.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookVaksinat e kafshëve nuk transmetohen nga ushqimi te njeriu

Vaksinat e kafshëve nuk transmetohen nga ushqimi te njeriu

Teknologjia mRNA e vaksinave po gjen zbatim edhe tek imunizimi i kafshëve nga sëmundje të ndryshme. Pretendimet se kjo vaksinë mund të sjellë ndryshime gjenetike tek njerëzit nëpërmjet ushqimit vlerësohen si të pabazuara nga studiuesit.

Teoritë konspirative mbi teknologjinë mRNA të vaksinave ndaj Covid-19 vijojnë të krijojnë keqinformim edhe më shumë se një vit nga heqja e masave kufizuese të pandemisë. Së fundi, po ndahen në rrjete sociale dyshime për këtë teknologji të re të vaksinave, e cila mund të përdoret edhe në vaksinimin e kafshëve të mbarështuara në fermat bujqësore. Një pretendim i tillë ndahet në shqip nga një përdoruese në Facebook, e cila e nis postimin e saj me fjalët: 

“Ata janë të vendosur të na vrasin, por ne nuk do ua japim këtë kënaqësi skizofrenve sataniste. Furnizimi me ushqim i cdo amerikani/evropiani do të fillojë të helmohet qëllimisht me modifikime gjenetike të MRNA që quhen me mashtrim vaksina”.

Postimi i ndarë më 7 prill ka marrë dhjetra reagime dhe është rishpërndarë nga përdorues të tjerë.

Pavarësisht se përmenden dokumenta që mund të publikohen mbi këtë lajm alarmues, pak flitet këtu dhe në postime të tjera të ngjashme online se përse teknologjia e re e mRNA në vaksina dhe trajtime të tjera duhet të shihet me rrezik për ndryshimet gjenetike.

Sipas shpjegimit të ofruar për BBC nga profesori Jeffrey Alond i Universitetit të Oksfordit: “Injektimi i mRNA-së në një person nuk i bën asgjë ADN-së së qelizave njerëzore. Ajo funksionon duke e udhëzuar trupin të prodhojë një proteinë që gjendet në sipërfaqen e virusit korona. Sistemi imunitar pastaj mëson se si t’i njohë dhe prodhojë antitrupat kundër asaj proteine.”

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka konfirmuar tashmë se “Vaksinat MRNA nuk janë vaksina të gjalla virale dhe nuk ndërhyjnë në ADN-në e njeriu. Teknologjia e vaksinave mRNA është studiuar me dekada, duke përfshirë në kontekstin e vaksinave kundër virusit Zika, tërbimit dhe gripit sezonal (influenza).”

Më herët “Faktoje” ka verifikuar një tjetër pretendim lidhur me vaksinën mRNA, ku përdoruesit në rrjete sociale akuzonin fondacionin e miliarderit Bill Gates se po punon që të modifikojë gjenetikën e kafshëve me anë të vaksinimit. Edhe në këtë rast, studiuesit shpjegojnë se nuk ka asnjë mundësi që vaksinat mRNA të transmetohen nga kafshët tek njeriu nëpërmjet ushqimit dhe të ndryshojnë përbërjen qelizore të tij.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin


Fotografia kryesore e marrë nga webi.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img