BallinaPertejVaksinimi anti-covid vazhdoi edhe ditën e zgjedhjeve, por faqja e MSH nuk publikon shifrat

Vaksinimi anti-covid vazhdoi edhe ditën e zgjedhjeve, por faqja e MSH nuk publikon shifrat

Vaksinimi i popullatës kundër Covid-19 ka vazhduar dhe përgjatë zgjedhjeve të 25 prillit. Këtë e konfirmuan për Faktoje stafet mjekësore të qendrave shëndetësore të kryeqytetit. Por që nga data 24 prill faqja zyrtare e Ministrisë së Shëndetësisë nuk ka bërë publike numrin e të vaksinuarve.


Faktoje bëri një vëzhgim të ecurisë së vaksinimit në qendrat shëndetësore të kryeqytetit, në sheshin Skëndërbej dhe në stadiumin “Air Albania”, ndërsa në vend vazhdonte numërimi i votave të 25 prillit.

Paraditen e 27 prillit ne shkuam në qendrën numër 1 që ndodhet në bulevardin Zhan D’Ark, pranë urës së Tabakëve, ku vaksinimi i qytetarëve kundër Covid-19 vazhdon pa ndërprerje sipas stafit mjekësor.

“Kemi vazhduar pa ndërprerje vaksinimin e qytetarëve.”- tregon infermierja, ndërkohë që kontrollon kartelën e qytetarit.

Edhe qytetarët shprehen që vaksinimi nuk është ndërprerë edhe pse ka pasur zgjedhje.

“Ne sapo e bëmë vaksinën Sinovax, po presim 30 minuta se kështu na tha mjekja, nëqoftësë ka ndonjë ndërlikim”-tregon një çift të moshuarish.

Qendra shëndetësore numër 1 në Tiranë, foto: Aurora Shpataj

Qendra tjetër ku bëmë vëzhgimin ishte ajo numër 3 në rrugën Siri Kodra.

Edhe aty, sipas stafit mjekësor vaksinimi ka vazhduar pa ndërprerje.

“Vazhdon vaksinimi me vaksinën Sinovax dhe Astra Zenecca”-tregon infermierja e qendrës 3.

Qendra numër 3 në rrugën Siri Kodra, Tiranw, foto: Aurora Shpataj

Vëzhgimin e vijuam në qendrën numër 9 që mbulon afërsisht mbi 68 mijë banorë dhe ka 19 mjekë familjeje e 9 infermierë që shërbejnë për vaksinimin.

“Vazhdojmë me vaksinimin me vaksinën Astra Zenneca dhe Sinovax. Ne as ditën e votimit nuk e kemi ndërprerë. Kemi shkuar të votojmë dhe më pas kemi ardhur në punë”- tregon infermierja e qendrës, ndërkohë që pret qytetarët për t’i vaksinuar.

Infermierja shton se:

“Deri më tani nuk kemi pasur ndonjë efekt anësor ose ndonjë raportim për efektet anësore nga ana e mjekëve të familjes.”

Qendra shëndetësore numër 9, Tiranë, foto:Aurora Shpataj

Faktoje shkoi dhe në qendrën numër 8 në zonën e ish Bllokut. Edhe aty vaksinimi ka vazhduar përgjatë zgjedhjeve elektorale.

“Kemi vazhduar pa ndërprerje, injektojmë vaksinën Astra Zenneca dhe Sinovax.”-tregon recepsionistja e qendrës.

Qendra numër 8 afër zonës së ish Bllokut, foto:Aurora Shpataj

Vëzhgimin e vazhdoi dhe me qendrën numër 5, në rrugën “Islam Alla”, ku stafi tregon që vaksinimi ka vazhduar me dy llojet e vaksinës Astra Zenneca dhe Sinovax.

“Jemi çdo ditë duke bërë vaksinime. Qytetarët vijnë çdo ditë dhe kërkojnë që të bëjnë vaksinën kundër Covidit. Nuk kemi pasur asnjë ndërprerje deri më tani”.-tregojnë stafi që bëjnë vaksinimet.

Qendra shëndetësore numër 5, rruga Islam Alla,foto:Aurora Shpataj

Faktoje shkoi dhe në sheshin Skëndërbej ku ekipet mjekësore na sqaruan:

“Nuk kemi pasur ndërprerje të procesit të vaksinimit. Aktualisht bëhet vaksinimi me vaksinën Sinovax. Vijnë me rekomandim nga mjeku i familjes.

Vaksinën Pfizer e bëjnë vetëm ato me sëmundje terminale dhe mjeku i familjes shënon në kartelë sugjerimin pwr vaksinën Pfizer në bazë të sëmundjeve që ka pacienti.”

Vëzhgimin Faktoje e përmbylli me stadiumin Air Albania. Edhe aty sipas stafit të vaksinimit kishte vazhduar pa ndërprerje.

“Vazhdon pa ndërprerje. Qytetarët vijnë me rekomandim nga mjeku i familjes.-shprehet stafi mjekësor.

Hyrja e parë e stadiumit Air Albania, foto:Aurora Shpataj

Ndërkohë një punonjës i aeroportit të Rinasit, tregon:

“Nuk kam ndonjë problem shëndetësor. Por meqë m’u dha mundësia, erdha për ta bërë me rekomandimin që mora tek mjekja e familjes. Do e zgjedh vetë çfarë vaksine do bëj.”

Faktoje komunikoi dhe me drejtuesen e ISHP,  Albana Fico njëkohësisht dhe anëtare e Komitetit Teknik të Ekspertëve, e cila konfirmoi se pavarësisht zgjedhjeve vaksinimi nuk është ndërprerë:

“Ka vazhduar pa ndërprerje edhe gjatë zgjedhjeve elektorale. Shëndeti i qytetarëve prevalon sipër çdo gjëje”-shprehet doktoreshë Fico.

Ndërkohë nga një kontroll që Faktoje bëri në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë rezulton se nuk është raportuar numri i qytetarëve të janë vaksinuar pas datës 24 prill .

       Screenshot nga faqja zyrtare e Ministrisë së Shëndetësisë.

Bazuar në raportimin e datës 24 prill deri më tani që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 391,361 doza të vaksinës ndaj COVID19, prej të cilave 301,482 vaksinime për persona mbi 60 vjeç.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img