.

.

BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashVila e Zelenskit në Itali nuk iu dha me qera rusëve

Vila e Zelenskit në Itali nuk iu dha me qera rusëve

Nuk ka asnjë provë që vila e zotëruar nga familja e presidentit ukrainas Zelenski u është dhënë me qera shtetasve rusë. Lajmi i publikuar pak ditë më parë nga mediat italiane është përgënjështruar menjëherë nga agjencia që e menaxhon këtë pasuri të patundshme, por jo në mediat shqiptare që e kanë ripublikuar këtë “skandal”.

Granit Sokolaj

Dizinformimi është një nga mjetet kryesore të propagandës ruse që prej nisjes së agresionit të saj ndaj Ukrainës. Dhe një prej personave më të sulmuar është sigurisht presidenti ukrainas Zelenski, i cili u kthye në heroin kryesor për të frymëzuar rezistencën e popullit të tij. Shpesh pjesë e këtyre dizinfomimeve të ndërtuara me mjaft profesionalizëm janë bërë preh edhe mediat më serioze ndërkombëtare. Ky është mesa duket edhe rasti i “skandalit” të publikuar në shqip nga gazeta Fjala, më 2 shtator, ku publikohet aludimi se vila luksoze e presidentit Zelenski në Itali, iu është dhënë me qera disa turistëve rusë. Duhet të kujtojmë se presidenti ukrainas iu kërkoi udhëheqësve evropianë të kufizonin marrëdhëniet dhe mbyllnin kufijtë e tyre për shtetasit rusë pas agresionit ndaj vendit të tij.

Ky lajm, është publikuar fillimisht më 30 gusht nga gazeta italiane Il tirreno, e cila e bazoi denoncimin e saj mbi një publikim në mediat sociale të një gruaje, e cila kishte dëgjuar të flitej rusisht brenda vilës. Megjithatë, vetë gazeta italiane dhe mediat e tjera që e ndoqën këtë lajm, publikuan edhe prononcimin e agjencisë që menaxhon vilën, z. Klaudio Salvini, i cili “konfirmoi se qeraxhinjtë nuk ishin rusë dhe se pronarët e vilës, familja Zelenski ka vendosur këtë si një kusht të panegociueshëm”. Ky përgënjështrim për fat të keq nuk është paraqitur në shkrimin e publikuar në shqip, duke ofruar një pamje më të balancuar për publikun shqiptar.

“Faktoje” verifikoi më tej edhe dyshimet për prejardhjen e një vile luksoze, me vlerë 4.6 milionë euro, në pronësi të familjes Zelenski. Është me vend të qartësohet se kjo pronë në bregdetin italian, në rajonin e lakmuar të Toskanës, është blerë nga Zelenski përpara se ai të kandidonte si president dhe është rezultat i të ardhurave të siguruar nga profesioni i tij i mëparshëm si aktor. Falë suksesit të filmit të tij “Shërbëtori i Popullit”, Zelenski fitoi një kontratë të majme për të drejtat televizive me kompaninë “Netflix”, nga e cila raportohen të ardhurat kryesore të tij. Në vlerësimin e muajit prill 2022 të revistës Forbes, pasuria e tij llogaritet të jetë rreth 20 milionë dollarë. Burimi kryesor i të ardhurave të komedianit president janë zotërimi i 25 përqind të aksioneve në kompaninë “Kvartal 95”, e cila prodhon emisione dhe filma humoristikë. Këto aksione iu kaluan bashkëshortes pasi fitoi mandatin e presidentit, së bashku me disa prej pronave të tjera të patundshme që zotëron. Forbes vlerëson se i gjithë portofoli i pasurive të paluajtshme të Zelenskëve në Ukrainë janë dy apartamente në pronësi të plotë, dy në bashkëpronësi, një pronë komerciale dhe pesë vende parkimi si dhe 5 dhoma hoteli në Gjeorgji (investim në modë i klasës së mesme të lartë në Ukrainë). Vila në Toskanë, është gjithashtu një investim i kësaj pasurie në sektorin imobiliar dhe rezulton se familja Zelenski nuk ka qëndruar asnjëherë në të.

Është me vend të theksohet se vila në Toskanë është vendosur në qendër të vëmendjes së shtypit italian pasi forca të djathta të politikës italiane organizuar një protestë në ditët e para të muajit gusht me thirrje kundër financimit të luftës në Ukrainë nga qeveria italiane.

 

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img