Një video që pretendon se tregon kufomat palestineze që lëvizin po përdoret në rrjet si ‘provë’ se palestinezët po inskenojnë vdekjet. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se video është e vitit 2013 dhe tregon një protestë studentore në Egjipt.
——————————————————
Në rrjete sociale po qarkullon një video që duket se tregon trupa të mbuluar me çarçafë të bardhë si kufoma, duke lëvizur. Ajo po përdoret për të pretenduar se palestinezët kanë inskenuar apo fryrë numrin e viktimave në Gaza.
Me anë të motorit të kërkimit Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se video e mësipërme është botuar fillimisht në Youtube 10 vite më parë, në 2013.
Titulli i videos së botuar nga gazeta egjiptiane Al-Badil përkthehet nga arabishtja në: “Një pasqyrim trupash të vdekur në Universitetin Al-Azhar.”
Përshkrimi që shoqëron videon shpjegon se një numër studentësh nga Vëllazëria Muslimane organizuan një protestë të madhe përpara godinës administrative të Universitetit Al-Azhar në Kairo, Egjipt.
Një artikull i gazetës egjiptiane Ahram, botuar në 26 tetor 2013, raportonte për këtë protestë të studentëve. Këta të fundit po protestonin grushtin e shtetit që rrëzoi presidentin islamist Mohamed Morsi, dhe kërkonin rikthimin e tij në pushtet.
Në 3 korrik 2013, gjenerali i ushtrisë egjiptiane al-Sisi kryesoi grushtin e shtetit që rrëzoi presidentin egjiptian Morsi dhe pezulloi kushtetutën e vitit 2012.
Video e mësipërme është përdorur edhe në vitin 2018, sërish për të pretenduar se palestinezët po inskenojnë vdekjet.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, mbi 8300 palestinezë janë vrarë që nga 7 tetori 2023.