Një video që po qarkullon në rrjete sociale pretendohet se tregon shpërthimin e digës Nova Kakhovka në Ukrainë në Qershor 2023. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se video në fjalë është botuar në rrjet që në Nëntor të 2022.

—————————————-

Ndërsa shembja e digës Nova Kakhovka në Ukrainën e jugut ka shkaktuar përmbytje dhe evakuimin e mijëra njerëzve, Rusia dhe Ukraina i drejtojnë gishtin njëra-tjetrës si fajtore për shpërthimin e kësaj dige.

Mbetet ende e paqartë nëse shembja e digës erdhi si pasojë e një sulmi të qëllimshëm apo një defekti strukturor, por një video që po qarkullon edhe në rrjetet sociale shqipfolëse pretendon se tregon “momentin kur diga në Kherson hidhet në erë.”

Me anë të një kërkimi në motorin e kërkimit të imazheve Tineye, “Faktoje” zbuloi se kjo video ishtë shfaqur në internet për herë të parë në Nëntor 2022.

Rezultati i kërkimit në Tineye

Si rrjedhim, është e pamundur që video të tregojë shpërthimin e digës Nova Kakhovka në Qershor 2023.

Video është postuar fillimisht në internet nga llogaria @EUFreeCitizen në Twitter, në 12 nëntor 2022. Në atë kohë, ajo shoqërohej me pretendimin se tregonte shpërthimin e urës përgjatë hidrocentralit Kakhovskaya.

Postimi fillestar i videos në internet, në 12 nëntor 2022

Në 6 qershor 2023, llogaria @EUFreeCitizen postoi sërish videon duke sqaruar se ajo është e vjetër, dhe se “nuk ka konfirmim që pamjet janë relevante”. “Jemi në pritje të informacionit zyrtar,” shkruhet në postim.

Postimi i @EUFreeCitizen më 6 qershor 2023