BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingAnglishtja në klasë të parë premtim i mbajtur, por çfarë thonë prindërit dhe psikologët

Anglishtja në klasë të parë premtim i mbajtur, por çfarë thonë prindërit dhe psikologët

Një nga premtimet e kryeministrit Rama gjatë prezantimit të programit të PS në fushatën për zgjedhjet e 25 prillit, ishte aplikimi i gjuhës angleze që në klasën e parë duke filluar nga viti shkollor 2021-2022. Nga verifikimi rezulton se ky zotim po gjen zbatim. Mirëpo, prindër, psikologë dhe sociologë theksojnë se mësimi i gjuhës së huaj që në klasë të parë e mbingarkon fëmijën.

——————————————————

“Anglishtja do të nisë të mësohet kudo, në të gjitha shkollat e vendit që në klasë të parë. Është koha që të gjithë fëmijët e Shqipërisë të mësojnë anglishten nga njëra anë dhe gjuhën bazë të komunikimit dixhital nga ana tjetër”- deklaroi Rama më 16 mars 2021.

Në lidhje me këtë nismë, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, ku ndër të tjera e pyetëm sa nxënës të klasave të para po mësojnë gjuhën angleze në vitin shkollor 2021-2022 dhe sa mësues janë angazhuar për të zhvilluar procesin e mësimdhënies. Zyrtarisht DPAP bën të ditur për Faktoje se janë angazhuar 1061 mësues për mësimin e gjuhës angleze për nxënësit e klasës së parë.

Kërkesa për informacion dërguar DPAP, 24 janar 2021

“Në arsimin parauniversitar për vitin shkollor 2021-2022 zhvillojnë mësimin e gjuhës angleze në klasat e para 1061 mësues të gjuhës angleze. Këta mësues plotësojnë normën mësimore në klasat e tjera të Ciklit të Ulët (klasat e 2, 3 ,4 dhe 5) ose Arsimit të Mesëm të Ulët (6, 7, 8, 9 –të) të së njëjtës shkollë ose në disa shkolla sipas rastit. Në vitin shkollor 2021-2022 mësojnë gjuhën angleze 30 164 nxënës të klasave të para”- thekson Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar.

Por, mbi ç’baza është bërë përzgjedhja e teksteve të anglishtes për klasat e para? DPAP sqaron:

“Përzgjedhja e teksteve është bërë mbi bazën e Urdhrit të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, nr. 271, datë 21.07.2021, për një shtese në Urdhrin nr. 46, datë 16.03.2021 “ Për përzgjedhjen, shpërndarjen dhe shitjen e teksteve shkollore të klasave  të 1, 2, 3, 4, 9, 10, 11, 12, të sistemit arsimor parauniversitar për vitin shkollor 2021-2022 si edhe të Urdhrit nr. 46, datë 16.03.2021 “Për përzgjedhjen, shpërndarjen dhe shitjen e teksteve shkollore të klasave  të 1, 2, 3, 4, 8, 9, 10, 11, 12, të sistemit arsimor parauniversitar për vitin shkollor 2021-2022”.

Mirëpo, futja e anglishtes që në klasë të parë nuk është pritur mirë nga disa prindër. B.M. prind i një nxënësi në klasë të parë shprehet për Faktoje se djali i saj është i mbingarkuar me lëndët kryesore dhe sipas saj, lënda e anglishtes e ngarkon edhe më tepër.

“Vitin shkollor e nisëm fillimisht me vetëm dy orë mësim dhe gjithë barra për mësimin e fëmijës binte mbi ne prindërit. Unë që në fillim jam përqendruar te lëndët kryesore, Abetarja dhe Matematika, pasi vështirësia për një fëmijë që sapo është ulur në bankat e shkollës është e madhe. Fëmija në klasë të parë e ka të vështirë të përqendrohet, sepse nuk është mësuar ende me idenë që kjo është diçka serioze, jo si lojërat që është mësuar të bëjë deri tani. Anglishtja është ngarkesë për mua dhe djalin tim dhe është dytësore për nga rëndësia”- shprehet ajo.

Në lidhje me mësimin e anglishtes që në klasë të parë, kanë reaguar edhe psikologë e sociologë. Psikologia Marsida Sino, në një intervistë për “Gazetën SI” argumenton se futja e anglishtes që në klasë të parë është e përshpejtuar dhe minimalisht duhej të bëhej si program pilot, përpara se të shtrihej në të gjitha shkollat e vendit.

“Ne ende nuk kemi zgjidhur problemet me tekstet e abetares ku vetë mësuesit dhe prindërit kanë hasur vështirësi. Të gjitha këto mund të sjellin thellimin e fenomeneve si analfabetizmi funksional”- thotë Simo.

Edhe psikologia Entela Binjaku ndan mendimin se mësimi i gjuhës së huaj që në klasë të parë e mbingarkon fëmijën.

“Janë tepër të ngarkuar me abetaren dhe me matematikën për t´u shtuar dhe anglishten. Është ngarkesë e madhe psikologjike për fëmijët që përveç çdo gjëje tjetër që do të mësojnë në klasë të parë, të merren dhe me një gjuhë të huaj”, argumenton Binjaku.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img