Pretendimi: Vaksinat anti-Covid vranë më shumë njerëz se ç’vrau bomba bërthamore që ShBA hodhi në Hiroshima.

Verdikti: E paprovuar

—————————————————————–

Artikulli i portalit Mast.al mban titullin alarmues: “Holokausti” i Vaksinave më Keq se Hiroshima!”

Faktoje ka përgënjeshtruar dhe më parë pretendime të babaza nga Mast.al, veçanërisht në lidhje me vaksinat.

Në brendinë e tij, artikulli përllogarit vdekjet që pretendohet se janë shkaktuar nga vaksina anti-Covid duke iu referuar një numri artikujsh dhe studimesh shkencore.

Fatkeqësisht, disa prej këtyre studimeve kanë defekte metodologjike, në të dhëna, ose janë keqinterpretuar në mënyrë tendencioze nga konspiracionistët anti-vaksinim.

“Rancourt et al: vlerësoi 17 milionë vdekje nga vaksinat COVID-19 në mbarë botën deri në shtator 2023.” 

Faktoje e ka përgënjeshtruar këtë pretendim më parë këtu.

“Mostert et al: vlerësoi se 3.1 milion vdekje tepër mund t’i atribuohen vaksinimit/përmbajtjes ekskluzive kundër COVID-19, në 47 vende të botës perëndimore nga 2020 deri në 2022.” 

Ky pretendim, gjithashtu, është i rremë. Studimi i Mostert et al. nuk përfshiu ndonjë gjetje që lidh vaksinimin me vdekjet e tepërta. Shkaku dërrmues i vdekjeve të tepërta midis 2020 dhe 2022 ishte për shkak të vetë Covid-19. Ka shumë shpjegime të mundshme për vdekjet e tepërta që nuk janë shkaktuar drejtpërdrejt nga COVID-19.

“Sistemi i raportimit të ngjarjeve të padëshiruara të vaksinës (VAERS): 37,966 vdekje të raportuara nga vaksina COVID-19, një faktor nënraportues prej 31, jep 1,176,946 vdekje nga vaksina COVID-19 midis vendeve që përdorin VAERS.”

Siç Faktoje ka nënvizuar më parë, sistemi VAERS është një sistem primitiv paralajmërimi ku çdokush mund të hyjë dhe të raportojë efekte të padëshiruara pa asnjë lloj kredenciali. Si rrjedhojë, vetë faqja e VAERS këshillon kundër përdorimit të të dhënave të sistemit për të bërë një lidhje shkak-pasojë mes vaksinimit dhe efekteve të padëshiruara.

“Skidmore: rreth 278,000 amerikanë mund të kenë vdekur nga vaksina COVID-19 deri në dhjetor 2021.”

Sipas një analize të thelluar nga kolegët e Science Feedback, ky studim në fakt nuk ofron provat e nevojshme shkencore për pretendimin e tij se gati 300,000 njerëz vdiqën nga vaksinat anti-Covid-19. Ky vlerësim bazohet në opinione personale, pa asnjë përpjekje për të verifikuar saktësinë e përgjigjeve të sondazhit duke ekzaminuar të dhënat mjekësore. Rrjedhimisht, studimi nuk ofron një vlerësim rigoroz të testuar ose të besueshëm të vdekjeve që lidhen me vaksinat e Covid-19. Më 11 prill 2023, revista shkencore ku ishte botuar studimi, BMC Infectious Diseases, e tërhoqi atë pas një hetimi. Ndër çështjet që zbuloi ishin përdorimi i metodologjisë së papërshtatshme dhe përshkrimi joadekuat i metodologjisë së studimit. 

“Pantazatos dhe Seligman: vlerësohen 146,000 deri në 187,000 vdekje të mundshme të lidhura me vaksinat në Shtetet e Bashkuara deri në gusht 2021.”

Artikulli në fjalë nuk është një studim, por një paraprintim i tij. Ai nuk i është nënshtruar procesit shumë të rëndësishëm akademik të rishikimit nga kolegët. Metodologjia e artikullit është e pamjaftueshme për të pohuar ekzistencën e një marrëdhënieje shkak-pasojë midis vaksinave Covid-19 dhe vdekjes. Për më tepër, artikulli përmbante paragjykime të shumta të mundshme dhe autorët nuk morën parasysh faktorë të tjerë që ndikojnë gjithashtu në rrezikun e vdekjes, si mosha dhe kushtet themelore shëndetësore.

“Hulscher et al (I): vlerësoi 49,240 vdekje të tepërta nga arresti kardiak, ndoshta për shkak të vaksinimit kundër COVID-19 në SHBA nga 2021-2023.”

Vetë autorët e studimit pranojnë se ai “ka të gjitha kufizimet e të dhënave ekologjike ku informacioni i nivelit të rastit individual nuk është i disponueshëm. Pohimi i një lidhjeje shkak-pasojë midis vaksinimit kundër Covid-19 dhe vdekjeve të tepërta në studimin tonë do të kërkonte një gjykim të pavarur klinik të secilit rast, duke përfshirë gjetjet e autopsisë kur kryhet. Ka variabla të shumtë potencialë, të pa llogaritur ngatërrues, si ndryshimet në aksesin në kujdesin shëndetësor, variacionet në ndërhyrjet në shëndetin publik, faktorët socio-ekonomikë, përdorimi i drogës dhe infeksioni COVID-19 që mund të kenë ndikuar në rezultatet e arrestit kardiopulmonar. Ngatërrimi i pakontrolluar mund të çojë në një gjetje false pozitive (Gabimi i tipit I), si dhe në një efekt të rremë negativ ose të nënvlerësuar (gabim i tipit II). Kështu, lidhja e vëzhguar midis shkallës së vaksinimit dhe vdekshmërisë së tepërt të arrestit kardiopulmonar mund të duket më e madhe ose më e vogël se marrëdhënia e vërtetë për shkak të variablave ngatërrues të pa llogaritur. Rënia e papritur e popullsisë në King County gjatë pandemisë mund të jetë ndikuar nga migrimi ose zhvendosjet e përkohshme, të cilat nuk janë përfshirë plotësisht në të dhëna. Modeli ynë mbështetet në ekstrapolimin e tendencave para pandemisë, duke supozuar se kushtet themelore mbeten konstante.”

“Hulscher et al (II): gjetën një probabilitet të lartë të shkakësisë midis vaksinave COVID-19 dhe vdekjes nga një analizë e 325 autopsive.”

Faktoje e ka përgënjeshtruar këtë pretendim më parë këtu. Studimi më vonë u tërhoq nga revista ku ishte botuar nga redaktorët e revistës, të cilët përmendën shqetësime të shumta duke përfshirë “dizajnimi i papërshtatshëm i metodologjisë” dhe “gabimet, keqinterpretimi dhe mungesa e mbështetjes faktike për përfundimet”.