shkolla pranë KMY në Yzberisht.
Ne shkuam në zonën e planifikuar për ndërtimin e shkollës, por në terren gjetëm vetëm një fushë, pranë se cilës ngrihej një pallat shumëkatësh.
Pak ditë para publikimit të këtij artikulli dhe pas procesit ankimues te Komisioneri për të Drejtën e Informimit, Bashkia Tiranë konfirmoi se ndërtimi i shkollës dhe kopshtit është ende në fazë prokurimi, por gjurma ku do ndërtohej shkolla është ndryshuar.
Në Yzberisht takuam edhe Aldën, nënë e një vajze 3 vjeç e cila thotë: “E dërgoj në privat, sepse jemi në punë dhe nuk kemi mundësi tjetër, paguaj 180 mijë lekë në muaj vetëm për këtë”.
Elona ka tre fëmijë, 2 në shkollën 9-vjeçare dhe një të vogël që e mban në shtëpi. “Janë në klasën e 3 dhe të 9 në një shkollë private, i kam lënë pa ushqim dhe pa studim. Kujdesem për ta, por jam detyruar të shkëputem nga puna”, thotë ajo.
Për ish këshilltarin bashkiak Akil Kraja kjo prablematikë është e shumfishtë, sociale, financiare, politike dhe njerëzore.
“Ndërtimi i 17 shkollave do të bëhej me koncension PPP me një kosto 60 milionë euro dhe do të paguanim një normë interesi 6.5%. Gjatë kësaj periudhe është mbledhur taksa e arsimit, qytetarët kanë paguar, por çfarë është bërë me këto para dhe sa janë mbledhur deri më tani? Arsimi 9-vjeçar është i detyrueshëm në Republikën e Shqipërisë dhe shkolla 9-vjeçare konkretisht e Yzberishtit duhej të ishte bërë me vetfinancim”, thotë Kraja për Faktoje.
Sociologia Entela Binjaku e sheh me pasoja afatgjta mungesën e institucioneve arsimore publike në zonat e populluar siç është Yberishti.
“E drejta për arsim është ndër të drejtat kryesore të njeriut. Kur të rriturit pajtohen me këtë situatë, nuk bëjnë gjë të tjetër përveçse e ruajnë gjendjen siç është dhe u përcjellin fëmijëve atë që ata vetë tashmë prindër, kanë pranuar dhe jetuar: mungesën e elementëve bazë për një jetesë të denjë: rrugë, ujë, shërbime, respekt për të drejtat etj. Mjaft të shohësh një ditë nga jeta e një familjeje që ka një ose më shumë fëmijë në një situatë të tillë: zgjimi herët, dalja nga shtëpia më herët, pritje e automjetit, kohë në rrugë e shpenzuar, përballje me trafikun si në rastin e kryeqytetit, mbërritja vonë në orën e parë të mësimit.”
Edhe zgjimi herët i fëmijëve ka pasoja. “Kjo nënkupton: në mjaft raste më pak orë gjumë të nevojshme për vetë shëndëtin e fëmijës, nisje e programit ditor më herët se bashkëmoshatarët e tyre, rritje me ndjesinë e pritjes prej të tjerëve dhe jo të pavarësimit: shumë herë prindërit e tyre tregojnë me krenari se ata :janë rritur me çelësin e shtëpisë varur në qafë”, përfundon ajo.
Përveç kostos në buxhetin e secilës familjeje që duhet të arsimojë fëmijët, sociologia Marsi Simo rendit problemet që sjell mungesa e shkollës. “Shkollat nuk janë vetëm insitucione ku zhvilohet mësimi, por edhe hapësira kreative, sportive dhe sociale, ndaj nëse ato mungojnë në një zonë të caktuar, nuk mund të presim zhvillime pozitive. Pasiviteti që tregohet për këtë zonë, krijon një etiketim jo fort pozitv në tërësi për komunitetin”, thotë sociologia. Nga ana tjetër ajo përmend edhe mbingarkesën në klasa në shkollat që ndodhen më afër kësaj zone duke cënuar cilësinë e mësimdhënies. Sipas saj, ndër shkollat publike në zonat më të afërta me Yzberishtin preferohet shkolla “Sabaudin Gabrani” apo “Ahmet Gashi” në Laprakë.
*Ky artikull publikohet në kuadër të thirrjes për 10 shkrime me profil fact checking, pjesë e projektit “Forcimi i Gazetarisë Fact Checking në Shqipëri” që po zbatohet nga organizata Faktoje, mbështetur nga Ambasada Hollandeze. Këto artikuj janë pjesë e konkursit kombëtar, për çmimin “Fatos Baxhaku”.