Pretendimi: Kombinimi i vajit të kanabisit dhe atij të kokosit trajton kancerin
Verdikti: E pavërtetë
Postime të shpërndara në rrjetet sociale pretendojnë se kombinimi i vajit të kanabisit dhe atij të kokosit prodhon një trajtim që vret qelizat e kancerit.
“Mrekullitë për shërimin nga kanceri: Kanabisi dhe vaji i kokosit bëjnë përzierje të fuqishme për të vrarë qelizat e kancerit. Thuaj jo kimioterapisë dhe rrezatimit”-këshillohet në postimin e një përdoruesit të Facebook.
Postimi i ndarë në rrjetet sociale
Ne bëmë një verifikim të këtyre pretendimeve që mund të vënë në rrezik jetën e pacientëve që këshillohen pa ndonjë provë të besueshme që të ndërpresin trajtimin mjekësor. Deri më sot nuk ka asnjë studim të mirëfilltë që të provojë se vaji i kanabis, apo një përzierja e tij me vajin e kokosit, mund të kurojë kancerin.
Ajo që mund të keqkuptohet është ndoshta fakti I njohur se pacientëve të prekur nga kanceri u këshillohet vaji i kanabisit për të lehtësuar dhimbjet nga sëmundja. Kjo është edhe arsyeja që disa vende, mes të cilëve edhe Shqipëria, kanë lejuar së fundmi kultivimin për përdorim mjekësor të kanabisit.
Disa nga efektet pozitive të njohura të këtij trajtimi me vaj kanabisi janë: Mund të lehtësojë dhimbjet; Mund të zvogëlojë simptomat që lidhen me disa çrregullime të shëndetit mendor; Mund të ndihmojë në reduktimin e disa simptomave të lidhura me kancerin dhe efekteve anësore që lidhen me trajtimin e kancerit, të tilla si të vjellat dhe dhimbjet;
Gjithashtu, përdorimi i tij ka edhe efekte anësore si diarre, ndryshime në oreks e peshë dhe ndjesi lodhjeje te disa njerëz. Efekte të tjera anësore, duke përfshirë rezultate të pazakonta në testet e funksionit të mëlçisë, gjendje gjumi dhe pneumoni, janë raportuar në kërkimin për epilepsinë tek fëmijët. Mirëpo, tani për tani nuk ka asnjë provë që vaji i kanabisit mund të kurojë kancerin.
Kanceri nuk është një sëmundje, por qindra sëmundje të ndryshme që evoluojnë me kalimin e kohës. Për më tepër, çdo lloj tumori kërkon trajtime specifike dhe të ndryshme në varësi të karakteristikave të vetë tumorit dhe të pacientit.
Sipas të dhënave, ekzistojnë të paktën 200 lloje të ndryshme kanceri, të klasifikuara nga pikëpamja klinike sipas kritereve të ndryshme: sipas organit të origjinës (kanceri i gjirit, mushkërive, zorrës së trashë etj.) ose llojit të qelizave nga të cilat ata rrjedhin
Qelizat e kancerit evoluojnë me kalimin e kohës dhe ndonjëherë bëhen rezistente ndaj terapive, që fillimisht mund të kenë qenë efektive. Prandaj, kanceri është një grup sëmundjesh komplekse dhe në zhvillim, të cilat vështirë se do të lejojnë gjetjen e një kure të vetme përfundimtare për të gjithë.
Miliarda paund janë mbledhur, investuar dhe shpenzuar në kërkimet për kancerin gjatë dekadave, por ende nuk ka një kurë për të.
Faktoje ka verifikuar një sërë informacionesh që kanë qarkulluar online, ku sugjerohen kura për trajtimin e kancerit.