BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingA u fuqizua shërbimi publik për shëndetin mendor pas pandemisë dhe çfarë alarmi ngrenë ekspertët për të ardhmen

A u fuqizua shërbimi publik për shëndetin mendor pas pandemisë dhe çfarë alarmi ngrenë ekspertët për të ardhmen

Esmeralda Keta

Më 10 tetor 2021, Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, ministrja e Shëndetësisë u zotua për prioritetet në këtë sektor, edhe nën dritën e pandemisë. Të dhënat e hulumtuara nga Faktoje dëshmojnë se ky shërbim nuk është shoqëruar me buxhet shtesë, numri jeshil për ndihmë psikologjike falas nuk funksionon, ndërsa qendrat komunitare janë të pamjafueshme dhe të pamundura të kryejnë misionin sipas ligjit të miratuar në 2012. Shifrat ndërkohë tregojnë dyfishim të vizitave tek psikiatri, në krahasim me periudhën para pandemisë. Ekspertët janë të alarmuar dhe paralajmërojnë se nëse qeveria nuk bën një depistim për mirëqenien e shëndetit mendor të popullatës, do të gjendet përpara sfidave më të mëdha.


“Trajtimi i problemeve të shëndetit mendor, do të jetë në fokusin e politikave tona, nën dritën e pandemisë. Fuqizim i kujdesit parësor për identifikimin e hershëm dhe trajtmin në kohë të çrregullimeve të shëndetit mendor. Zgjerim të rrjetit të ofrimit të shërbimeve alternative në territor.”- premtonte ndër të tjera ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu, në një postim në rrjetet sociale, më 10 tetor 2021, Ditën Botërore të Shëndetit Mendor.

Statusi në rrjetin social “Facebook” i ministres së Shëndetësisë, më 10 tetor 2021

 

S.M. 67 vjeç, banuese në Tiranë nuk u paraqit asnjëherë pranë qendrës shëndetësore, pasi thotë se nuk ka besim tek shërbimi publik.

“Me thënë të drejtën as e kam çuar ndërmend të shkoj tek qendra shëndetësore, por kam pyetur se cilët mund të ishin mjekët më të mirë. Mendja është një gjë shumë e madhe, e nuk mund ta lë veten të ma trajtojë gjithkush.” – thotë skeptike 67 vjeçarja, e cila për disa vite ka jetuar në SHBA ku ka bërë edhe ekzaminime apo ka marrë kura për probleme me shëndetin.

Shenjat e para të depresionit iu shfaqën menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Pagjumësia, paniku dhe një parehati e shqetësonin vazhdimisht.

Por kjo nuk ishte asgjë krahasim me situatën mendore që 67 vjeçarja, nga Tirana përjetoi me shfaqjen e pandemisë.

E fiksuar pas lajmeve në TV rreth pandemisë, paniku dhe ankthi filluan të bëheshin gjithnjë e më mbizotërues, ndërsa humbja e të vëllait nga covid 19 gjatë verës së vitit 2020 e rëndoi së tepërmi shëndetin e saj mendor.

Frika nga infektimi me covid, ndërsa rrinte në radhë në institucionet publike, e bëri që të zgjidhte të trajtohej në një klinikë private.

“Isha përpjekur t’i mbaja të gjitha përbrenda dhe të mos shqetësoja anëtarët e tjerë të familjes. Kur pashë se situata po më dilte nga kontrolli, u drejtova tek një mjeke psikiatre” – tregon për Faktoje e moshuara, e cila që prej një viti e gjysmë po trajtohet me barna psikotikë.

Ajo u diagnostikua me çregullime të forta të depresionit, ndaj edhe kura ishte mjaft e fortë.

Receta e një pacienti për trajtimin e problemeve të shëndetit mendor

 

“Po të mos kisha marrë medikamente, kam dyshime nëse sot do të isha gjallë. Unë kisha kaq shumë frikë nga covid, por kur më zuri e mora me shumë qetësi. Mendoj se e kisha nga ilaçet atë lloj qetësie.” – shpjegon S.M.

Pas përmirësimit të situatës ajo tashmë ndjek një terapi më të lehtë.

Njësoj si 67 vjeçarja, mijëra shqiptarë u prekën gjatë pandemisë nga probleme të forta të shëndetit mendor.

