BallinaBurokraciDhënia fund mësimit me turne nuk është kompetencë e jona, thotë zyrtarisht Bashkia e Tiranës

Dhënia fund mësimit me turne nuk është kompetencë e jona, thotë zyrtarisht Bashkia e Tiranës

Shumë premtime për dhënien fund të mësimit me turne në shkollat në Tiranë, nuk kanë gjetur zbatim edhe pas kaq shumë vitesh. Gjatë monitorimit nga Faktoje rezulton se kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka marrë në mënyrë të përsëritur këtë angazhim, por kur e pyetëm zyrtarisht institucionin e Bashkisë morëm përgjigjen se nuk është kompetencë e saj.

——————————————————————————————

Ndër vite, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka bërë një sërë premtimesh për t’i dhënë fund mësimit me turne në kryeqytet.

Në vitin 2015, kryebashkiaku Erion Veliaj premtoi se brenda mandatit do t’i jepte fund mësimit me turne. “Ne do të zgjidhim brenda këtij mandati çështjen e shkollave me dy turne”, premtoi Veliaj.

Mirëpo, zotimi për t’i dhënë fund këtij fenomeni shqetësues për nxënësit dhe prindërit ka vijuar për vite me radhë dhe nuk po gjen zgjidhje

Në shtator të 2017-s, Veliaj përsëriti: “Ne do të fillojmë edhe 16 shkolla të tjera për t’u siguruar që përfundimisht e mbyllim çështjen e arsimit me dy turne në qytetin e Tiranës”.

Edhe një vit më pas, kryebashkiaku i Tiranës bëri të njëjtin premtim: “Fund mësimit me turne”. Ky premtim u bë edhe në vitin 2019 nga Veliaj, ku foli edhe për hapjen e 17 shkollave të reja.

Në tetor 2021, kryebashkiaku tha: “Kështu që pas këtij mandati çështja e shkollave me 2 turne në Tiranë, as nuk do diskutohet fare”.

Ndërkohë, në muajin korrik të këtij viti, Veliaj theksoi sërish se për herë të parë nuk do të ketë më shkolla me dy turne në Tiranë.

“Hapim dhe 12 shkolla. Për herë të parë nuk do të kemi më shkolla me dy turne në Tiranë. Kemi ndërtuar aq shumë shkolla, sa besoj se nuk do flasim më për shkolla me dy turne. Kjo merr fund njëherë e mire”, premtoi kryebashkiaku Veliaj.

Mirëpo, ditën e parë të nisjes së vitit të ri shkollor, Faktoje ngriti shqetësimin për faktin që edhe sivjet nxënësit do ta zhvillojnë mësimin me turne, madje deri në orën 19:00.

Për të mësuar sa shkolla në kryeqytet bëjnë mësim me dy turne, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës më 12 shtator.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Tiranë, 12 shtator 2022

Ne morëm një përgjigje zyrtare 2 ditë pas publikimit tw artikullit, ku na bëhet e ditur se kjo nuk është përgjegjësi e Bashkisë së Tiranës dhe duhet t’i drejtohemi Drejtorisë Arsimore Rajonale Tiranë.

“Duke ju falenderuar për e-mailin tuaj, sikurse komunikuam bashkërisht nëpërmjet telefonit, ju bëjmë me dije se kërkesa juaj për këtë informacion nuk është në kompetencat e Bashkisë Tiranë, ndaj ju jeni të lutur t’i drejtoheni Drejtorisë Arsimore Rajonale Tiranë, për të marrë informacionin e nevojshëm”, njofton zyrtarisht Bashkia e Tiranës.

Përgjigjia e Bashkisë së Tiranës, 14 shtator 2022

Edhe pas shumë premtimesh, nxënësit në Tiranë vijojnë të bëjnë mësim me turne, ndërkohë që institucionet shmangin përgjegjësinë në lidhje me këtë problematikë.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img