Më 30 shtator, Presidenti i Rusisë Vladimir Putin shpalli aneksimin e katër rajoneve që përbëjnë pjesën dërrmuese të Ukrainës juglindore: Donjetsk, Luhansk, Kherson, dhe Zhaporizhzhia. Raportimet e mediave ndërkombëtare, përfshirë edhe disa në Shqipëri e ‘shitën’ këtë ngjarje si triumf të Rusisë dhe dështim të Perëndimit, saktësisht NATO-s. Por një analizë e Faktoje sjell disa të vërteta, që propaganda ruse ia ka dalë t’ia fshehë syve të publikut që po merr të mirëqenë se 4 rajonet ukrainase i janë bashkëngjitur  ‘me vullnet të lirë’ Rusisë.

Barbara Halla

Në ditën e fundit të muajit, Putin firmosi dokumentet përmes të cilave pretendon të marrë kontroll mbi sovranitetin e 15% të territorit ukrainas, në atë që gazeta amerikane New York Times e quajti krijimin “e një realiteti paralel, në të cilin Rusia pretendon se ushtron sovranitet mbi mijëra kilometra katrorë të territorit që ushtria e saj në fakt nuk e kontrollon.” Pikërisht këtu qëndron absurditeti i këtij aneksimi, që erdhi pak ditë pas përfundimit të disa referendumeve të dyshimta që me gjasë treguan mbështetjen e paqenë për t’iu bashkangjitur Rusisë si territor i kësaj të fundit: sado dokumente të firmosë Putini, ai nuk ka kontroll të plotë ushtarak mbi asnjë nga katër territoret dhe për më tepër, në arenën ndërkombëtare, vetëm Koreja e Veriut e njeh aneksimin si të mirëqenë.

Burim: BBC

Në përgjithësi mediat shqiptare e portretizuan këtë aneksim me skepticizmin me të cilin ai është pritur nga qeveritë dhe mediat ndërkombëtare. Megjithatë, pati disa prej tyre që përçuan mesazhet e Putinit pa kontekst, duke shpërndarë kështu propagandën ruse për ngjarjet në Ukrainën juglindore. Në rastin e gazetës Koha Jonë, shkruhet:

Burimi: Koha Jonë

Nga ana tjetër, edhe ato portale të cilat morën anën e Ukrainës, e konsiderojnë aneksimin një fakt të qenë dhe një problem të madh nga ana e boshtit perëndimor dhe NATO, siç qe dhe rasti i lajmit të mëposhtëm:

Burim: ParsToday

Në mbulimin e zhvillimeve për aneksimin e deklaruar nga Rusia, është jetësore të bëhet dallimi midis pretendimeve dhe propagandës ruse dhe realitetit në terren. E njëjta gjë vlen edhe për referendumet që u mbajtën pikërisht për të krijuar iluzionin e legjitimitetit.

Referendumet nën hijen e pushkës dhe dhunës

Midis 23 dhe 27 shtatorit, Rusia organizoi referendume në katër rajonet e sipërpermendura (Donjetsk, Luhansk, Kherson, dhe Zhaporizhzhia) për të krijuar pikërisht iluzionin se banorët e tyre dëshirojnë t’i bashkëngjiten Rusisë. Këto “referendume” u pritën me zemëratë dhe kundërshtime nga Perëndimi, si dhe Kombet e Bashkuara apo NATO. Që në ditët e para të këtyre referendumeve filluan të vërshonin lajme se ushtarë rusë po trokisnin në dyert e banorëve për t’u siguruar se po bënin “zgjedhjen e duhur.”

Në orët e para të datës 27 shtator, mediat ruse filluan të raportonin një mbështetje gati unanime pro bashkimit me Rusinë nga të katërt rajonet e Ukrainës. Sipas këtyre rezultateve, mbi 98% e pjesëmarësve në republikat e vetëshpallura të Donetsk dhe Luhansk votuan pro në referendum. Këto shifra ishin po ashtu të larta në rajonin e Zaporizhzhia me 93%, dhe 87% në rajonin e Kherson. Por sa të vërteta janë këto shifra? Me shumë gjasa tërësisht të rreme.

