BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashVideo e trenit bërthamor rus drejt Ukrainës duhet marrë me rezerva

Video e trenit bërthamor rus drejt Ukrainës duhet marrë me rezerva

Lajmet për nisjen e një treni me armë bërthamore ruse drejt kufirit ukrainas duhen marrë me rezerva. Verifikimi i “Faktoje” tregon se pse këto lajme duhet të trajtohen me kujdes, në vend të sensacionalizmit që ka për qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve.

Patris Pustina

Lufta në Ukrainë vazhdon të furnizojë portalet me mundësi për tituj sensacionalistë. Së fundmi, një video që tregon një autokolonë ushtarake ruse ka ngritur sërish alarme për fillimin e një lufte bërthamore. Portali online “Zgjohu Shqiptar” ngre alarmin në një artikull të publikuar më 2 tetor me titull: “Po përgatitet një sulm bërthamor?! Pamjet e frikshme të autokolonës ruse që dyshohet se transporton armë drejt Ukrainës”. Artikulli shoqërohet edhe me një video që tregon një tren që transporton mjete ushtarake.

Ndërkohë, në brendësi të vetë artikullit, pohohet se “nuk dihet vendi ku është xhiruar video”. Për më tepër, vetë artikulli citon një analist, fjalët e të cilit kundërshtojnë titullin alarmist të përdorur nga portali. Video “në asnjë mënyrë nuk tregon përgatitjet për një lëshim bërthamor,” ka thënë analisti i mbrojtjes Konrad Muzyka.

“Faktoje” verifikoi më tej këtë informacion, që duhet thënë se ka bërë xhiron e botës pas publikimit të videos nga disa media britanike. Të gjithë këto dyshime për një nisje të sulmit bërthamor të Rusisë bazohen në një video të trenit, të postuar në rrjetin Telegram nga kanali pro-rus Rybar.

Pika kryesore e ngritjes së dyshimeve mbi këtë tren që transporton pajisje ushtarake, bazohet në pamjen e mjeteve të blinduara të modelit KAMAZ, të cilët përdoren nga Batalioni i Raketave Strategjike të ushtrisë ruse apo ndryshe, trupat që menaxhojnë arsenalin e raketave bërthamore.

Duhet nënvizuar se mjetet e blinduara KAMAZ, janë të përdorura gjithashtu nga disa forca të tjera ushtarake ruse, një prej të cilëve edhe forcat e ruajtjes së kufirit. Ky mjet është ndërtuar për të siguruar mbrotje nga minat dhe armët e tjera të rënda, por nuk është i pajisur me platforma të lëshimit të raketave apo pajisje të tjera të lidhura direkt me kërcënimin bërthamor.

Verifikime të mëtejshme të kryera nga mediat ndërkombëtare serioze kanë rrëzuar tonet e alarmit të ngritura pas kësaj videoje. “Sky News” arriti të lokalizojë nëpërmjet të dhënave satelitore ku është xhiruar video, më konkretisht në qytetin e Sergiyev Posad, në verilindje të Moskës. Pavarësisht se nuk mund të konfirmohet për ku është drejtuar treni, qyteti konfirmohet se është 500-600 km larg kufirit ruso-ukrainas.

Foto e marrë nga Sky News, tregon se video është xhiruar në Sergiyev Posad

Foto e marrë nga Sky News, vendi ku është xhiruar video është rreth 600 km larg nga kufiri ukrainas

Forbes McKenzie, ish-oficer i inteligjencës britanike, tha për Sky News se këto lëvizje mund të jenë, në fakt, një mesazh për Perëndimin, duke qenë se ato janë diçka shumë e dukshme nga lart. Por, në të njejtën kohë, ai tha se Rusia nuk ka mundësinë për të lëshuar armë bërthamore. “Forcat tokësore ruse nuk janë parë në asnjë pikë se po përgatiten të operojnë në një mjedis nuklear,” tha ai. “Ka njësi shumë specifike që duhet të mobilizohen për të lëshuar kapacitetet bërthamore dhe vetë forcat tokësore duhet të pajisen me kostume të përshtatshme hazmat. Këtë nuk e kemi parë.”

Justin Crump, veteran i ushtrisë britanike, tha për BBC News se ka shumë gjasa se Rusia po ushqen shqetësimet për luftë bërthamore për të luhatur mbështetjen perëndimore për Ukrainën.

Sa i përket kësaj çështjeje, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha më 4 tetor se nuk donte të merrte pjesë në “retorikën bërthamore” të përdorur nga Perëndimi. Pentagoni, ndërkohë, ka deklaruar se nuk ka vënë re asnjë shenjë se forcat ruse po transportojnë armë bërthamore drejt kufirit ukrainas.

Në fakt, sipas Qendrës për Luftën kundër Keqinfromimit të Këshillit për Sigurinë dhe Mbrojtjen Kombëtare të Ukrainës, shpërndarja e lajmeve për përgatitjet e Rusisë për një sulm bërthamor kundër Ukrainës është një tjetër fazë e “terrorizmit informacional” të organizuar nga Kremlini me qëllim të shtyjë Ukrainën në negociata nën kushtet e tij. Alarmizmi dhe sensacionalizmi, në këtë rast, është pikërisht ajo çfarë i leverdis Rusisë.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img