INVA HASANALIAJ & MERXHAN DACI
Shqipëria dhe Kosova, dy shtetet e të njëjtit komb pësuan ndarje jo vetëm në qëndrim sa i përket nismës së “Shengenit Ballkanik”. Nisma që u lançua vetëm pak ditë para se BE të refuzonte negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë, e distancoi Kosovën. “Faktoje” iu rikthye deklaratës së ministrit të Jashtëm në detyrë Gent Cakaj thuajse një muaj më parë.
————————————————————————————————————————————————————-
Kryeministri i Shqipërisë Rama, presidenti i Serbisë Vuçiç si dhe kryeministri maqedonas Zaev patën një tjetër takim në 9 nëntor në Ohër, pas takimit të Novi Sadit një muaj më parë në kuadër të “Shengenit Ballkanik”.
Pas takimit trepalësh mes tyre, në një tjetër takim janë bashkuar Kryetari i Këshillit Presidencial i Bosnje e Hercegovinës Denis Zvizdiç si dhe ministrja e Ekonomisë së Malit të Zi, Dragica Sekuliç.
Ajo që ra në sy ishte mungesa e një përfaqësuesi nga shteti i Kosovës.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u shpreh se ka refuzuar pjesëmarrjen në Samitin e Ohrit. Ky vendim siç u shpreh ai u bazua në disa argumente:
Së pari, Kosova, qëllimshëm ishte anashkaluar nga Serbia në Samitin e Parë të kësaj iniciative të re rajonale.
Së dyti, vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO
Së treti, kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
“Faktoje” iu rikthye deklaratës së një muaji më parë Ministrit në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj.
Cakaj deklaroi se Shqipëria do të tërhiqet nga nisma për të krijuar një “Shengen Ballkanik” nëse Kosova nuk lejohet të bëhet pjesë e barabartë e saj.
“Nëse Kosova përjashtohet nga ky bashkëpunim, Shqipëria tërhiqet nga ky bashkëpunim automatikisht”-tha ministri në detyrë Cakaj në datën 23 tetor 2019 në një emision televiziv në Kosovë.
Ajo që pasoi këtë deklaratë të Cakajt që është edhe vetë nga Kosova, ishte mospjesëmarrja e vendit të tij të origjinës, Kosovës në takimin e Ohrit.
Ndërkohë Shqipëria e përfaqësur nga kryeministri Rama shprehu gatishmërinë për përparimin e kësaj nisme, por Rama e konsideroi mospjesëmarrjen e Kosoves në këtë takim si vetpërjashtim.
Nisur nga refuzimi i Kosovës për përfshirjen në nismën e Shengenit Ballkanik dhe vijmit të Shqipërisë në këtë nismë pavarësisht mungesës së Kosovës, deklarata e ministrit në detyrë Gent Cakaj është çorientuese dhe “Faktoje” e lë pa kategori.