Video e një helikopteri duke hedhur flakë në një pyll po përdoret si provë që zjarret e paprecedentë që pushtuan Kanadanë këtë vit ishin zjarrvënie të qëllimshme. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se video tregon veçse një mënyrë të frenimit të zjarreve në pyje që përfshin djegien e kontrolluar.

——————————

Në rrjete sociale, përfshire edhe ato shqipoflëse, po shpërndahet një video që trgon një helikopter duke hedhur flakë në një pyll. Kjo video sillet si provë për pretendimet se zjarret në Kanada janë vënë me qëllim si pjesë e një konspiracioni që propagandon ngrohjen globale.

“Helikopter duke vënë një zjarr në Kanada!” deklaron mbishkrimi në video

Këtë vit, Kanadaja përjetoi zjarre të paprecedentë në pyjet e saj. Qendra kanadeze e Zjarreve në Pyje deklaroi në qershor se zjarret kishin djegur mbi 76 mijë km2 pyje dhe toka, më shumë se ndonjëherë tjetër në historinë e dokumentuar të zjarreve në pyje në Kanada.

qershor, tymi nga këto zjarre errësoi edhe pjesën verilindore të Shteteve të Bashkuara, përfshi New York, duke krijuar një ndotje ajri që shkencëtari i NASA Ryan Stauffer e quajti “jashtëzakonisht të rrallë” dhe “ekstreme”.

Video e helikopterit, e cila sillet si provë se këto zjarre u vunë qëllimisht për të përkrahur teorinë e ngrohjes globale, në fakt tregon praktikën e djegies së kontrolluar, një taktikë që përdoret shpesh në shuarjen e zjarreve në pyje.

Në cep të videos së helikopterit vërehet logo e Shërbimit të Zjarrit në Pyje të British Columbia.

Një zëdhënëse e këtij institucioni tha për AFP se video e mësipërme tregon ndezjen e planifikuar të një zjarri pranë Donnie Creek. Ajo tha se video ishte filmuar në 1 dhe 2 qershor, dhe ky institucion i përdor këto video për të edukuar publikun se si luftohen zjarret në pyje.

“Mund të ekzistojë një perceptim i gabuar ku njerëzit mendojnë, ‘Epo, thjesht fikini zjarret.’ Por kur ke zjarre të kësaj madhësie, nuk ka ndonjë mënyrë që të mund ta fikësh. Ai thjesht duhet të digjet deri në fund,” tha ajo.

Djegia e planifikuar përdoret për të eleminuar shkurret përpara se t’i arrijë zjarri, në mënyrë që ky i fundit të ketë më pak material për të djegur, duke kufizuar kështu përhapjen e flakëve.

Agjensisë së Zjarreve të British Columbia iu desh të përdornin këtë metodë, pasi bombardimi me ujë nuk funksionoi në ndalimin e zjarrit.