Edhe në rajone me një marrëdhënie kulturore dhe historike me Rusinë, nuk ka pasur kurrë një mbështetje të gjerë për t’iu bashkuar Rusisë. Në një sondazh të kryer nga amerikanja CNN para nisjes së luftës, në asnjë rajon të vendit nuk kishte më shumë se 20% suport për bashkimin me Rusinë dhe këto numra vlejnë edhe për rajonet lindore që janë më pro-ruse. Për më tepër, lufta vazhdon ende në këto rajone që nuk janë akoma nën kontrollin e Rusisë, për të mos folur për faktin që shumica e popullsisë është arratisur që nga nisja e luftës.

Si i arriti Rusia këto numra kaq të lartë? Kryesisht përmes mashtrimit dhe kërcënimeve. Serhii Hayday, kreu ukrainas i administratës ushtarake të rajonit të Luhanskut, tha në Telegram se autoritetet me roje të armatosura po shkonin derë më derë për të mbledhur vota.

“Nëse dikush voton kundër bashkimit me Rusinë, të dhënat regjistrohen në disa fletore.” Sipas Hayday, Rusia përdori edhe propagandën për të frikësuar popullatën, duke përhpaur thashetheme se njerëzit që votojnë kundër i zhdukin. Një arsye tjetër që mund të shpjegojë numrin e lartë të votuesve, është fakti se këto zona janë ripopulluar me rusë të cilëve u është lejuar të votojnë në referendum.

Çfarë po pretendon Putini nga aneksimi i shpejtë i këtyre rajoneve?

Pavarësisht mediave që mund ta kenë portretizuar aneksimin e Ukrainës juglindore si një humbje nga ana e Perëndimit, e vërteta është ndryshe: Rusia nuk ka kontroll të plotë në asnjë nga rajonet që pretendon se ka aneksuar. Në fakt luftimet jo vetëm që vazhdojnë, por në javët e fundit forcat ukrainase kanë përshpejtuar kundërsulmet ndaj ushtrisë ruse duke arritur fitore kyçe dhe rimarrjen e disa territoreve. Në këtë kontekst, aneksimi i Donjetskut, Luhanskut, Khersonit, dhe Zhaporizhzhias i nevojitet Putinit për të legjitimizuar më tej përballë qytetarëve rusë luftën që po vazhdon në Ukrainë, sidomos ndërsa lajmet e fitoreve ukrainase përhapen.

Së dyti, ekspertët e sigurisë e shohin këtë si hapin tjetër që i nevojitet Putinit për të përshkallëzuar përgjigjen ndaj forcave Ukrainase duke pretenduar se territori i Rusisë (që tani përfshin këto rajone sipas ligjit rus) tani është cënuar nga Ukraina. Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov pohoi diçka të ngjashme në fund të shtatorit, duke thënë se Moska ka të drejtën të “mbrojë plotësisht” zona që janë tashmë pjesë e territorit të saj. Ekziston pastaj edhe problemi i 700,000 rusëve që janë arratisur nga Rusia për t’i shpëtuar shërbimit të detyruar ushtarak. Duke konsideruar këto territore si pjesë të Rusisë, Putini mund t’i detyrojë banorët të bëhen pjesë e ushtrisë ruse.

Në ceremoninë e 30 shtatorit, Putin dha detaje fillestare për planet që do të pasojnë këtë aneksim të shpallur, duke përfshirë përdormin e rublës duke filluar nga janari 2023, si dhe krijimin e organeve federale ruse brenda qershorit të vitit të ardhshëm. Por sado Putin mund të nënshkruajë letra aneksimi, e vërteta në terren është ende e paqartë. Lufta vazhdon, dhe komuniteti ndërkombëtar e ka bërë të qartë që nuk do t’i njohë këto territore si pjesë të Rusisë, dhe pritet të kundërpërgjigjet me sanksione të tjera. E ardhmja vazhdon të mbetet pasigurtë.

Foto kryesore marrë nga New York Times

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor