BallinaPertejZgjedhjetNumërimi drejt fundit, konturohet rezultati për subjektin fitues

Numërimi drejt fundit, konturohet rezultati për subjektin fitues

Më shumë se 36 orë nga fillimi i numërimit, procesi duket se po shkon drejt përfundimit. Numërimi ka përfunduar në të paktën 9 nga 12 qarqet e vendit, dhe pjesa tjetër po shkon drejt kutive të fundit për qendrat respektive të votimit.

Sipas raportimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në orën 12:41, janë numëruar votat në 4877 nga 5199 Qendra Votimi në total. Rezultatet e deritanishme japin një projeksion të qartë për sa i përket numrit të mandateve, me Partinë Socialiste të cilës i ka mbetur vetëm të konfirmojë fitoren e zgjedhjeve. Nga një analizë paraprake, PS është aktualisht e projektuar për të marrë 74 mandate, duke e tejkaluar me 3 mandate numrin minimal që i nevojitet për të qeverisur vendin. Ajo ka arritur që të grumbullojë deri tani 708,276 vota në rang vendi, të cilat përbëjnë 48.66% të votave në total.

Partia Demokratike ka një përmirësim të ndjeshëm nga zgjedhjet e viti 2017 në të cilat mori vetëm 44 mandate (nga të cilat arriti të mbajë vetëm 43), dhe aktualisht projektohet që të marrë 59 mandate në rang vendi. Një shifër e tillë nuk është e mjaftueshme për të siguruar shumicën, edhe duke u marrë në konsideratë si koalicion opozitar, bashkë me Lëvizjen Socialiste për Integrim. PD ka siguruar deri në këto momente 573,341 në rang kombëtar, të cilat përkthehen në 39.39% të votave totale.

LSI mund të konsiderohet në planin personal si humbësja më e madhe në këto zgjedhje, duke u ridimensionuar në numër mandatesh në nivelet e vitit 2009, në të cilën bëri dhe koalicionin qeverisës me Partinë Demokratike. Aktualisht partia e zonjës Kryemadhi është e projektuar për të marrë 4 mandate, një diferencë e ndjeshme nga 19 mandatet e zgjedhjeve të vitit 2017. Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë deri në këto momente afërsisht 100 mijë vota në rang komëtar (saktësisht 99,890), ose 6.86% të votave totale. Në kampet e humbura nga LSI spikasin veçanërisht mandati i humbur në Berat dhe mandati i humbur në Vlorë.

Një ndër surprizat më të mëdha është dhe Partia Social Demokrate e zotit Tom Doshi, e projektuar aktualisht për të fituar 3 mandate, vetëm 1 më pak se LSI. Ky është një trefishim për partinë e zotit Doshi në krahasim me vitin 2017, kur mori vetëm një mandat në Shkodër. Dy prej këtyre mandateve janë siguruar pasi në Shkodër ka përfunduar numërimi, ndërsa edhe për mandatin në Tiranë duket vetëm çështje kohe. PSD ka marrë 32,623 vota në rang kombëtar, të cilat përbëjnë 2.24% të votave totale.

Një tjetër aspekt befasues i zgjedhjeve të këtij viti është edhe numri i lartë i votave të shpallura të pavlefshme, të cilat deri në këto momente numërohen në mbi 77 mijë vota nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ky është numër veçanërisht i lartë dhe në krahasim me zgjedhjet e vitit 2017, kur votat e pavlefshme numëroheshin në më pak se 2% të totalit të votave ose diçka më shumë se 32 mijë vota të pavlefshme. Deri tani janë denoncuar me video të paktën dy raste në të cilat pretendohet nga eksponentë të ndryshëm opozitarë se votat janë bërë të pavlefshme qëllimisht nga persona në qendrat e votimit.

Votimet raportohen si të përfunduara deri në këto moment në faqen zyrtare të KQZ në qarqet: Berat, Dibër, Elbasan, Gjirokastër, Korçë, Kukës, Shkodër, Vlorë dhe Lezhë. Partia Socialiste ka siguruar shumicën në 5 nga këto qarqe, respektivisht në Berat, Elbasan, Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë. Në katër qarqet e tjera, të cilat pozicionohen gjeografikisht në veriun e vendit, Partia Demokratike ka dalë në avantazh, përkatësisht në Dibër, Kukës, Shkodër dhe Lezhë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img