.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookVideo virale e përmbytjeve në Dubai përmban pamje nga vende të tjera

Video virale e përmbytjeve në Dubai përmban pamje nga vende të tjera

Pretendimi:Kjo video tregon skenat e stuhisë dhe përmbytjeve në Dubai

Rate: Missing context

Pamjet virale të përmbytjeve në Dubai, në fakt përmbajnë shumë skena që nuk i përkasin situatës që përjetoi qyteti në prill të këtij viti. Verifikimet tregojnë se një pjesë e këtyre pamjeve janë regjistruar në ShBA apo Brazil.

Një video e shpërndarë në rrjetet sociale pretendon se tregon pamje nga stuhia që goditi Dubain më 18 prill të këtij viti. Pamjet shoqërohen me një koment, ku flitet për një “hakmarrje” ndaj shthurrjes dhe imoralitetit. 

Shikoni tmerrin që po përjeton Dubai…çfarë haku po merret..mos vallë kampionati qe kaloi, apo shthurja, imoraliteti??”-shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Video tregon skena të ndryshme të pëmbytjeve, një pjesë e të cilave duken gati të pabesueshme për të ndodhur në Dubai. Ne bëmë një verifikim të këtyre pamjeve për të kuptuar nëse vërtetë këto skena ishin xhiruar në Dubai në prill të këtij viti.

Nga kërkimi rezulton se pamjet e para në këtë video janë nga Dubai, por nuk i përkasin prillit të vitit 2024. Videoja në fjalë qarkullon në internet që prej nëntorit të vitit 2023 dhe sipas mbishkrimit që shoqëron pamjet bëhet fjalë për një stuhi që goditi Dubain në atë kohë. Asokohe, qyteti i Emirateve të Bashkuara Arabe u godit nga stuhi të forta.

Klipi i dytë tregon një skenë në të cilën shirat e dendur dhe era e fortë dëmtojnë një pjesë të strukturës së një ndërtese ku disa njerëz po kërkojnë strehim. Kjo skenë tregon dëmet e shkaktuara nga stuhia e prillit të 2024-s në Dubai, veçanërisht në aeroportin ndërkombëtar të qytetit.

Në klipin e tretë shihet teksa rrufeja godet majën e gradaçelës gjatë natës. Në këtë rast, skena nuk lidhet me stuhinë e fundit që preku Dubain. Videoja është publikuar më 4 mars 2024 në Instagram nga fotografi Zohaib Anjum dhe siç thuhet në përshkrimin e saj, tregon momentin kur rrufeja godet Burj Khalifa.

Më pas në video shihet një pemë që shkulet nga erërat e forta. Por, kjo skenë nuk ka lidhje me atë që ka ndodhur në Dubai ditët e fundit. Pamjet në fjalë tregojnë një skenë të ndodhur në prill të 2023 në qytetin Bicas të Brazilit.

Klipi i pestë tregon çatinë e një shtëpie teksa shkëputet nga erërat e forta dhe përfundon në një rrugë plot me makina. Sërish skena nuk ka lidhje me Dubain. Pamjet u regjistruan më 17 qershor 2022 në Man, një qytet i vendosur në shtetin e Virxhinias perëndimore, në Shtetet e Bashkuara.

Pas kësaj, shihen disa palma që tunden fuqishëm nga era e fortë dhe shiu. Video në fakt tregon një moment të uraganit “Michael” që goditi Floridën, në Shtetet e Bashkuara në vitin 2018.

Klipi i shtatë tregon një tornado të frikshme pas një kompleksi apartamentesh. Videoja, e cila nuk ka asnjë lidhje me stuhitë e Dubait të prillit 2024, u postua fillimisht në vitin 2023 në TikTok.

Në klipin e tetë, shihen avionë duke lëvizur në pista plotësisht të përmbytura. Në këtë rast bëhet fjalë për një skenë të ndodhur në Dubai në prill 2024, më konkretisht në aeroportin ndërkombëtar të qytetit.

Klipi i nëntë tregon karriget në një tarracë që fluturojnë në ajër nga era e fortë. Edhe në këtë rast skena lidhet me atë që ka ndodhur në Dubai ditët e fundit.

Pamjet e fundit në këtë video, ku shihen makina në ujë dhe metro të përmbytura janë regjistruar në Dubai për shkak të stuhisë që preku qytetin.

Këto pamje janë verifikuar edhe nga kolegët e Facta.news.

Në një artikull të publikuar më herët, Faktoje ka hedhur poshtë pretendimet se përmbytjet në Dubai u shkaktuan nga shiu artificial i krijuar me “teknologjinë HAARP”.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img