Arjana Rreli, mjeke psikiatre pranë qendrës komunitare nr.3 në Tiranë, konfirmon se shifrat e atyre që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor janë rritur ndjeshëm nga pandemia.

Sipas saj, me kalimin e ditëve të kësaj posttraume, që në fakt shoqëroi post- traumën e tërmetit, rritja e numrit të vizitave filloi të dukej që në nisje të vitit 2021 dhe shënoi pikun në dhjetor 2021, me thuajse dyfishim të numrit të vizitave.

“Përpara pandemisë një regjistër i yni do të mbyllej me shifrën 4-5 mijë vizita në vit, sot që flasim kemi arritur në shifrën mbi 7 mijë, që e parë edhe në mënyrë naive tregon trendin e rritjes.” – i tha Faktojes mjekja psikiatre, Arjana Rreli, gjatë një interviste në dhjetor 2021.

Sipas saj, numri i të prekurve nga problemet psikologjike është edhe më i lartë, po të llogarisësh se jo të gjithë kërkojnë ndihmën e psikiatrit që në fillim.

“Pjesa më e madhe vijnë kur sëmundja është agravuar dhe kanë nevojë për ndërhyrje medikamentoze. Sigurisht që ne në qendrën tonë, ofrojmë edhe shërbime këshillimi, por ata që vijnë tek psikiatri janë ata që kanë nevojë për ilaçe.” – thotë Rreli, e cila tërheq vëmendjen që asnjëherë këto ilaçe të mos merren pa rekomandimin e mjekut.

Rreli tregon se grupmosha më e prekur është nga ajo nga 20-50 vjeç.

“Është grupmosha që merr më shumë përgjegjësi, që ka më shumë ambicie dhe pandemia kompromentoi pritshmëritë dhe iniciativat që kishin, duke i bërë më të ndjeshëm dhe më të ekspozuar ndaj problemeve të shëndetit mendor.” – përfundon ajo.

Mjekja psikiatre, Arjana Rreli

Pavarësisht numrit të lartë të personave që kanë nevojë për këtë shërbim, vëmendja e qeverisë ndaj këtij sektori delikat rezulton të jetë e vakët.

Për eksperten e OBSH, njëherësh edhe juriste Erinda Bllaca, e cila ka monitoruar shërbimin e shëndetit mendor në kuadër të disa projekteve, ajo çka raportohet nga institucionet është vetëm maja e ajsbergut.

“Raporti i atyre që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor ishte 1 me 4, pra në çdo 4 persona, njëri vuante nga shqetësime të shëndetit mendor. Ndërsa sot ky raport është 1 me 2.7” – vëren Bllaca, e cila i referohet të dhënave për vizitat e shtuara mjekësore, urgjenceva të shumta, raportimeve të mbërritura në numrat jeshil që Ministria e Shëndetësisë, vuri në funksion gjatë pandemisë.

Ndërsa numri i personave që kanë shfaqur probleme të shëndetit mendor përgjatë pandemisë së covid 19, ka pësuar rritje me thuajse 50 %, prioriteti i këtij shërbimi publik është shumë larg premtimeve.

Referuar buxhetit afatmesëm të Ministrisë së Shëndetësisë, fondi i vënë në dispozicion për vitin 2021 ishte 843 mln lekë, një buxhet statik që nuk pëson dryshime as në vitet pasardhëse. Për vitin 2022, pavarësisht premtimeve për prioritet, kjo nuk është reflektuar në buxhet, pasi për shëndetin mendor jepet një fond lehtësisht më i ulët se në 2021, prej 842. 4 mln lekë fond i cili mbetet në të njëjtin nivel deri për vitin 2024.

Parashikimet në buxhetin afatmesëm për shërbimet psikiatrike

 

Faktoje bëri një verifikim edhe për numrin jeshil 0800 40 40 të shpërndarë nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manistirlliu, i cili rekomadohet për të marrë ndihmë psikologjike falas, por rezultoi se ky shërbim nuk ofrohet.

Telefonata njofton se kjo është një linjë për informacione rreth covid 19, ndërsa personi që u përgjigj në anën tjetër të telefonit tha se për momentin nuk ofrohen këshilla për shëndetin mendor. Megjithatë ajo kërkoi emër, mbiemër dhe numër telefoni që t’i referonte si rast që më pas personat përgjegjës të mund ta kontaktojnë pacientin.

