.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookVaksinimi i kafshëve nga Fondacioni Gates nuk modifikon gjenetikën e zinxhirit ushqimor

Vaksinimi i kafshëve nga Fondacioni Gates nuk modifikon gjenetikën e zinxhirit ushqimor

Një video e milarderit Bill Gates ku ai shpjegon si fondacioni i tij po punon për të mbrojtur agrikulturën dhe bujqit kundër sëmundjeve po përdoret për të pretenduar se Gates do të modifikojë gjenetikën e kafshëve me anë të vaksinimit. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se këto pretendime bazohen në një keqinterpretim të çka Gates thotë në video.

—————————————

Një video e vitit 2018, kur miliarderi Bill Gates po vizitonte Edinburgh, po qarkullon së fundmi edhe në rrjetet sociale shqipfolëse.

Ajo është shoqëruar me pretendimin se “sipas eugjenistit miliarder Bill Gates, kafshët që hanë njerëzit kanë gjenetikë jo të përshtatshme. Dhe e vetmja mënyrë për të “rregulluar” këto gjenetikë është “vaksinimi” i kafshëve të përmendura me “vaksina” të reja mARN.”

klipin 38-sekondësh, të postuar edhe nga Departamenti për Zhvillimin Ndërkombëtar (DFID) i Mbretërisë së Bashkuar, Gates thotë: 

“Fondacioni Gates ka hyrë në partneritet me Departamentin për Zhvillimin Ndërkombëtar (DFID) të Mbretërisë së Bashkuar në lidhje me një numër të madh gjërash dhe, mes tyre, është dhe puna që ne bëjmë së bashku me blegtorinë. Duke i ndihmuar kafshët të mbijetojnë, ose duke bërë vaksina ose me anë të gjenetikës më të mirë, duke i ndihmuar të jenë më produktive. Kjo po bën ndryshim të madh. Unë isha në Etiopi duke parë se si jane pulat atje, duke bërë më shumë vezë, duke u ushqyer më mirë, edhe disa kursime të vogla për familjen. Edinburgh qëllon që është vendi ku shumë prej punës më të mire në botë ndodh, dhe prandaj DFID dhe Fondacioni Gates po financojnë shkencëtarët këtu.”

Siç shihet, Gates thotë “duke i ndihmuar kafshët të mbijetojnë, ose duke bërë vaksina ose me anë të gjenetikës më të mirë”. Ai nuk thotë se vaksinimi i këtyre kafshëve do të ndryshojë apo përmirësojë gjenetikën e tyre.

Sipas një artikulli të 2018, nga Universiteti i Edinburgh, përmirësimi apo “rregullimi” gjenetik i kafshëve të fermës mund të marrë formën e mbledhjes së të dhënave mbi kafshë që mbijetojnë dhe janë më produktive në mjedise të caktuara, për të zbuluar çfarë i veçon ato nga të tjerat. Më pas, ky informacion përdoret për të identifikuar kafshët më të mira për t’u përdorur në vijim për mbarështim. Vaksinimi nuk përfshihet në mënyrat e përdorura për përmirësimin gjenetik.

Për më tepër, pretendimi se “e vetmja mënyrë për të “rregulluar” këto gjenetikë është “vaksinimi” i kafshëve të përmendura me “vaksina” të reja mARN” nuk është konsistent në vetvete. Vaksinat mARN nuk ndryshojnë kodin gjenetik të organizmit. Nëse Gates do të donte të ndryshonte informacionin gjenetik të kafshëve, përdorimi i vaksinave mARN do të ishte një mënyre jo-efektive për ta bërë.

Nevojitet të shpjegohet gjithashtu edhe pretendimi në postimin që shoqëron videon se “nëpërmjet vaksinimit të zinxhirit ushqimor, Bill Gates dhe globalistët e tjerë kërkojnë të përfshijnë edhe të pavaksinuarit”. Nuk ka asnjë mundësi që vaksinat mARN të transmetohen nga kafshët tek njeriu nëpërmjet ushqimit dhe të ndryshojnë përbërjen qelizore të tij. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka konfirmuar tashmë se “Vaksinat mRNA nuk janë vaksina të gjalla virale dhe nuk ndërhyjnë në ADN-në e njeriu. Teknologjia e vaksinave mARN është studiuar me dekada, duke përfshirë në kontekstin e vaksinave kundër virusit Zika, tërbimit dhe gripit sezonal (influenza).”

Sipas shpjegimit të ofruar për BBC nga profesori Jeffrey Alond i Universitetit të Oksfordit: “Injektimi i mARN-së në një person nuk i bën asgjë ADN-së së qelizave njerëzore. Ajo funksionon duke e udhëzuar trupin të prodhojë një proteinë që gjendet në sipërfaqen e virusit korona. Sistemi imunitar pastaj mëson se si t’i njohë dhe prodhojë antitrupat kundër asaj proteine.”

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img