BallinaAktualitetVonesa në bursat dhe ndihmën ekonomike në Mjekësi, studentët pa pagesa për muaj me radhë

Vonesa në bursat dhe ndihmën ekonomike në Mjekësi, studentët pa pagesa për muaj me radhë

Nga Jona Cenameri

“Nuk i kemi marrë bursat që nga tetori. As nuk na kanë dhënë ndonjë informacion” Në muajin që lamë pas, ky ishte shqetësimi i shumë studentëve në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, duke sinjalizuar vonesa në shpërndarjen e bursave dhe ndihmës ekonomike për vitin akademik 2025-2026. 

Nga verifikimet në terren dhe dëshmitë e mbledhura rezulton se për muaj me radhë studentët përfitues nuk i kanë marrë pagesat që u takojnë.

“Prit e prit deri në janar dhe asgjë. Tani po mbyllej marsi dhe akoma nuk kishim marrë asnjë pagesë,” shprehet për “Faktoje” një studente e Fakultetit të Mjekësisë.

Vendimi

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 903, datë 21.12.2016, të përditësuar në vitin 2019, bursat financiare u akordohen studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë që kanë rezultate të larta akademike (mesatare nga nota 9 deri në 10), ndjekin programe prioritare ose i përkasin shtresave sociale në nevojë. 

Vendimi përcakton se bursa paguhet çdo muaj në llogarinë bankare të studentit përfitues, në masën 10,000 lekë në muaj, dhe nis nga momenti i regjistrimit në fillim të vitit akademik ose nga muaji pasardhës i plotësimit të kritereve. 

Fondet transferohen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit te universitetet, të cilat kryejnë shpërndarjen pas verifikimit të dokumentacionit përkatës.

Megjithatë, ky parashikim bie në kontrast me dëshmitë e studentëve, të cilët raportojnë mospagesa për disa muaj me radhë.

Një studente e vitit të tretë në Farmaci thotë se vonesat në shpërndarjen e bursave njihen si praktikë, por këtë vit kanë qenë më të zgjatura. “Zakonisht shpërndarja fillon në janar dhe shuma e disa muajve jepet bashkë, deri sa në fund të vitit plotësohet e gjithë pagesa,” tregon ajo.

Problematika

Ndërkohë, një studente në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike, përfituese e ndihmës ekonomike, thotë se nuk kishte marrë asnjë pagesë për disa muaj. “Jam me ndihmë ekonomike dhe akoma nuk kam marrë asgjë për vitin shkollor,” shprehet ajo dhe shton se, “Ne që jemi me ndihmë ekonomike normal që s’ja dalim dot me aq sa marrim, për të folur realisht”

Studentë të tjerë thonë se situata këtë vit ka tejkaluar pritshmëritë e zakonshme. “Ne jemi ankuar, por nëse nuk vijnë deri në fund të muajit Mars, duhet të reagojmë. Kanë kaluar çdo limit këtë vit,” thotë një studente e vitit të parë në degën e Mjekësisë së Përgjithshme.

Vetëm nga java e parë e prillit, pas disa muajsh vonesash, disa studentë konfirmojnë se kanë marrë një pjesë të pagesave të prapambetura. 

Një studente e vitit të parë thotë se më 7 prill 2026 i është kaluar një shumë prej 60,000 lekësh të reja, që përkon me pagesat e 6 muajve të mbartur së bashku. 

Ndërkohë, edhe ndihma ekonomike raportohet se ka nisur të shpërndahet pjesërisht gjatë kësaj periudhe, ku një studente përfituese tregon se ka marrë 48,000 lekë.

“Se di si duhet të funksionojë, por vitin e kaluar e kam marrë ndihmën ekonomike në dy muaj, jo çdo muaj nga 100 mijë lekë të vjetra,” shton ajo.

Përveç vonesave në pagesa, studentë të diplomuar në vitin 2025 raportojnë edhe vonesa në pajisjen me diploma, pa marrë sqarime të detajuara mbi arsyet procedurale apo administrative.

Mungesa e përgjigjes

Për të sqaruar situatën, Faktoje i është drejtuar Universitetit të Mjekësisë në Tiranë me një kërkesë për informacion lidhur me vonesat në shpërndarjen e bursave dhe ndihmës ekonomike, fondet  dhe procedurat përkatëse. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, universiteti nuk ka kthyer përgjigje.

Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert” në Tiranë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img