Mënyra se si ofrohet shërbimi për shëndetin mendor në vendin tonë, i është nënshtruar në vitin 2012 një reforme që kishte synim deinstitucionalizimin. Kjo reformë pararashikonte që në spitale të trajtohen vetëm rastet urgjente, dhe pjesa tjetër ta marrë shërbimin në qendrat e shërbimit komunitar.

Por edhe zgjerimi i shërbimeve alternative rezulton një premtim i pambajtur. Aktualisht në vendin tonë janë 10 qendra komunitare, nga të cilat 7 janë shtetërore dhe 3 të tjera financohen nga organizatat humanitare. Deri më tani mësohet se nuk është shtuar asnjë qendër e re.

Faktoje i dërgoi një listë pyetjesh Ministrisë së Shëndetësisë që lidhen me ofrimin e shërbimit për shëndetin mendor, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk morëm një përgjigje.

Faksimile e pyetjeve dërguar Ministrisë së Shëndetësisë me date 16 janar 2021

 

Eskpertja e OBSH, Erinda Bllaca, është skeptike për qasjen e qeverisë ndaj shëndetit mendor.

“Duke mos pasur as qendra të shërbimeve apo terapive mbështetëse që mund të prokurohen për organizata të shoqërisë civile të specializuara ose që ofrojnë shërbimet për këtë kategori njerëzish, gjithçka është katalizuar në duar të qendrave komunitare. Dhe qendrat komunitare a i përgjigjen nevojës në rritje apo 1.2 mln banorëve të Tiranës? Jo! Në mënyrë absolute Jo!” – thotë Bllaca.

Ajo ka qenë pjesë e skuadrës që ka skanuar transparencën në sistemin shëndetësor, veçanërisht për shëndetin mendor, nga USAID, përgjatë 2018 dhe mendon se deinstitucionalizimi, që parashikon shpërndarjen e këtyre të sëmurëve tek qendrat komunitare, është shumë larg realizimit të asaj që parashikon ligji.

Deinstuticionalizimi u fut në ligjin e shëndetit mendor në 2012 dhe 4 spitalet më të mëdha në vend u zbrazën nga të sëmurët kronikë dhe aktualisht në to synohet trajtimi vetëm i urgjencave.

“Ligji është shumë përparimtar, por në fakt nuk është respektuar. Për të bërë deinstitucionalizim duhet të ishte shtuar numri i qendrave komunitare, numri i mjekëve psikiatër, nga 46 në 2012 deri sot që ka shkuar në rreth 300 bashkë me specailizantët.” – thotë ajo.

Sipas Bllacës qendrat komnutare jo vetëm nuk janë të mjaftueshme, por as nuk e kanë të qartë që janë konceptuar si qendra mbështetëse.

“Të sëmurët duhet të shpenzojnë ditën aty dhe të kthehen në shtëpi natën, kjo do të nënkuptonte deinstuticionalizimin. Këto qendra duhet së paku t’u ofrojnë këtyre të sëmurëve ato që u ofron familja: mbështetje, kujdes, aftësim, kontroll. Aktualisht qendrat komunitare bëjnë ndonjë kontroll periodik kur kanë kempet, nëse janë rehabilituar apo jo. Këto janë falsitete, sepse një i diagnostikuar i përhershëm nuk mund të ndryshojë statusin në të shëruar dhe t’i kërkosh rivlerësim.” – thotë ajo duke e konsideruar të papërmbushur misionin për të cilat janë krijuar këto qendra komunitare.

Kur vjen fjala tek impakti i pandemisë në shtimin e të prekurve nga sëmundje të shëndetit mendor, Bllaca është e alarmuar dhe paralajmëron se vetëm tani kanë filluar të shfaqen çrregullimet e para, por vitet që vijnë janë edhe më të vështira, pasi do të shfaqen edhe sëmundjet.

“Në qendrat komunitare shkojnë përgjithësisht ata që janë të diagnostikuar, mijëra të tjerë që bëjnë vetëm një episod, ikin në shtëpi. Ka ardhur momenti që shteti shqiptar të bëjë formularë on-line si tek e-albania, për shëndetin mendor, një screening total të popullatës dhe formularët të vlerësohen nga specialistë për nivelin e mirëqenies personale apo shëndetit mendor” – sugjeron ajo.

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img