BallinaPertejVaksinimet e reja në javën e hapur dhe disa mangësi në transparencën e të dhënave

Vaksinimet e reja në javën e hapur dhe disa mangësi në transparencën e të dhënave

Vaksinimi kundër COVID-19 mbetet sfida globale kundër pandemisë, në një kohë kur njerëzit tregohen gjithnjë e më skeptikë ndaj vaksinës.  Për të nxitur këtë proces, Ministria e Shëndetësisë shpalli vaksinimin e hapur nga data 19-25 korrik, duke u apeluar individëve mbi 18 vjeç për t’u vaksinuar. Në përfundim të javës së hapur, Ministria raportoi 70 mijë të vaksinuar, një shifër që tregonte rritje të ndjeshme në krahasim me javën pararendëse. Por në anketat ditore të Faktoje në rrjetet sociale, shumica e ndjekësve treguan se e refuzuan vaksinimin, ndërkohë verifikimi i të dhënave zyrtare tregoi se nga 70 mijë të vaksinuarit në javën e hapur, 30 mijë morën dozën e dytë të vaksinës, pra nuk llogariten si vaksinime të reja.

Më 16 korrik, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, zonja Ogerta Manastirliu, shpalli nisjen e vaksinimit të hapur nga 19 deri në 25 korrik.

Deri në atë moment, në raportimet e përditshme të Ministrisë së Shëndetësisë bëhej me dije se po kryhej vaksinimi i personave mbi 50 vjeç dhe i punonjësve të institucione në kontakte direkte me qytetarët.

Java e hapur e vaksinimit koincidoi edhe me konfirmimin zyrtar se varianti Delta i virusit kishte hyrë në Shqipëri. Ky variant, sipas ekspertëve, ka transmetueshmëri më të lartë se variantet e tjera dhe rrezikon më tepër shëndetin e personave të pavaksinuar.

Por sa e suksesshme rezultoi java e hapur e vaksinimit në shtimin e të vaksinuarve në vendin tonë?

Të hënën e 19 korrikut, kur nisi zyrtarisht java e vaksinimit të hapur, Faktoje kërkoi opinionin e ndjekësve të saj në rrjetet sociale nëse do të shkonin të vaksinoheshin. Shumica dërrmuese votoi jo, si në sondazhin e zhvilluar në Facebook, ashtu dhe në sondazhin e zhvilluar në Instagram, përgjatë gjithë asaj jave.

Sondazhi i Faktoje në Facebook

Në Instagram, ku mosha e ndjekësve të Faktoje është më e re se e atyre në Facebook, përqindja e personave që kanë votuar jo është më e lartë.

Sondazhi i Faktoje në Instagram

Nga një grup prej 10 personash të moshës 25-30 vjeç, të intervistuar nga Faktoje, gjysma shprehej mosbesuese duke refuzuar vaksinimin. Arsyet e refuzimit lidhen me neglizhimin e rrezikut nga Covid-19, deri tek frika nga efektet e mundshme anësore të vaksinës.

Personat të cilët u shprehën pro, thanë se janë vaksinuar me të paktën një doze të vaksinës së prodhuar nga Pfizer-Biontech.

Faktoje kontaktoi gjithashtu me Dorin, një 40-vjeçar nga Tirana i cili zgjodhi të vaksinohej gjatë javës së hapur. Ai u shpreh se pranoi të shkonte për të bërë vaksinën, pasi kishte mundësi të zgjidhte vaksinën Astra Zeneca kundrejt vaksinës Coronavac.

Ministria raportoi 70 mijë të vaksinuar, por sa ishin vaksinime të reja?

Të hënën e 26 korrikut ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu postoi në profilin e saj në rrjetet sociale shifrat e personave të vaksinuar përgjatë javës së hapur të vaksinimit, rreth 70 mijë individë.

Pas këtij postimi, Faktoje vendosi të verifikojë se cila ishte diferenca në numrin e personave të vaksinuar gjatë javës së hapur në raport me javën paraardhëse.

Gjatë datave 12-18 korrik, në faqen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, raportohen 47,373 vaksinime ose rreth 23 mijë vaksinime më pak se gjatë javës së vaksinimit të hapur.

Përpara javës së vaksinimit të hapur, bazuar në njoftimin zyrtar të datës 19 korrik, u raportuan 466,905 qytetarë të vaksinuar me të dyja dozat anti-covid.

Pas javës së vaksinimit të hapur, numri total i vaksinimeve (me të paktën një dozë) deri në mëngjesin e të hënës së 26 korrikut ishte 1,138,771 vaksinime. Nga ky numër të vaksinuarish, 498,724 persona raportohet se i kanë marrë të dyja dozat.

Me një llogaritje të thjeshtë, duke bërë diferencën e të vaksinuarve me dy doza, rezulton se gjatë javës së vaksinimit të hapur, rreth 32 mijë persona kanë marrë dozën e dytë të vaksinës, pra nuk konsiderohen vaksinime të reja. Sipas këtyre të dhënave, numri i vaksinimeve të reja në javën e hapur është diçka më pak se 40 mijë.

Megjithatë, gjatë verifikimit të raportimeve ditore vumë re se në javën e vaksinimit të hapur, në datat 20, 24 dhe 25 korrik nuk ka një raportim ditor të vaksinimeve, duke e zbehur transparencën e këtij procesi.

Faktoje iu drejtua zonjës Silva Bino, zyrtare e Institutit të Shëndetit Publik, për të mësuar numrin e personave të vaksinuar për secilën ditë të javës së vaksinimit të hapur, por ajo na u përgjigj se këto të dhëna mund t’i gjejmë në këtë faqe.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img