BallinaAktualitetMuajt e vaksinimit të hapur në Kukës, shumë pak të rinj u vaksinuan

Muajt e vaksinimit të hapur në Kukës, shumë pak të rinj u vaksinuan

OLA VELIAJ

 

Thirrja për muajin e vaksinimit të hapur duket se nuk i bindi të rinjtë e moshës mbi 18 vjeç që t’u drejtohen qendrave shëndetësore për t’u vaksinuar.

Gjatë një vëzhgimi për Faktoje në qendrën shëndetësore në gusht dhe fillimin e shtatorit, konstatuam se kishte pak ose aspak individë të moshave të reja për t’u vaksinuar kundër Covid-19. Kur ka nisur muaji i dytë i hapur i vaksinimit, shumë të rinj thonë se nuk janë në dijeni të kësaj nisme, ndërsa të tjerë pohojnë arsye nga më të ndryshme përse po e refuzojnë vaksinimin.

“Kam frikë të vaksinohem, pasi çdo ditë lexoj në rrjetet sociale për pasojat që ka vaksina tek moshat e reja.”- thotë G.H 18 vjeç.

“E gjithë kjo situatë, duke filluar që nga shfaqja e pandemisë së covid 19, deri tek vaksinimi, është një politikë botërore për të na detyruar që t’i nënshtrohemi vaksinimit pa dëshirë. Nisur nga kjo, nuk dua të vaksinohem.” – shprehet për Faktoje, B.D 20 vjeç.

Ndërkohë,19 vjeçarja me iniciale N.V pohon se është vaksinuar pas deklaratave se studentët dhe pedagogët nuk do lejohen të hyjnë në auditorë pa u vaksinuar ndaj Covid-19. “U vaksinova për arsye të zhvillimit të orëve mësimore fizikisht, pasi prej dy vjetësh ne kemi shumë mangësira, ndërsa tani ka ardhur koha të fillojmë përditshmërinë tonë të mëparshme.”

Për muajin gusht punonjësit e statistikave në Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Kukës bëjnë me dije se numri i të rinjve të moshës 18-23 vjeç nuk e kalon shifrën e 100 të vaksinuarve me dy doza me vaksinën Pfizer dhe AstraZeneca.

*Foto nga muaji i hapur i vaksinimit gjatë muajit gusht në qendrën shëndetësore Kukës

*Foto nga muaji i hapur i vaksinimit gjatë muajit gusht në qendrën shëndetësore Kukës

Ndryshe nga muaji gusht, kur thirrja bëhej për paraqitjen vullnetare për vaksinim, gjatë muajit shtator, Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se komuniteti i mësuesve, pedagogëve, studentëve e kanë me detyrim vaksinimin.

 

Nga komunikimi me disa mësues kuptuam se ky komunitet është i ndarë kur vjen fjala tek vaksinimi, megjithatë shumë prej tyre i janë nënshtruar vaksinimit muaj më parë. “Jam vaksinuar bashkë me shumë kolegë të tjerë që në muajin mars. Vaksinimi për ne që jemi në kontakt me nxënësit çdo ditë është i domosdoshëm, sepse parandalojmë infektimin e rëndë për vete, kolegët, familjarët, nxënësit.”-thotë mësuesja e një shkolle 9-vjeçare.

I pyetur për ecurinë e vaksinimit gjatë muajit shtator, B.Sh mjek i qendrës shëndetësore thotë:

“Muaji i dytë i vaksinimit të hapur ka vijuar normalisht, me të gjitha grupmoshat. Çdo ditë punojmë dhe presim të rinj e banorë të Kukësit për t’u vaksinuar.”

*Pensionistët të ndjekur nga mjekët në terren 

“Me afrimin e nisjes se vitit të ri shkollor si dhe rikthimin e punonjësve nga leja e zakonshme, numri i kërkesave për t’u vaksinuar ka pësuar një rritje të lehtë, gjë e cila mendohet të jetë edhe si rezultat i kërkesës së institucioneve drejtuar punonjësve për t’u vaksinuar”- konfirmojnë mjekë të ndryshëm në qendrën shëndetësore.

Ne u përpoqëm, të komunikojmë edhe me drejtuesin e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Kukës, për të mësuar më shumë mbi ecurinë e vaksinimit të moshave të reja, metodologjisë që po përdor stafi mjekësor për t’i ndërgjegjësuar ata për këtë proces dhe për situatën e përgjithshme të vaksinimit prej muajit shkurt të këtij viti e deri më sot. Përgjigjet na u refuzuan nga drejtuesi i këtij institucioni.

Aktualisht qarku i Kukësit numëron 226 raste aktive me Covid 19. Hyrje-daljet në doganën e Morinit gjatë sezonit të verës, bënë që ky qark të rikthehet në hartën e zonave me numër të lartë të infektuarish.  Rritja e rasteve dhe rikthimi i infektimeve me covid 19 ka ardhur edhe si rezultat i mungesës së masave kontrolluese në doganën e Morinit, të cilat hynë në fuqi në javën e parë të shtatorit, sipas një vendimi të Komitetit të Ekspertëve.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img