Tanket në këtë video nuk po transportohen drejt kufirit Texas-Meksikë. Sipas një njoftimi të Gardës Kombëtare të Kansas, ato po dërgohen në bazën ushtarake Fort Bliss në Texas, për t’u përdorur në stërvitje të ushtrisë amerikane.
———————————
Video e transportit të një numri tankesh dhe mjetesh lufte po sillet në rrjet si ogur i një konflikti të armatosur mes qeverisë federale të ShBA dhe shtetit amerikan Texas.
Më 22 janar 2024, Gjykata e Lartë në ShBA vendosi në favor të administratës Biden, duke lejuar prerjen e telit me gjemba të vendosur përgjatë kufirit me Meksikën nga shteti amerikan i Texas për të parandaluar emigrimin. Guvernatori i Texas, Greg Abbott e sfidoi vendimin e gjykatës duke urdhëruar zgjatimin e telit me gjemba. Kjo ka çuar në tensione mes forcave ushtarake të shtetit të Teksasit dhe agjentëve federalë të Patrullës Kufitare.
Me anë të motorit të kërkimit Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se video e mësipërme është postuar fillimisht më 27 janar 2024 në Twitter.
Megjithëse video është postuar fillmisht shoqëruar me pretendimin se “Garda Kombëtare e Teksasit po lëviz mjete të blinduara drejt kufirit me Meksikën,” autori e ka përditësuar postimin duke saktësuar se tanket në video po shkojnë drejt Fort Bliss, Texas.
Kjo konfirmohet edhe nga njoftimi i Gardës Shtetërore të Kansas më 26 janar. Në njoftim bëhet me dije se ushtarët e Gardës së Kansas po transportuan 25 tanke M1A1 Abrams dhe 16 automjete luftarake të këmbësorisë M2A2 Bradley drejt bazës ushtarake Fort Bliss, Texas.
Këto mjete do të përdoren për stërvitje. Kapiten Alexander Conoley nga Garda Kombëtare e Kansasit tha se ato do të kthehen në Kansas sapo trupat që po kryejnë stërvitjet të marrin detyrën jashtë vendit si pjesë e Operacionit Mburoja Spartane në Lindjen e Mesme.