BallinaPertejVaksinimi i detyruar i arsimtarëve, ultimatum apo vendimmarrje institucionale?

Vaksinimi i detyruar i arsimtarëve, ultimatum apo vendimmarrje institucionale?

Ilda Hoxha & Aurora Shpataj

Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor Ministrja e Shëndetësisë dhe kryeministri kanë deklaruar se mësuesit, pedagogët dhe studentët nuk do lejohen të hyjnë në mjediset mësimore pa u vaksinuar ndaj Covid-19. Nga kërkimet në faqet zyrtare të kryeministrisë, Minitrisë së Arsimit apo të Shëndetësisë nuk rezulton të ketë ndonjë urdhër për detyrimin e vaksinimit. Ndryshe ndodh në Itali, ku bazuar në një urdhër zyrtar që detyron vaksinimin e stafit mësimor apo studentëve, qeveria ka krijuar edhe aplikacionin që do të bëjë të mundur verifikimin në kohë reale.


“Për pedagogët dhe mësuesit kemi vendosur edhe afatin që është 30 shtatori, në mënyrë që ta kryejmë këtë proces.” – deklaroi ministrja e Shëndetësisë Manastirliu më 7 shtator.

Të nesërmen më 8 shtator, kryeministri Rama dha këtë ultimatum:

“Studentët që nuk vaksinohen, nuk do të hyjnë në auditore. E njëjta gjë vlen për mësuesit. E njëjta gjë vlen për administratën”

Thuajse dy javë para këtyre deklaratave, në datë 19 gusht Faktoje kishte dërguar një kërkesë zyrtare për informacion ku ndër të tjera pyeste se sa mësues të arsimit paraunversitar janë vaksinuar.

Kërkesa dërguar Ministrisë së Shëndetësisë

Deri në publikimin e këtij shkrimi nuk kemi marrë përgjigje, edhe pse e kemi  ankimuar moskthimin e përgjigjes te komisioneri për të drejtën e informimit.

Referuar deklaratës së Ministres së Shëndetësië në 7 shtator, janë më shumë se 60% e mësuesve që janë vaksinuar me të dyja dozat, por ende është e paqartë se në çfarë mase janë vaksinuar pedagogët.

Ndërkohë, Faktoje bisedoi me dy mësuese të gjimnazit “Andon Zako Çajupi” në kryeqytet, në lidhje me urdhërin për vaksinim e detyruar për personelin arsimor.

“Unë nuk jam vaksinuar kundër Covid-19. E kam kaluar virusin, por ndërkohë trajtohem me terapi hormonale në spitalin onkologjik. Kam arsye shëndetësore që të mos vaksinohem. Unë mendoj që gjërat të bëhen me thirrje dhe jo me detyrim, pasi mund të ketë edhe persona të tjerë si rasti im që nuk mund të detyrohen të vaksinohen, pasi askush nuk mban përgjegjësi nëse unë pësoj ndonjë problem pas vaksinimit”- u shpreh për Faktoje, Ina Kasimati, mësuese e Biologjisë.

Ndërkohë, mësuesja e gjuhës angleze po në këtë gjimnaz, Kozeta Berisha i tha Faktojes se ajo është vaksinuar para se vaksinimi për këtë komunitet të bëhej i detyruar.

“Personalisht jam vaksinuar me të dyja dozat, me AstraZeneca. Do apeloja që çdo koleg të vaksinohej për shumë arsye dhe çfarë është më e rëndësishmja ne jemi mësues dhe jemi në kontakt gjithmonë me të tjerët. Duhet të vaksinohemi që të evitohet një karantinë tjetër për nxënësit, sepse kjo do të sillte shumë pasoja negative në mbarëvajtjen e tyre. Mbështes apelin e qeverisë për afatin që ka lënë për vaksinimin, duhet me patjetër”- theksoi mësuesja Kozeta Berisha për Faktoje.

Mirëpo, ka ende arsimtarë që nuk janë vaksinuar dhe kur na ndajnë pak kohë para nisjes së procesit mësimor, duket i vështirë vaksinimi 100% i tyre.”-thotë mësuese Kozeta.

Edhe pedagogët janë të ndarë kur vjen fjala tek injektimi i vaksinës anticovid.

“Nuk jam vaksinuar, sepse e kam kaluar Covid-19. E me atë që thonë ekspertët dhe studimet që unë kam lexuar, si përshembull ai i universitetit të Tel Avivit në Izrael, jam i bindur që imuniteti natyror është më mbrojtës se dy dozat e vaksinës anticovid” -shprehet një pedagog i departamentit të Gjuhëve të Huaja, në Fakultetin Histori-Filologji në Universitetin e Tiranës.

I pyetur se si do veprojë nëqoftëse nuk pranohet në auditor pedagogu i i departamentit të Gjuhëve të Huaja shprehet se do ta mendojë kur të vijë ai moment.

“Do e mendoj kur të vijë ai moment.”- përfundon pedagogu.

Pavarësisht ultimatumit të lëshuar nga kryeministri për vaksinimin e detyruar, deri më sot asnjë institucion nuk ka publikuar ndonjë urdhër zyrtar dhe as nuk ka shpjeguar se çfarë mekanizmi do të përdoret për të verifikuar nëse stafi pedagogjik i është nënshtruar ose jo vaksinimit të detyruar.

Nga kërkimet e Faktojes, se si po veprohet në vende të tjera lidhur me këtë çështje, mësuam se në Itali, verifikimi për vaksinimin e stafit arsimor do të kryhet përmes një aplikacioni të miratuar nga Ministria e Edukimit e cila ka njoftuar që në muajin gusht në faqen zyrtare, detajet me hashtagun (Unë kthehem në shkollë). Gjithçka është bazuar në një urdhër zyrtar të publikuar në muajin gusht po në faqen e Ministrisë së Edukimit.

 

Aplikacioni i miratuar nga Ministria e Edukimit në Itali.

Nisur nga kjo praktikë, ne kërkuam nëse ka ndonjë urdhër zyrtar të institucioneve shtetërore për detyrimin e arsimtarëve apo studentëve për vaksinimin e detyruar anticovid, por na rezultoi se nuk ka një të tillë.

Ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Kryeministrisë se cila është vendimmarrja institucionale për vaksinimin e detyruar të stafit pedagogjik apo studentëve dhe penalitetet për ata që nuk e respektojnë dhe shpresojmë në kthimin e një përgjigjeje para nisjes së vitit të ri shkollor dhe atij akademik.

Kërkesa dërguar  MASR, datë 9 shtator.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img