EDIT NIKOLLI
Më 2 nëntor duhej të niste viti i ri akademik, por vetëm 3 ditë para kësaj datë u njoftua se mësimi për të gjithë studentët do të niste online, deri në një urdhër të dytë. Pavarësisht kësaj, fakultetet e ndryshme në Tiranë edhe sot kanë qenë të populluara nga radhët e studentëve, një pjesë e të cilave mund të ishin shmangur nëse do të funksiononte portali universitar, aq i domosdoshëm për mijëra studentë të 6 fakulteve në Tiranë, sidomos në këtë kohë pandemie. Po sot një numër studentësh protestuan para Ministrisë së Arsimit pasi vendimi për rikthimin në mësimin online është penalizues për ta.
Viti i ri akademik, nuk i gjeti studentët nëpër auditorë, por as online, ashtu siç u vendos vetëm pak ditë më parë nga qeveria, për të shmangur përhapjen e koronavirusit. Sot shumë studentë ishin nëpër fakultete duke mbajtur radhë dhe grumbuj të tjerë para Ministrisë së Arsimit duke protestuar.
Ky është viti i akademik i radhës që gjen studentët me Portalin Universitar, jo funksional, i cili duhej të ofronte për ta një sërë shërbimesh online si regjistrimi në provime, publikimi i notave, regjistrimi për provimet e mbartura apo ato për përmirësim, llogaritja e mesatares dhe e krediteve. Por edhe këtë vit pandemik, kur kërkohet protokoll rigoroz për distancimin social, portali nuk punon.
Për aq kohë sa funksionoi, të gjithë studentët kishin një kod personal dhe pasi logoheshin në portal, menaxhonin të dhënat e tyre që lidheshin me studimet, orët dhe lëndët përkatëse, një mënyrë e domosdoshme por e pamundur edhe në këtë vit pandemik. Përveç problematikave dhe parregullsive në provime apo rregjistrime, një studenti i duhet të paguajë një tarifë prej 200 lekësh për një listë notash dhe duhet të presë disa ditë para se ta marrë. Edhe për të marrë një notë provimi, një studenti i duhet të presë pedagogun ose të mbajë radhë në sekretarinë e fakultetit. Pasojat dhe rreziku për përhapjen e virusit në këtë rast janë të dy- anshme, si për studentët edhe për stafin.
E pyetur për “Faktoje”, E.M studente e vitit të dytë master Fakulteti i Filologjisë tha:
“Gjatë studimeve të mija bachelor, e kam përdorur portalin ku merrja një serë informacionesh për provimet dhe notat dhe lajmerimet të tjera që bëheshin nga universiteti, por tani që jam në vazhdimësi të studimeve kemi sekretarine por është më të veshtirë për shkak të radhës ndërkohë që pritja për ne që punojmë, nuk është e favorshme”.
Universitetet e tjera publike në Shqipëri e kanë të aksesueshëm këtë shërbim online, siç është Universiteti i Shkodrës, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti i Elbasanit dhe ai i Vlorës.
Portali online në Universitetin e Shkencave Shoqerore në Shkodër
Përtej problemeve me mungesën e portalit, një numër studentësh, në ditën e parë të vitit akademik, shfaqin probleme të tjera, tani që rikthimi në auditorë është shtyrë pa afat.
Ata kërkojnë që të ulen tarifat, t’u kompensohen qiratë dhe pagesat e konvikteve, ndërsa studentët që vijnë nga familjet në nevojë, ndihen të penalizuar nga mësimi në distancë, pasi ata nuk i kanë mundësitë për të blerë pajisje digjitale, ose banojnë në zona që nuk mbulohen nga interneti, studentet gjithashtu kërkojnë paketat e internetit falas.
Edhe në artikujt e shkruar më herët nga “Faktoje” për funksionimin e mësimit online në fakultete, ka rezultuar se një pjesë e mirë e studenteve nuk kanë mundur ta ndjekin mësimin online për një serë arsyësh, interneti i munguar në shtëpi apo pagesën e lartë të internetit në telefonin celular për të qenë pjesë e leksioneve online.
Të penalizuar ndihen edhe studentë të shkollave profesionale, si “Shkolla e Kulinarise” të cilët shprehen:
“Si mund ta bej unë kuzhinën online?!”
Po ashtu, studentë të Mjekësisë shkruanin në pankarta:
“Nuk duam operacione online në të ardhmen”
Sipas ekspertit të arsimit Ndriçim Mehmeti, mbyllja e auditorëve nuk është zgjidhje.
“Edhe në vitin që kaluam kemi vënë re pjesmarrje të dobët për sa i përket mësimit online nga pedagogë që kanë deklaruar se nga 150 studentë, vetëm 15 kanë marrë pjesë në leksionet mësimore. Pra ka një seri gjërash që të bëjnë të dyshosh se ky vit jo vetëm që do të jëtë i vështirë, por do jetë i dështuar. Marr shkas edhe nga vendet e rajonit dhe Europës, si Gjermania, Austria, Portugalia, Serbia dhe Franca, që pavarësisht karantinimit, shkollat vazhdojnë të jenë në funksionin e tyre normal. Studentët shqiptarë kanë po të njëjten qasje, për vazhdimin e universitetit dhe jo mbylljen e tij!”-tha Mehmeti në një intervistë televizive.