Video e një turme njerëzish duke transportuar mallra nëpër shkretëtirë po shpërndahet në rrjete sociale sikur tregon egjiptianë duke u dërguar ndihma banorëve të rrethuar të Gazës.

————————————

Video që tregon dhjetëra njerëz duke ecur në shkretëtirë dhe duke mbajtur në kurriz pako po qarkullonrrjete sociale me pretendimin se ajo është xhiruar në kufirin e Egjiptit me Palestinën dhe njerëzit në të janë egjiptianë që po “kalojnë shkretëtirën në Palestinë për të sjellë ujë, ushqim dhe furnizime të tjera për popullin e Gazës”

Kjo, pasi qeveria e Izraelit shpalli bllokadë në rripin e Gazës, më 9 tetor 2023, duke ndwrprerë furnizimin me elektricitet, ushqim, gaz dhe ujë në territorin ku jetojnë rreth 2.3 milionë banorë.

Megjithatë, me anë të motorrit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se video e mësipërme është postuar në TikTok më 31 gusht 2023.

Video shoqërohet me përshkrimin “Saloum, kufiri perëndimor i Egjiptit, Matrouh.” Kufiri perëndimor i Egjiptit e ndan atë nga Libia, ndërsa Matrouh është një rajon i Egjiptit pranë kufirit me Libinë, ku janë të shpeshta rastet e kontrabandës drejt Libisë së shkatërruar nga betejat mes fraksioneve ushtarake dhe grupimeve rebele.

Mbetet e pakonfirmuar nëse video është xhiruar në kufirin me Libinë, kufirin me Palestinën, apo në asnjë prej tyre. 

Gjithsesi, fakti që ajo është postuar në internet që në Gusht 2023, tregon se pamjet që ajo tregon kanë ndodhur para sulmit të Hamas ndaj Izraelit në 7 tetor 2023, dhe përpara bllokadës totale të imponuar nga Izraeli më 9 tetor 2023.