BallinaTë pambajturaRruga turistike e Thethit e papërfunduar, një vit pas mbarimit të afatit që premtoi kryeministri

Rruga turistike e Thethit e papërfunduar, një vit pas mbarimit të afatit që premtoi kryeministri

Në vitin 2019 Kryeministri Edi Rama deklaroi se punimet për rrugën e Thethit do të përfundonin në korrik të 2020-s. Tashmë ka kaluar një vit nga përfundimi i këtij afati, por segmenti 16 kilometra që nis në Qafë Thore dhe përfundon në Theth ende nuk ka përfunduar. Kjo konfirmohet nga vetë njësia zbatuese e projektit që pranon se deri tani punimet janë kryer në masën 65%.


Në një postim të shtatorit 2019, Kryeministri Rama kishte deklaruar se korriku i vitit 2020 do t’i gjente të përfunduara punimet në rrugën turistike të Thethit.

Screenshot i statusit të Kryeministrit Edi Rama, 21 shtator 2021

Faktoje ka raportuar për mosmbajtjen e këtij premtimi në korrik të vitit të kaluar, kur rruga duhet të kishte përfunduar. Në atë periudhë, gjatë verifikimit në terren tabela e punimeve, edhe pse e dëmtuar në pjesën ku shkruhej afati ndodhej në kantier.

Në mesin e muajit qershor të këtij viti, Faktoje ishte njohur përmes disa videove të mbërritura në redaksi, me gjendjen aspak të mirë të rrugës, së Thethit ku punimët nuk kishin përfunduar.

Në fillim të muajit korrik, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për ta pyetur se në cilën fazë është zbatimi i projektit në këtë segment rrugor që përshkron zonën e Thethit dhe kur pritej të përfundonte.

Kërkesë për Informacion drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës, 5 korrik 2021

Ministria e Infrastrukturës, në përgjigjen për Faktoje, konfirmoi se ky aks rrugor nuk është në administrim nga ARRSH, pasi ky investim po kryhet tërësisht nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ndaj kërkesa iu delegua FSHZH-së.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit na ktheu këtë përgjigje:

“Tashmë kanë rifilluar punimet për aksin Qafë Thore-Theth, pas kushteve të vështira atmosferike të cilat nuk favorizojnë dhe bllokojnë proceset e zbatimit në përmirësimin e infrastrukturës. Në këtë drejtim nuk mund të përcaktojmë një afat të saktë kohor të përfundimit të projektit.

Vlera e kontratës është 736,302,708 lekë (me TVSH) dhe deri më tani janë realizuar rreth 65% e punimeve.”

Përgjigjja e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, 8 korrik 2021

Pas kësaj përgjigjeje, Faktoje shkoi në Theth për të verifikuar gjendjen këtij aksi dhe nëse punimet, me financimin e Bankës Botërore po vijonin, ashtu siç konfirmohej në përgjigjen zyrtare të FSHZH, tani që kushtet atmosferike bëjnë të mundur ndërhyrjen.

Segmenti rrugor në Theth, foto Aurora Shpataj 29 korrik 2021

Segmenti rrugor në Theth, foto Aurora Shpataj 29 korrik 2021

Gjatë përshkrimit të rrugës vihet re se asfaltimi është ende i pjesshëm, ndërkohë që ditën e verifikimit nuk gjetëm asnjë punëtor, apo anëtar të stafit zbatues të projektit, ndërsa mjetet e tonazhit të rëndë nuk ishin në punë.

Segmenti rrugor në Theth, foto Aurora Shpataj 29 korrik 2021

Segmenti rrugor në Theth, foto Aurora Shpataj 29 korrik 2021

Segmenti rrugor në Theth, foto Aurora Shpataj 29 korrik 2021

Segmenti rrugor në Theth, foto Aurora Shpataj 29 korrik 2021

Thethi, rreth 70 km larg Shkodrës, në zemrën e Alpeve shqiptare shtrihet në një lartësi prej 600 –2 570 metra mbi nivelin e detit.

I shpallur Park Kombëtar, zona tërheq shumë turistë vendas dhe të huaj, të cilët përballen me një rrugë problematike gjatë muajve kur nuk është i bllokuar nga bora. Në muajt me borë që zgjasin përtej dimrit, zona bëhet e pakalueshme dhe projekti I shumëpritur që parashikohej ta kthente këtë segment në një rrugë të sigurtë, është ende larg përfundimit.

Duke iu referuar burimeve zyrtare të Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe verifikimit në terren, na rezulton se aksi rrugor në Theth nuk është përfunduar edhe pas 2 vitesh, duke konfirmuar shkeljen e premtimit nga Kryeministri Rama, kur ka kaluar ekzaktësisht 1 vit nga koha kur rruga duhej të kishte përfunduar.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img