Pas skandalit me videon e pahijshme të ish-kryebashkiakut të Kukësit Safet Gjici, javën e kaluar një tjetër video e ngjashme qarkulloi nëpër rrjet me pretendimin se protagonisti kësaj radhe ishte deputeti Blendi Klosi. Në të vërtetë, video në fjalë nuk tregon Klosin, por është marrë në fakt nga një video pornografike e botuar në internet që në 2021.

————————————

Video e pahijshme e ish-kryebashkiakut të Kukësit Safet Gjici, më 16 qershor 2023, u pasua me qarkullimin e një video tjetër të ngjashme, më 20 qershor, e cila pretendohej se tregonte deputetin Blendi Klosi në një aferë seksuale.

Portalet e përshkruan videon e mësipërme kështu: “Në rrjet ka dalë një video, ku Klosi shihet në momente intime me një vajzë. Nuk ka shumë detaje se ku është filmuar videoja, por dhe aty duket ambient zyrtar. Klosi duket që është më brekë nëpër këmbë.”

Megjithatë, një kërkim me anë të motorit të kërkimit të imazheve Tineye tregon se video në fjalë ka ekzistuar në internet që në vitin 2021, dhe është pjesë e një videoje pornografike.

Fytyra e burrit në video nuk dallohet mjaftueshëm qartë për të përcaktuar nëse ai është deputeti socialist. Si rrjedhim, pretendimi i portaleve mbetet i paprovuar. 

Vetë Blendi Klosi nuk dëshiroi të përgënjeshtrojë këtë lajm, ndërkohë që shumë media të tjera i njoftuan lexuesit e tyre se bëhej fjalë për një lajm të pavërtetë. Për fat të keq edhe pas zbulimit të këtij mashtrimi, disa prej portaleve vijojnë ta publikojnë në faqet e tyre lajmin e rremë.