Video e një makine të tejmbushur me fëmijë po shpërndahet në rrjet me pretendimin se shoferi i saj pranoi se fëmijët do të shiteshin për trafikim seksi dhe organesh. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se në të vërtetë aksioni i policisë zbuloi një kundravajtje rrugore të një mësuese që po shpërndante nxënësit në shtëpi me makinën personale.
—————————————
Një video ku tregohet një makinë e tejmbushur me fëmijë po qarkullon në rrjete sociale, përfshi edhe ato shqipfolëse, shoqëruar me pretendimin se “një shofer musliman u arrestua ndërsa transportonte në mënyrë të dyshimtë 25 fëmijë në Uzbekistan. Në fund, ai pranoi se fëmijët shiteshin për qëllime seksuale dhe korrje organesh.”
Pretendimi për një trafikant fëmijësh, duke i veshur edhe përkatësinë fetare shoferit të makinës, duket se është një lajm i rremë dhe dashakeqas që qarkullon në rrjet.
Policia e Uzbekistanit ka publikuar një version më të gjatë të videos në Youtube, më 16 shtator 2023.
Titulli i videos së publikuar nga policia nuk përmend trafikim fëmijësh për qëllime seksuale apo marrje organesh.
Sipas përkthimit që Reuters i ka bërë videos së mësipërme: “Pasi policia e trafikut foli me shoferen u kuptua se shoferja po i çonte këta fëmijë nëpër shtepi nga kopshti ku ajo punon. Megjithëse ajo thotë se kjo është hera e parë që po kryente të tillë shkelje rrugore dhe neglizhencë, pyesim veten nëse prindërit e këtyre fëmijëve janë në dijeni të faktit që ata trajtohen kështu. A janë prindërit, të cilët i kanë besuar jo vetëm kujdesin, por edhe jetën e fëmijëve, në dijeni të situatës?”
As raportimet e mediave vendase nuk përmendin në ndonjë moment qëllime trafikimi njerëzor.