Qytetarët që udhëtojnë përtej kufirit, duhet të paraqesin çertifikatën e vaksinimit anticovid. Ajo që e komplikon situatën për shqiptarët është se shumica e tyre kanë injektuar vaksina të pamiratuara nga organizmat ndërkombëtarë si EMA dhe FDA. Deri më tani Italia, Gjermania dhe disa shtete kanë konfirmuan njohjen e çertifikatës shqiptare vetëm për vaksinat e kompanive Pfizer Biontech, Astra Zenca, Moderna dhe Johnson&Johnson. Kjo situatë sipas ekpertëve të shëndetësisë duhet qartësuar në rrugë diplomatike, ndërsa kur vjen fjala tek individët që janë vaksinuar me vaksinat e paautorizuara ndërkombëtarisht, ky është një ‘penalitet’ i parashikuar muaj më parë prej tyre.


Ministria e Jashtme shqiptare ka njoftuar së fundi se Italia njeh si dokument për hyrjen në këtë shtet, çertifikatat e lëshuara edhe nga Shqipëria, por vetëm për vaksinat e autorizuara nga EMA: Pfizer Biotech, Moderna, Astra Zeneca, Jonhson&Johnson.

Screenshot nga postimi i Ministrisë së Jashtme, 31 Gusht 2021

Ky njoftim është një lajm i mirë për ata që duhet të udhëtojnë drejt këtij shteti dhe kanë injektuar tashmë një nga vaksinat e miratuara nga EMA.

Screenshot nga çertifikata shqiptare nga E-albania e një qytetari të vaksinuar me të dyja dozat.

Faktoje i dërgoi një kërkesë për informacion Ministrisë së Jashtme me datë 31 Gusht ku kërkoi informacion se cilat vende të Europës i njohin vaksinat e injektuara në Shqipëri. E njëjta kërkesë i është dërguar dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Kërkesa dërguar Ministrisë së Jashtme, 31 Gusht 2021

Faktoje është ende në pritje të përgjigjes zyrtare nga këto dy institucione. Ne gjithashtu iu drejtuam me disa pyetje lidhur me njohjen e vaksinave anticovid edhe përfaqësive diplomatike të disa shteteve këtu në Tiranë, ambasadës hollandeze, italiane, britanike polake, asaj të Republikës Çeke, portugeze, lituaneze e malteze.

Kërkesa për informacion dërguar ambasadave

Deri më tani Faktoje ka arritur të marrë përgjigje nga ambasada e Maltës, Hollandës dhe Republikës Çeke.

Ambasada e Maltës na dërgoi si përgjigje sugjerimin për t’iu referuar faqes zyrtare të ministrisë së Shëndetësisë malteze, ku çertifikata e vaksinimit është e vlefshme kur vaksinat njihen nga Agjensia Europiane e Mbikëqyrjes të Shëndetit Publik (EMA) për një vaksinim të plotë për vaksinat Pfizer, Moderna, AstraZeneca, Johnson & Johnson ose me një dozë të vetme.

Screenshot nga faqja e ambasadës së Maltës ku ndodhet dhe Shqipëria si vend që i njihet çertifikata e vaksinimit.

Edhe ambasada Hollandeze na ktheu të njëjtën përgjigje.

“Për të udhëtuar në Holandë, ekzistojnë një numër kërkesash në lidhje me vërtetimin e vaksinimit. Një nga kërkesat është që dëshmia të jetë lëshuar pas vaksinimit me një vaksinë që është miratuar nga Agjencia Europiane e Barnave ose është në listën e Përdorimit Emergjent të Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH).”-citohet në përgjigjen e ambasadës.

Screenshot i përgjigjes së ambasadës hollandeze.

Ndërkohë në përgjigjjen e ambasadës thuhet:

“Certifikata shqiptare e vaksinimit nuk njihet ende nga Republika Çeke, por është në proces dhe shpresojmë që të njihet së shpejti.”

Screenshot i përgjigjes nga Ambasada e Republikës Çeke.

Gjatë kërkimit në faqen zyrtare të Ambasadës Gjermane në Tiranë rezulton se ky shtet njeh vaksinat anticovid të injektuara në Shqipëri, por të cilat janë autorizuar nga EMA dhe FDA.

