Pretendimi: Kjo video tregon kryeministrin Rama të droguar dhe çorientuar

Verdikti: Gjeneruar me AI

—————————————————————-

Një video që ka marrë mbi 6 mijë pëlqime në Facebook duket se tregon kryeministrin Edi Rama me pluhur të bardhë në fytyrë dhe të çorientuar. Video shoqërohet me tekstin “Nëse droga është një nga kushtet për t’u futur në BE, ….atëherë na është bërë një padrejtësi”. Një pjesë e mirë e komenteve e kanë marrë për të mirëqenë si reale këtë video që do të përbënte një lajm bombë në rast se e vërtetë.

Video e mësipërme përmban një mbishkrim që tregon llogarinë e TikTok që e ka postuar, më specifikisht llogaria me emër “shqiperietnike.official.”

Megjithëse galeria e postimeve të kësaj llogarie nuk përfshin më videon e sipërme, disa nga postimet e saj i përngjasojnë asaj. Personazhet në to janë politikanë shqiptarë në situata qesharake dhe videot kanë treguesit e zakonshëm të videove të gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificale (AI). 

Më specifikisht, këto video duket se janë gjeneruar nga një foto fillestare që i ‘ushqehet’ programit krahas një ‘udhëzimi’. Programi prodhon një video të animuar nga kjo foto.

Faktoje ka përgënjeshtruar dhe prodhuar vetë video të tilla më parë.

Video e Ramës së droguar duket se është prodhuar nga një foto që ka vite që qarkullon në rrjet. Ajo është postuar, ndër të tjera, edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha në 2019.

Faktoje ka treguar më parë se kjo foto është e manipuluar. Ky version i saj është shfaqur fillimisht në një portal grek në 2018. Ai është krijuar duke mbivendosur kokën e Ramës, marrë nga një foto e vërtetë e tij, mbi trupin e dikujt tjetër.

Foto origjinale e Ramës