Video e ç’pretendohet se është një autobus elektrik duke u djegur në rrugët e Londrës po përdoret në rrjete sociale për të zhvlerësuar konceptin e energjisë së gjelbër. Verifikimi i Faktoje zbuloi se autobusi i djegur kishte motor benzine dhe ngjarja ka ndodhur në Bradford.
——————————————
Në rrjete sociale po shpërndahet një video që pretendohet se tregon një autobus elektrik duke u djegur në Londër.
Video e mësipërme është postuar në TikTok nga llogaria @bladerunnersuk, më 9 tetor 2023. Ajo shoqërohet me përshkrimin “Autobus në flakë, në Bradford Broadway. Duke nxjerrë tym sterr të zi në ajër. E hënë 9 tetor 2023.”
Kjo përkon me raportimet e mediave vendase për një autobus që mori flakë pranë qendrës së Bradford, një qytet mbi 300 km larg Londrës, më 9 tetor.
Sipas BBC, autobusi mori flakë pranë qendrës tregtare Broadway në Bradford.
Nëse krahasojmë pamjet në video me pamjet nga Google Street View rezulton se video është xhiruar në të vërtetë në Bradford.
Pamje nga video (majtas) dhe nga Google Street View në Bradford (djathtas)
Më tej, sipas BBC, autobusi i përkiste kompanisë First Bus, dhe operonte në linjën 607. Në një video të incidentit të postuar në Twitter, arrihet të dallohet edhe targa e autobusit: MD71 EOF.
Me anë të faqes bustimes.org, mund të gjejmë autobusët e linjës 607 në Bradford, më 9 tetor 2023. Ndër to, është edhe autobusi me targë MD71 EOF. Ky automjet është tip Wright StreetDeck Micro Hybrid.
Sipas faqes zyrtare të prodhuesit të ketyre autobusëve, Wright, ky model autobusi operon me motor me benzinë, Daimler OM934 ose Daimler OM936 Euro VI.
Si përfundim, video që po qarkullon në rrjet nuk tregon një autobus elektrik duke u djegur në Londër, por një autobus me djegie të brendshme benzine në Bradford, mbi 300 km larg.