BallinaFaktometerE PavërtetëVeliaj: Vetëm 2 godina në UBT do të akomodojnë studentë, 6 të tjera do t’i kushtohen teknologjisë

Veliaj: Vetëm 2 godina në UBT do të akomodojnë studentë, 6 të tjera do t’i kushtohen teknologjisë

Ina Allkanjari

Nga 8 ndërtesa si pjesë e procesit të ndërtimit në Universitetin Bujqësor të Tiranës, 6 do të përdoreshin për projektet për teknologjinë dhe vetëm 2 si konvikte, sipas një premtimi të kryebashkiakut Erjon Veliaj. Nga një verifikim i Faktoje, bazuar në përgjigjen zyrtare të Bashkisë Tiranë, rezulton se të gjitha godinat në UBT do të shërbejnë si konvikte për të akomoduar në total 2156 studentë. Sipas Bashkisë, është propozuar që vetëm një prej godinave të kampusit universitar do t’i kushtohet teknologjisë.

—————————————-

“Ne ndërtuam 8 godina në Universitetin Bujqësor të Tiranës, nga të cilat dy godina na duhen për studentët, kurse 6 ndërtesat e tjera do t’ia kushtojmë projekteve për teknologjinë. Njëra prej tyre është projektuar si hapësirë për Nanoteknologjinë”- tha në 20 dhjetor kreu i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj gjatë një bisede me përfaqësues të organizatave rinore dhe ekspertë në fushën e inovacionit.

Nisur nga kjo deklaratë, më datë 5 Janar Faktoje vendosi t’i dërgojë kërkesë për informacion Bashkisë Tiranë, ku ndër të tjera pyetëm se sa prej godinave qw po rindërtohen në UBT do të përdoren si konvikte, dhe për çfarë do të shërbejnë konkretisht godinat të cilat sipas kryebashkiakut Veliaj do t’i kushtohen projekteve për teknologjinë.

Screenshot, kërkesa për informacion drejtuar Bashkisë Tiranë datë 05.01.2022

Përgjigja e ardhur nga bashkia Tiranë bie në kundërshtim me deklaratën e kryebashkiakut, pasi ky institucion thekson se të gjitha godinat të cilat janë në proces ndërtimi në Universitetin Bujqësor të Tiranës do të shërbejnë si konvikte dhe do të akomodojnë në total 2156 studentë.

“Ndërtimi i godinave po realizohet sipas projekteve model tip, respektivisht tip 1 dhe tip 2, 5 kat dhe 8 kat, të cilat akomodojnë rreth 280 studentë secila. Në çdo objekt përfshihen funksione si: sallë leximi, sallë kompjuterash, holl i përbashkët, lavanderi, recepsion, administratë, ambiente magazinimi dhe shërbimi, ambiente teknike si dhe 2 kuzhina të pozicionuara në secilin kat”- thuhet në përgjigjen e bashkisë.

Screenshot, përgjigja e Bashkisë Tiranë datë 27.01.2022

Më tej Bashkia Tiranë specifikon se është propozuar që vetëm një prej godinave të kampusit universitar do t’i kushtohet teknologjisë, por ende nuk është marrë një vendim përfundimtar për këtë proces.

Rezidenca studentore nr.3, Universiteti Bujqësor i Tiranës, tetor 2021

Për të mësuar më shumë se sa prej godinave të cilat janë në proces rindërtimi në UBT, do të përdoren për akomodimin e studentëve dhe kur priten të jetë gati, Faktoje i dërgoi një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit.

Screenshot kërkesa për informacion drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Sportit

Në përgjigjen e saj, Ministria e Arsimit nuk jep asnjë informacion se sa prej godinave do të përdoren për akomodimin e studentëve dhe se kur do të jenë gati për të hapur dyert, por thekson se informacionin e kërkuar e disponon Bashkia Tiranë.

“Aktualisht këto konvikte janë në përfundim të fazës së rindërtimit nga Bashkia Tiranë, pra studentët që studiojnë pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, aktualisht janë akomoduar pranë rezidencave studentore që menaxhohen nga Drejtoria e Trajtimit të Studentëve, Tiranë ose në banesa me qera”- shkruan Ministria e Arsimit.

Screenshot, përgjigja e Ministrisë së Arsimit

Faktoje prej kohësh ndjek procesin e rindërtimit të rezidencave studentore në Tiranë, në kuadër të transparencës dhe llogaridhënies së insitucioneve përgjegjëse të këtij procesi. Në prill të vitit 2021, vetë kryebashkiaku Veliaj gjatë inspektimit të godinave studentore në UBT, konfirmoi se po ndërtohen 8 godina të cilat do të përdoren për të akomoduar mbi 2000 studentë.

Nisur nga verifikimi i kryer, vendosëm që deklaratën e kryebashkiakut Veliaj se 6 prej ndërtesave në UBT do t’ia kushtojnë projekteve për teknologjinë, do ta kategorizojmë si “Të Pavërtetë”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img