BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookTeoria e cunguar për të mirat e CO2 për bimët ushqen konspiracionistët

Teoria e cunguar për të mirat e CO2 për bimët ushqen konspiracionistët

Një video e meteorologut Piers Corbyn, i cili pretendon se rritja e dioksidit të karbonit në atmosferë do të ishte gjë e mirë sepse do të sillte rritje të bimësisë, po shërben si nxitje për teoritë konspirative ndaj ngrohjes globale në mediat sociale. “Faktoje” shpjegon se përse CO2 luan rol kyç në ngrohjen e planetit, fenomen i cili, nga ana tjetër, kufizon avantazhet që dioksidi i karbonit jep në rritjen e bimëve.

———————————-

Një video që po qarkullon në mediat sociale shqipfolëse pretendon se dioksidi i karbonit (CO2) nuk ka asnjë efekt mbi klimën. Ajo shoqërohet me përshkrimin: “CO2 nuk ka asnjë efekt mbi klimën, asgjë. CO2 është vetëm ushqim për bimët, dyfishimi i CO2 do të ishte një gjë e mirë, plus 40% rritje të bimëve. E vërteta do të dalë në shesh kur publiku të kuptojë se ajo është vjedhur nga korporatat shumëkombëshe në emër të planetit.”

Nga hulumtimi i “Faktoje”, rezulton se video është një intervistë me meteorologun britanik Piers Corbyn, i cili e karakterizon studimin e ndryshimeve klimaterike si një vegël e ‘globalistëve’ dhe pretendon se George Soros është koka e një ‘elite globaliste’ që po përdor shkencën klimaterike si justifikim për të çindustrializuar Perëndimin. Ai ka qenë pjesë e lëvizjes së mohuesve të ndryshimit të klimës për mbi 25 vite.

Në video, Corbyn pretendon, ndër të tjera, se djegia e karburantit nuk ka asnjë efekt mbi klimën. “Dioksidi i karbonit në atmosferë është thjesht ushqim për bimët,” thotë Corbyn. “Kjo pemë e ka marrë dioksidin e karbonit dhe e ka transformuar në sheqer.”

Corbyn gjithashtu pretendon se “nëse e dyfishon sasinë e dioksidit të karbonit, do të ishte gjë shumë e mirë, sepse do të zmadhonte normën e rritjes së bimëve me 40%. Do të ishte një avantazh i madh, por është e pamundur të dyfishosh dioksidin e karbonit sepse do të përthithej nga deti, sepse deti dhe ajri janë në ekuilibër.”

Është e vërtetë që bimët përdorin CO2 për të prodhuar karbohidrate dhe oksigjen me anë të fotosintezës. Deri diku, rritja e niveleve të CO2 në atmosferë mund të stimulojë rritjen e bimëve. Por, sasia e CO2 e përthithur nga bimët nuk është e mjaftueshme për të kompensuar emetimet e tepërta të CO2 të prodhuara nga njerëzimi.

Megjithatë, Yves Godderis, specialist i evolucionit të tokës dhe drejtor kërkimor i Qendrës Kombëtare të Kërkimit Shkencor në Francë, tha për kolegët tanë të AFP se “karburanti që ne përdorim sot është formuar para 300 milionë vitesh dhe ne gjithsesi do ta kemi mbaruar në vetëm 2 apo 3 shekuj, kështuqë është çështje shkalle kohore: edhe nëse CO2 që ne kemi në atmosferë do të marrë pjesë në ciklin e karbonit, kundërpërgjigja natyrale do të jetë shumë e ngadaltë në përthithjen e tij.”

Dioksidi i karbonit kontribuonefektin serrë, i cili ka rol madhor në ngrohjen e globit. Disa gazra, si dioksidi i karbonit, lejojnë nxehtësinë e diellit të kalojë dhe të ngrohë sipërfaqen e planetit, por ndalojnë një pjesë të kësaj nxehtësie të kthehet përsëri në hapësire, siç ilustrohet në imazhin e mëposhtëm.

Emetimi i tepërt i këtyre gazrave nga njerëzimi, që ka nisur me përdorimin në masë të hidrokarbureve në Revolucionin Industrial, ka bërë që gjithmonë e më shumë nxehtësi të kapet nga këto gazra, gjë që shkakton ngrohjen globale. Që nga fillimi i Revolucionit Industrial (1750), dioksidi i karbonit në atmosferë është rritur me 45%. Aktivitetet njerëzore çlirojnë rreth 100 milionë tonë CO2 në ditë.

Ngrohja globale ka pasoja serioze për ambjentin, duke përfshirë përmbytje, shira të furishëm, dhe thatësira ekstreme. Këto ndryshime drastike në ambjent dhe klimë, krahas shpyllëzimit, gjymtojnë kapacitetet e rritjes së bimëve, e, si rrjedhojë, kapacitetet e tyre për të përthithur dioksidin e karbonit nga atmosfera. 

Faktorë të tjerë si uji i pastër, drita, dhe lënda ushqyese duhet të jenë të mjaftueshme në proporcion me CO2, në mënyrë që të ketë rritje të bimëve. Studime të kohëve të fundit kanë treguar se rritja e niveleve të dioksidit të karbonit në atmosferë nuk korrespondon me një rritje proporcionale në bimësi, pikërisht sepse mungojnë faktorët e mësipërm.

“Duhen marrë parasysh faktorët e tjerë që ndikohen nga rritja e dioksidit të karbonit,” tha studiuesi Francois-Marie Breon. “Nëse ka temperatura ekstreme me thatësira domethënëse, ose pamjaftueshmëri lënde ushqyese në dhe, kjo do të jetë e dëmshme për rritjen e bimësisë. Këtë e shohim tashmë sot, pyjet po vdesin sepse nuk ka mjaftueshëm ujë.”

Ngushëllimi se oqeani do të përthithë dioksidin e karbonit venitet kur merr parasysh që oqeanet janë pjesë e planetit dhe një pjesë kyçe e shumë cikleve natyrore. Si pasojë e ngrohjes globale, në të cilën CO2 është kontribues themelor, edhe oqeanet janë ngrohur. Kjo rritje në temperaturë shoqerohet me një ulje në aftësitë përthithëse të CO2.

Specialisti i sedimentologjisë Jean-François Deconinck tha për AFP se “sa më shumë dioksid karboni çlirojmë në atmosferë, aq më shumë acidifikojmë oqeanet, sepse CO2 shpërbëhet në ujë. Aciditeti prish zhvillimin e një sërë mikroalgash që janë origjina e një pjese domethënëse të fotosintezës.”

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img