Video që po qarkullon në rrjete sociale nuk tregon sulmet Houthi ndaj një luftanijeje amerikane. Verifikimi i Faktoje zbuloi se klipi është prodhuar në videolojën simulator-lufte Arma 3. 

———————————————–

Në rrjete sociale po qarkullon një video që pretendohet se tregon sulmin e forcave rebele Houthi ndaj një luftanijeje amerikane në Detin e Kuq. Kjo video e ndarë në 10 janar nga një përdorues i rrjetit Facebook shoqërohet me titullin në shqip: “Që nga Lufta e Dytë Botërore, asnjë force amerikane nuk i është nënshtruar sulmeve ushtarake. Jemeni e bëri”.

Duke filluar nga 19 nëntori 2023, forcat rebele Houthi në Yemen kanë kryer 26 sulme ndaj anijeve që kalojnë në Detin e Kuq. 

Megjithatë, video e mësipërme nuk tregon asnjërin prej këtyre sulmeve.

Tek lexuesi skeptik duhet të lindin dyshime mbi vërtetësinë e klipit, rreth sekondës 00:31, kur forma e direkut të anijes ndryshon papritur, dhe më pas rikthehet në formën e parë.

Ky ‘defekt’ është karakteristikë e grafikave të përdorur në videolojëra.

Gjithashtu, anija ushtarake amerikane që u shënjestrua nga raketat e rebëlëve quhet USS Laboon dhe mban mbi trup kodin DDG-58, ndërkohë që anija në video ka të shënuar numrin 021. 

Në të vërtetë, siç një numër përdoruesish të rrjeteve sociale kanë vërejtur, klipi i mësipërm është krijuar me anë të videolojës Arma 3, në të cilën simulohen beteja ushtarake.

Faktoje ka verifikuar edhe më parë klipe nga videolojëra, të cilat shiten si video reale luftarake.