Pretendimi se disa vaksina anti-Covid përmbajnë parazitë vdekjeprurës është i pavërtetë. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se disa prej këtyre parazitëve nuk infektojnë njerëzit, ndërsa ekspertët thonë se procesi i sterilizimit gjatë prodhimit të vaksinave do t’i eleminonte këto parazitë edhe nëse do të ekzistonin paraprakisht.
—————————————–
Një imazh që po shpërndahet në qarqet anti-vaksinim pretendon se vaksinat e Pfizer dhe Moderna përmbajnë parazitë vdekjeprurës, specifikisht Hydra vulgaris, Trypanosoma cruzi, Trypanosoma brucei, dhe Polypodium hydriforme.
Si fillim, duhet ritheksuar se ky imazh nuk sjell asnjë provë për të mbështetur pretendimin që ngre, gjë që duhet ta bëjë skeptik lexuesin e ndërgjegjshëm. Imazhet e parazitëve nuk janë marrë nga vëzhgime mikroskopike të vaksinave anti-Covid, por janë foto ilustruese të marra nga interneti.
Më tej, Dr. Amesh Adalja, ekspert i sëmundjeve infektive nga Qendra John Hopkins për Sigurinë e Shëndetit tha për USA Today se “nuk ka prova që hidrat ekzistojnë në ndonjërën nga vaksinat Covid-19.” Për më tepër, ai tha se nuk ka gjasa që ndonjë çfarëdo organizmi, përfshi parazitët e mësipër, do t’i mbijetonin procesit të sterilizimit që ndodh gjatë prodhimit të vaksinave. Në të njejtën linjë, parazitët në fjalë, apo çfarëdo organizmi tjetër, zor se do t’i kishin mbijetuar gjendjes së ngrirjes në të cilën ruhen vaksinat.
Ç’është më tepër, paraziti Hydra vulgaris nuk infekton njerëzit. Sipas Adalja, “nuk ka prova që Hydra vulgaris mund të shkaktojë një infeksion tek një njeri. Ai thjesht nuk është një patogjen njerëzor.”
Organizmi Polypodium hydriforme, gjithashtu, nuk infekton njeriun, por peshqit. Për më tepër, ai e fillon jetën brenda vezëve të një specieje peshku. Si rrjedhojë, do të ishte gati e pamundur që ai të ekzistonte brenda vaksinës anti-Covid.
Lista e përbërësve të vaksinave anti-Covid të prodhuara nga Moderna dhe Pfizer mund të gjenden lehtësisht në internet. Në mënyrë të parashikueshme, ato nuk përfshin asnjë lloj paraziti. Të gjithë përbërësit e vaksinës, tha Adalja, janë përbërës kimikë, jo organizma të gjalla.