.

.

BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashVideo e “ushtarëve fëmijë” ukrainas e keqinterpretuar nga propaganda ruse

Video e “ushtarëve fëmijë” ukrainas e keqinterpretuar nga propaganda ruse

Ushtria ukrainase nuk ka rekrutuar fëmijë ashtu siç pretendohet në një video të nxitur nga propaganda ruse dhe publikuar në rrjetet sociale shqiptare. Verifikimi i personave të shfaqur në video dëshmon se bëhet fjalë për të rinj në moshë madhore që janë mobilizuar në mbrojtje të atdheut.

—————————————————————

Narrativa e fundit pro-ruse në luftën në Ukrainë është se ushtria ukrainase po dërgon fëmijë dhe adoleshentë në vijën e frontit. Për të ilustruar këtë pretendim, përdoruesit në rrjetet sociale kanë publikuar disa pamje ku shfaqen tre ushtarë të rinj, duke pretenduar se janë fëmijë.

Ukronac..ët po dërgojnë fëmijë në luftën e pakuptimtë! Shikoni këtë, është e pabesueshme. Dhe vlerat e vetëshpallura dekadente-perëndimore, vazhdojnë ta ushqejmë këtë krim të pabesueshëm me armë”, shkruan në 7 janar një përdorues shqiptar i Facebook.

Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të postimit të fjalë, duke iu referuar burimeve të besueshme. Projekti ukrainas i kontrollit të fakteve “Stopfake.org”, zbuloi se kjo video u publikua fillimisht nga media ruse “Ura.ru”. Kjo video nuk gjendet më në faqen e internetit të saj, por shihet që ka qarkulluar në mediat ruse që nga 15 nëntori.

Propaganda ruse vazhdonte duke publikuar një intervistë me një ushtar nga Brigada e 3-të e Forcave të Armatosura të Federatës Ruse, i cili tha: “Po vërejmë se janë shfaqur të rinj. Ata janë nga mosha 14 deri në 16 vjeç. Mendoj se truri i 14-vjeçarëve mund të ‘shpëlahet’ kollaj dhe nga mënyra se si ata po silleshin tregonte se ishin nën efektin e drogës”.

Për të vërtetuar nëse video është një provë e këtyre pretendimeve ruse, është e rëndësishme që të verifikohet origjina e këtyre videove.

Kolegët tanë në “Stopfake.org” raportuan se videoja e parë u postua në ‘Tiktok’ në tetor 2022 nga llogaria @callname_chaika.

Scrrenshot, faqja në TikTok4

E kontaktuar nga kanali televiziv ukrainas STB, ushtarja në fjalë, e identifikuar si Elizabeth tha se ishte shofere e ambulancës në Legjionin Ndërkombëtar dhe se është “23 vjeçe dhe jo 14”.

Gazetarët intervistuan gjithashtu prindërit e Elizabeth, të cilët shpjeguan se ajo ka dy diploma në arsimin e lartë. Ata thanë gjithashtu se 23-vjeçarja kishte dalë vullnetare për të luftuar kur shpërtheu lufta.

Ndërsa, personi tjetër i cili shfaqet në video është identifikuar si Andrew Sidis. Video u postua më 23 shtator 2022 në llogarinë e TikTok të @andreyalesya.

I kontaktuar nga kolegët e verfikimit të fakteve, ai tha se ishte 25 vjeç kur postoi videon. Ai shpjegoi se doli vullnetar për Forcat e Armatosura të Ukrainës më 24 shkurt 2022, ditën kur Rusia pushtoi Ukrainën.

Ndërkohë, kolegët e “FRANCE 24” kanë analizuar videon e publikuar online dhe kanë rrëzuar pretendimin rus, duke u mbështetur në faktin që video është publikuar në 25 maj 2022 në kanalin e YouTube “DailyUkraine”. Për shkak të datës së publikimit, nuk mbështetet teza ruse për një mobilizim të muajve të fundit të fëmijëve në konfliktin në Ukrainë pas humbjeve të ushtarëve madhorë.

Angazhimi i fëmijëve në Forcat e Armatosura është i jashtëligjshëm në Ukrainë. Deri më sot nuk janë regjistruar denoncime apo prova për rekrutimin e fëmijëve ukrainas, pavarësisht dëshirës që mund të kenë civilët për të mbrojtur vendin e tyre të sulmuar padrejtësisht nga një ushtri e një vendi tjetër.

Denis Krivosheev, zëvendësdrejtori Rajonal i ngarkuar për kërkimin për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore në Amnesty International konfimon se: “Amnesty International nuk ka dijeni për raste për raste të dokumentuara të fëmijëve që shërbejnë si ushtarë në ushtrinë ukrainase”.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img