Veliera në Durrës është një prej projekteve që po zvarritet prej vitesh. Kryebashkiakja Emiriana Sako deklaroi në muajin gusht të 2020-s se projekti do të përmbyllej në tetor, por kur ka kaluar më shumë se një vit nga ky zotim, Veliera është ende një strukturë metalike e papërfunduar. Faktoje mësoi zyrtarisht nga Bashkia e Durrësit se punimet për projektin janë në fazën e katërt, por nuk ndihet ende kur pritet të përfundojë. Sipas të dhënave nga ‘Open Procurement’, kostot për ndërtimin e “Velierës” janë dyfishuar.
………………………………………………………….
“Veliera” është një ndër projektet që ka shkaktuar më së shumti debate dhe përplasje në qytetin bregdetar dhe jo vetëm. Punimet për projektin kanë nisur që në dhjetor të vitit 2016 dhe kur kanë kaluar më shumë se 5 vite, “Veliera” nuk ka përfunduar ende. Sipas të dhënave të Open Procurement, fondi fillestar ishte 487 461 000,00 lekë, ndërkohë në kontratën shtesë, që mban datën 26.05.2020 ka shtim të fondit, i cili kap vlerën e 84 981 120,00 lekëve.
“Punimet po bëhen për ndërtimin e bazamentit të këmbëve dhe tani jemi në pritje të mbërritjes nga Italia të pjesëve të munguara të Velës. Më pas do të vijohet me montimin e saj dhe në tetor pritet që projekti të përmbyllet. Pas përfundimit të kësaj kontrate do të vijohet me një fazë tjetër që ka të bëjë me veshjen e Velës me materiale, të cilat do të zgjidhen nga studio projektuese në bashkëpunim me Bashkinë Durrës”, tha kryebashkiakja Sako në gusht të 2020-s.
Një vit pas premtimit të Sakos, saktësisht në gusht të 2021, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë Durrës, për të mësuar se në çfarë faze ishin punimet për Velierën. Zyrtarisht ky institucion njofton se investimi nuk ka përfunduar ende, teksa shton se Bashkia ka kërkuar fonde për realizimin e saj.
“Për sa i përket objektit Vela deri tani kanë përfunduar të treja fazat dhe për përfundimin e investimit, Bashkia ka kërkuar fond. Fondi për të treja fazat është 864.063.492 lekë”, thekson Bashkia Durrës.
Përgjigja e Bashkisë Durrës
Por, duke qenë se përgjigjia e Bashkisë Durrës ishte e paplotë, Faktoje iu drejtua sërish me një kërkesë për informacion këtij institucioni më 24 dhjetor 2021. Zyrtarisht Bashkia Durrës bën të ditur se punimet e Velierës janë në fazën e katërt.
“Për proceduren e fazës së 4 të Velierës jemi në fazën e njoftim të fituesit për lidhjen e kontratës, e cila do të lidhet midis Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe operatorit fitues”, sqaron Bashkia.
Përgjigjia e Bashkisë Durrës për Faktoje, 13 janar 2022
Faktoje vendosi të bëjë një verifikim në terren në qytetin bregdetar më 23 nëntor 2021, për të parë si kishin ecur punimet për Velierën. Ne pamë nga afër projektin e shumëdiskutuar, por biseduam edhe me banorë të Durrësit, të cilët shfaqën hapur zhgënjimin e tyre për Velierën.
Veliera në Durrës, nëntor 2021
“Hekura dynjaja, tonelata hekuri që nuk dihet sa lekë është paguar nga djersa jonë. Para se të ngriheshin këto hekura shihej deti direkt kur vije nga poshtë, gati 1-2 km larg. Tani e ka bllokuar detin, nuk e sheh më”, tha një i moshuar në Durrës.
Një tjetër banor i tha Faktojes se nuk e di as kuptim që ka ky “objekt abstrakt”, i cili sipas tij po zvarritet për vite e vite të tëra.
Veliera në Durrës, nëntor 2021
“Një objekt abstrakt që nuk e kuptojmë se çfarë është. Shohim çdo ditë disa hekura të ngritura mbi kokat tona dhe asgjë tjetër. Nuk e kemi dashur si projekt dhe as nuk e duam”, u shpreh një banor rreth të 40-ve.
Prej vitesh ka pasur një betejë ligjore mes Bashkisë së Durrësit dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, ku këta të fundit kanë depozituar kërkesa për prishjen e plotë të “Velierës”. Në muajin prill të vitit 2021, Gjykata e Apelit vendosi të vazhdojë hetimet për projektin “Veliera”.
Në 7 dhjetor të vitit 2016, nisën punimet për sheshin “Veliera” në Durrës dhe mediat asokohe raportonin se në tabelën e investimit publik nuk kishte të dhëna sqaruese, përveç emrit të firmës fituese të tenderit.
Projekti për rregullimin e sheshit para Portit të Durrësit është përgatitur nga studio shqiptare e arkitekturës ERALD -G + ARKONSTUDIO dhe një studio e njohur arkitekture nga Italia, ARCHEA.
“Sheshi i ri publik do të ketë një sipërfaqe prej 12 mijë metrash katrorë dhe vela mbi të do të jetë 2 mijë metra katrorë. Vlera e të gjithë këtij projekti do të jetë rreth 4 milionë dollarë. Arkitekti i njohur italian, drejtues i studios ‘Archea’, Marco Casamonti, ka prezantuar me detaje teknike projektin e ri ‘Veliera, i cili sipas tij, do të jetë një nga simbolet moderne të Durrësit.
Ajo që sot është veçse një vendkalim makinash i mbingarkuar nga trafiku dhe nga kalimi i pandalur i automjeteve, së shpejti do të kthehet një hapësirë për këmbësorin, për argëtimin dhe një pikëtakimi në ambient të hapur, por e mbuluar”,- u bë e ditur gjatë prezantimit të projektit.
Si pritet të jetë Veliera, foto nga projekti
Nisur nga deklarata e kryebashkiakes Sako, përgjigjia e Bashkisë Durrës dhe verifikimi në terren, këtë premtim do ta kategorizojmë TË PAMBAJTUR.