Ekspertët paralajmëruan ‘pasojat’ e injektimit në masë të vaksinave të paautorizuara

Shumica e vaksinave të injektuara nw Shqipwri janë prodhim, i cili deri mw sot

nuk e ka marrë miratimin nga ky organizëm, çka mund të kthehet në pengesë për lëvizjen e shumë qytetarëve drejt shteteve të BE, sidomos atyre që udhëtojnë për qëllime pune apo studimi.

Siç kemi raportuar më herët, Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se të paktën deri në mesin e muajit korrik, ishin injektuar rreth 625 mijë doza të vaksinës Coronavac dhe SputnikV  (të paautorizuara nga agjencitë ndërkombëtare shëndetësore) dhe vetëm 330 mijë doza të vaksinës Pfizer Biontech dhe Astra Zeneca. Ajo që dimë të sigurtë është se numri i vaksinave të paautorizuara ndërkombëtarisht, që kanë mbërritur në Shqipëri është në epërsi krahasuar me ato të miratuara, edhe pse në shtator të 2020-s ministria e Shëndetësisë jepte garancinë se Shqipëria do të kishte të drejtën të zgjidhte vaksinën më të sigurt.

Përgjigjja nga Ministria e Shëndetësisë

Ekspertët e pyetur nga Faktoje kishin paralajmëruar muaj më parë për problemet që mund të krijonte vaksinimi me vaksina që nuk kanë miratimin e agjencive EMA apo FDA.

“Për ministrinë kemi rekomanduar prej kohësh të heqë dorë nga kjo kategori vaksinash, kryesisht për hir të faktit se nuk ofrojnë siguri. Derisa nuk janë të miratuara as nga EMA dhe as nga FDA, nuk ka garanci për sigurinë tyre, e dyta edhe për arsye administrative, e treta, duke qenë se sistemi shëndetësor shqiptar është i pabesueshëm, disa vende mund të mos e njohin çertifikatën shqiptare.”- shpjegon eksperti Erion Dasho.

Eksperti I Shëndetësisë Ilir Alimehmeti argumenton se çështja e njohjes së vaksinave është shumë komplekse. Së pari jo të gjithë shtetet njohin çertifikatën shqiptare të vaksinimit edhe kur bëhet fjalë për vaksinat e autorizuara nga EMA dhe FDA. Së dyti personat që kanë injektuar vaksinat Coronavac apo SputnikV, përveçse kanë me kosto shtesë për testime ndaj Covid, kur lëvizin jashtë vendit, përballen edhe me dilemën se si duhet të veprojnë nëse vendi pritës detyron vaksinimin vetëm me vaksina të autorizuara.

“Mund të mos e njohin çertifikatën tonë, përshembull, Këshilli i Europës ende nuk e ka njohur, ndërsa Maqedonisë dhe Turqisë po. Kjo është punë për kanalet diplomatike tashmë.

Përsa i përket Sinovac, Coronavac ose për çdolloj vaksine, për daljen jashtë vendit kjo varet nga shteti ku shkon, nëqoftëse ky shtet i njeh apo nuk i njeh këto vaksina. Duke qenë se kemi të bëjmë më shumë me shtetet e BE, ato njohin vetëm vaksinat e miratura nga EMA, Amerika njeh vetëm vaksinat nga FDA e kështu çdo shtet ka organizmat e veta. Për Sinovax e dimë që EMA nuk ka thënë as po as jo, e ka në shqyrtim, por e ka të paaprovuar. Po ashtu dhe FDA nuk e ka as në shqyrtim. Si rrjedhojë kjo është një vaksinë që këto shtete nuk e marrin parasysh që është bërë dhe nuk njohin çertifikatën për të. Pra njerëzit do të detyrohen të bëjnë testin që janë negativë në mënyrë që të kenë mundësi të udhëtojnë. Nga ky aspekt nuk ke çfarë t’i sugjerosh MSH se nuk e ka në dorë që EMA të njohë apo jo Sinovax. Megjithatë ne kemi pasur periudha të hapura ku njerëzve u është ofruar edhe AstraZenneca, pra duhet që edhe vetë ata ta marrin situatën në dorë.”-përfundon zoti Alimehmeti.